0.5 C
Tirana
E mërkurë, 29 Mars, 2023
spot_imgspot_img

Disa nderhyrje kirurgjikale në trend, që duhen shmangur. Dhe ja përse!

Mund t’ju duket e çuditshme, por procedurat më të rrezikshme priren të jenë ato më në modë, apo trend.  Këtu nuk përfshihen ndërhyrje të tilla si ngritjet braziliane të të pasmeve dhe zmadhimet e gjoksit, por ato procedura “trend”, që fotot e punuara me photoshop në instagram i kanë shtyrë vajzat drejt dëshirës për t’i kryer me çdo kusht duke mos ndarë dot fotot nga realiteti. Sa nga ju do të buzëqeshin teksa më lexojnë, duke kujtuar marrosjen pas formës së hundës së ngritur të Barbit, apo fiksimin e heqjes së brinjëve, që ngushton belin si të kukullës bionde duke sfiduar nënën natyrë.Këtu dua të jem e qartë, ne të gjithë të rriturit jemi të lirë të modifikojmë pamjen tonë të jashtme sipas dëshirës, por në opinionin tim nuk është e nevojshme të arrijmë deri aty sa të zhvlerësojmë shëndetin dhe sigurinë në emër të rezultateve kozmetike. Ndaj dua t’ju vij në ndihmë, para se të vlerësoni çdo ndërhyrje duke ju njohur me ato më të rrezikshmet, por edhe si të ngjashmet e tyre me rrezik më të ulët, arsyet dhe alterativat e ndryshme se si mund të arrijmë rezultate të ngjashme me shumë më pak rrezik.

 

1. Transplantet e qerpikëve

Për ata/ato, që luftojnë me një gjendje mjekësore, si alopecia ose trichotillomania, apo edhe ata/ato që thjesht duan qerpikë më të plotë dhe më të gjatë, ekziston transplantimi i përhershëm i qerpikëve. Po po, e lexuat mirë! Ai funksionon njësoj si transplantimi tradicional i flokëve, qimet e donatorëve mblidhen nga skalpi dhe vendosen në vijën e qerpikëve. Qimet vendosen lehtësisht dhe rriten si flokët e kokës, duke kërkuar shkurtime të rregullta dhe të herëpashershme.

Vendosja e saktë e transplanteve të qerpikëve është e rëndësishme dhe jo thjesht për të arritur një rezultat me pamje natyrale. Çuditërisht, qimet pubike (po, po, mëse e vërtetë) mund të përdoren si donatorë. Disa mjekë madje promovojnë përdorimin e transplanteve të qimeve pubike për shkak të natyrës së tyre kaçurrele, që në shtrirje ofrojnë gjatësi. Por këtu ka rreziqe në arritjen e rezultateve të dëshiruara.

Ndërsa transplantimi i qerpikëve është një ide e gabuar në përgjithësi, eshte edhe më e gabuar nëse përdoren qime pubike për transplante, sepse këndi i tyre ndikon drejtpërdrejt në shëndetin dhe sigurinë e syrit. Këto qime janë zakonisht shumë më të trasha dhe rriten në mënyrë shumë më të çrregullt se qimet e qerpikëve, apo edhe ato të marra nga skalpi i kokës.

Flokët e transplantuar, pavarësisht nga vendi i donatorit të përdorur, mund të rriten në sy, gjë që i vë në rrezik acarimi dhe që mund të rezultojë deri në infeksione dhe probleme të qëndrueshme të shikimit. Parregullsia e qimeve pubike rrit ndjeshëm mundësinë e acarimit të kornesë. Mos harroni, qerpikët tuaj nuk janë vetëm një aksesor, para së gjithash, ata janë një mburojë për të mbrojtur sytë nga pluhuri, papastërtitë dhe mbeturinat e tjera. Përtej dëmtimit që mund të shkaktojnë në sy, qerpikët e transplantuar nuk do të jenë në gjendje t’i mbrojnë sytë si ato natyralët.

Gjithashtu duhet marrë në konsideratë se si kjo procedurë ndikon në nivelet e lagështisë në syrin tuaj. Gjëndrat e vogla prapa vijës së qerpikëve, të njohura si glandulat meibomiane, prodhojnë një vaj që parandalon që lotët tuaj të avullojnë shumë shpejt. Kirurgjia mund të prishë arkitekturën e përgjithshme të syrit, duke përfshirë edhe vetë gjëndrat e duke shkaktuar kësisoj simptoma kronike të syrit të thatë. E njëjta gjë mund të shkaktohet nga gjatësia e qerpikëve. Kur qerpikët janë të gjatë në mënyrë të panatyrshme, qoftë kjo për shkak të serumeve të rritjes, zgjatjes së qerpikëve apo transplantimit të tyre, ata krijojnë një efekt tuneli me erë, duke tërhequr në këtë mënyrë më shumë ajër në sy pas çdo mbylljeje. Kjo bën që lotët të thahen shumë shpejt, duke shkaktuar simptoma të syrit të thatë që janë shumë irrituese, shfaqen si një ndjesi gërvishtjeje, kruarje, skuqje dhe lotim. Madje kjo mund të përfundojë duke ndikuar seriozisht edhe në shikimin tuaj.

