KreuCelebrity

Ekskluzive/ Njihuni me botën perfekte të balerinit Jurgen Bala!

Nga Nada Biraçi

Fotografia: Leo Arapaj

Një audicion i rastësishëm për balerinët e rinj në Nju-Jork, do të mjaftonte që Jurgen Bala, të bënte gati një valixhe të vogël e të turrej drejt ëndrrës së madhe përtej Oqeanit; Të kthehej një yll në Nju-Jork. Ndonëse emri i tij si balerin profesionist në Shqipëri sapo kishte nisur të zhurmonte, në ambicien që ndonjëherë pa vetëdije e fshihte, Jurgen e dinte se Shqipëria nuk do të qe edhe për shumë kohë habitati i tij si balerin. Jurgen Bala, sot një emër që renditet në listat prestigjioze të balerinëve e koreografëve profesionistë në Nju-Jork, ndan me “Bordo” sfidat, përjetimet e planet ambicioze për t’u shndërruar në një ‘star’ ndërkombëtar.

Pak muaj më parë përfundoi spektakli që të risolli në Shqipëri “Dancing With The Stars”. Bashkë me partneren tuaj Megi Pojani prekët finale, por jo kupën.

“Dancing With The Stars” ka qenë një eksperiencë e jashtëzakonshme në disa drejtime. Së pari, u ktheva në Shqipëri për herë të parë pas largimit drejt SHBA-së, duke sjellë eksperiencën time të fituar atje në ‘ballroom’ dhe ‘latine’, zhaneret kryesore të këtij kompeticioni. Së dyti, partnerja Megi Pojani ishte një dashuri me shikim të parë (qesh) sepse mbi të gjitha përpara se të ishte balerinë, në kompeticion tregoi që është një vajzë e jashtëzakonshme me shpirt të bardhë dhe energji vullkanike. Kjo gjë bëri që përveçse të punonim për të arritur atë që dëshironim, por shijuam edhe eksperiencën së bashku duke mbetur miq të mirë përgjithmonë. Së treti, në këtë projekt pata fatin të isha së bashkë me motrën time Lori Bala, ku në natën finale ne kërcyem vallëzimin e triumfit. Momenti kur Lorit ju bë ‘live’ propozimi për të qenë pjesë e jurisë së këtij spektakli në edicionin e ardhshëm, për mua ishte një nga momentet më të bukura në “Dancing With The Stars”. Besoj se me këto tri arsye unë e kam ngritur kupën time. Por gjithashtu dua të theksoj që personalisht jam i zhgënjyer me disa anëtarë të jurisë sepse treguan një mungesë profesionalizmi e koherence edhe me veten e tyre, edhe në ato çka jepnin si opinione. Ata duke parë mbështetjen maksimale të Megit nga ana e publikut zgjodhën të bënin padrejtësi e vazhdimisht na penalizuan me pikët  dhe kjo ishte komplet e qëllimshme, që unë dhe Megi mos ta ngrinim kupën. I kam hequr nga Instagrami direkt pas shfaqjes.

Përveç partneres Megit, cili nga konkurrentët mendon se ishte më i talentuari në kërcim, në gjykimin tënd si profesionist?

Siç është dalluar që nga fillimi i DWTS, Arditi dhe Elhaida ishin konkurrentët që kishin më shumë talent për kërcim. Arditi dhe Elhaida bënë diferencën në kërcim që në puntatën e