Thënë këto, vjen si një ndihmë me më pak rrezik, alternativa:

Në vend të transplantimit të qerpikëve, mund të përmirësoni qerpikët tuaj me Latisse, e cila ka edhe ajo efektet e veta anësore, por në përgjithësi është më e sigurt. Këto efekte anësore mund të përfshijnë hiperpigmentimin e qepallës dhe irisit (që mund të shkaktojë errësimin e syve blu) dhe atrofinë e përhershme të yndyrës nën sy. Për këtë arsye do të shkoj edhe më tej në trajtime natyrale, në mënyrën më ideale të mundshme, ato të bëra me vaj ricini.

Përbërësit në vajin e kastorit të njohur si acidi ricinoleik lidhen me receptorët e rritjes së qerpikëve, siç bëjnë përbërësit në serumet artificiale të qerpikëve, por pa këto efekte anësore. Ju mund të përdorni edhe qerpikë fals me raste, thjesht mos sakrifikoni shëndetin e syve për hir të bukurisë së qerpikëve tuaj!

2. Injeksionet e silikonit te lëngshëm hynë në këtë grup te trendit, që josh pacientet për faktin se jetëgjatësia e rezultateve është e përhershme dhe nuk do t’u duhet të bëjnë injeksione në ftyrë çdo 6- muaj deri në 2 vite siç ndodh me injeksionet e acidit hialuronik.

Injeksionet e silikonit janë përdorur prej kohësh për të shtuar volumin në të gjitha pjesët e trupit. Sot, zakonisht përdoret në sasi shumë të vogla, por produkti mjekësor i përdorur, Silikon 1000, nuk është i miratuar për përdorim kozmetik. Pavarësisht kësaj ka shumë njerëz, që rezervojnë injeksione silikoni shumë të rrezikshme nga individë të palicensuar, duke përdorur materiale jo të klasit mjekësor.  FDA paralajmëron në mënyrë eksplicite kundër përdorimit të silikonit për përmirësimin e kozmetikës.

Ato janë të paligjshme dhe për të gjitha arsyet e duhura. Silikoni i injektuar për defektet dhe rrudhat duhet të vendoset në mënyrë perfekte dhe shpesh migron gjithsesi. Silikoni mund të infektohet, ose të shkaktojë një top të fortë indi të quajtur granuloma që duhet të hiqet në mënyrë kirurgjikale. Në shumicën e rasteve, silikoni nuk mund të hiqet lehtë, sepse pas injektimit, ai mund të lëvizë lirshëm dhe të gërshetohet në të gjithë trupin. Nëse po shpresoni të korrigjoni injeksionet ekzistuese të silikonit, mund të duhen shumë përpjekje, të cilat mund të jenë kryesisht të pasuksesshme dhe që rezultojnë në shenja të dukshme, ose shpërfytyrime.

Përtej dëmtimeve kozmetike, injeksionet e silikonit mund të shkaktojnë bllokim të enëve të gjakut, duke rezultuar në nekrozë të indeve. Kjo emboli gjithashtu mund të udhëtojë nëpër trup, duke çuar në goditje deri në vdekje.

Në vend të silikonit, provoni mbushës të acidit hialuronik, të cilët kanë tendencë të kenë qëndrueshmëri më të lartë dhe zgjasin jo më shumë se dy vjet. Ato mund të treten me një injeksion të një enzime të quajtur hialuronidazë, nëse vendosja është e pakënaqshme, ose është aplikuar në mënyrë të rrezikshme.  Nëse edhe kjo nuk ju bind, keni mundësi të zgjidhni dhjamin e siguruar nga vetë trupi juaj, mëse e natyrshme, një procedurë, që ofron probabilitet të lartë për një rezultat të përhershëm.

3. Rinoplastika e hundës “Barbie”.

Kryesisht e kryer në Evropë dhe vende si Turqia e Libani, procedura e hundës “Barbie” është pikërisht ajo që tingëllon, një rinoplastikë që krijon një hundë të imët me imazhin e një ure të ulët dhe majë dramatikisht të ngritur. Profesionistët me reputacion as nuk e konsiderojnë kryerjen e kësaj procedure të pagëzuar “Hunda e barbit”, thjesht sepse është estetikisht e papranueshme. Hunda duhet të jetë e përshtatur me fytyrën dhe në proporcion me tiparet e tjera të saj. Unë nuk besoj në ndërhyrje agresive, të panatyrshme, që do të shtrembërojnë pamjen e fytyrës ose trupit tuaj.Përtej çuditshmërisë estetike të rezultatit të hundës “Barbie”, specialistët e fushës refuzojnë t’i krijojnë ato për shkak të mundësisë së komplikimeve të mëdha. Dhe më ndiqni pak këtu, ndërkikimet janë të rënda: redukton aftësinë e pacientit për të marrë frymë dhe le një strukturë të dobësuar të hundës, e cila mund të shkaktojë kolapsin e të gjithë gjësë. Më keq akoma, për shkak se kjo ndërhyrje kërkon heqjen e shumë indeve të buta dhe kërcit, shpesh nuk mbetet mjaftueshëm kërc për t’u përdorur për rindërtim.Në vend që të gjeni një kirurg i cili do të krijojë një hundë standarde, për të gjithë njëlloj, të modeluar sipas një kukulle që është më shumë se 60 vjeç, gjeni një specialist, që do të krijojë një hundë të personalizuar, e cila përshtatet në mënyrë të përsosur me fytyrën tuaj. Unë jam dakort dhe mbeshtes atë formë, që do të duket bukur, por edhe e natyrshme për çdo pacient, siç do të bënte çdo kirurg rinoplastik i aftë dhe i besueshëm.

4. Heqja e brinjëve

Për ata që nuk e kanë menduar, apo dëgjuar kurrë këtë procedurë, mund të tingëllojë alarmante. A nuk kemi nevojë për çdo brinjë tonën? Në fakt, brinjët tona më të ulëta nuk janë thelbësore. Ato te cilat quhen “floating ribs” nuk kryejnë asnjë funksion respirator apo mbrojtës. Në disa raste, pacientët kërkojnë heqjen, sepse brinjët e tyre më të ulëta janë aq të spikatura sa që krijojnë pamjen e një pjese më të dalë të trupit. Edhe pse operacioni për heqjen e brinjëve për të theksuar belin mund të shkojë mirë, por edhe nëse e lini veten në duar shumë të trajnuara, rezultati i arritur në fund të kësaj procedure, nuk ia vlen dhe nuk është në proporcion të drejtë me mundimin që ndërmarrim. Rreziqet që lidhen me heqjen e brinjës përfshijnë shpimin e zonës ku rreshtohen gjokset nën brinjë dhe shkaktimin e një pneumotoraksi, ose kolapsi të mushkërive. Rreziqe të tjera përfshijnë dëmtimin e indeve dhe infeksionin.

Në vend që të hiqni këto kocka, të cilat ju rrezikojnë dëmtimin e organeve, provoni diçka më pak invazive. Profesionistët estetikë sugjerojnë liposkulpturën si një alternativë më të sigurt dhe efektive për të krijuar një bel më të ngushtë. Ndërkohë mund të provoni procedurat e stimulimit të muskujve dhe për këtë mund të më kontaktoni për më shumë informacion në kontaktin e vendosur në fund të artikullit.

5. Reduktimi i muskulit te pulpes

Në pjesën më të madhe, pulpa përbëhet nga muskuj, gjë që mund të shkaktojë një pamje të rëndë. Për shkak se zakonisht ka shumë pak yndyrë për të punuar, heqja e një pjese të muskujve është mënyra më efektive për të zvogëluar madhësinë e pulpës, por nuk rekomandohet. Reduktimi kirurgjik i muskulit të pulpës, megjithëse është i mundur, është i vështirë për t’u kalibruar dhe shpesh le një sipërfaqe të parregullt.

Nëse synimi juaj është dobësimi i muskujve, shkatërrimi i nervave që furnizojnë muskulin mund të shkaktojë atrofizimin e tij. Në vend të kirurgjisë, këtë e bejne injeksionet me neurotoksina, që sjellin kufizimin e funksionit nervor, por për të ruajtur rezultatet tuaja, do të përballeni me kosto të përsëritura të trajtimit. Duke marrë parasysh, që trajtimet me neurotoksina kanë tendencë të zgjasin për rreth tre – gjashtë muaj, duhet të bëheni gati të shpenzoni shumë para.

Përndryshe, nëse shpresoni të hiqni pak yndyrë të padëshiruar në një zonë të caktuar (zakonisht rreth kyçit të këmbës), mund të përdorni standardin e artë të heqjes kirurgjikale të dhjamit, liposuksionin. Kjo është një procedurë e sigurt, nëse kryhet nga një kirurg plastik me përvojë dhe të certifikuar.

Nga Dr. Gera Tagani

easy dinner ideas

te ngjashme

Te fundit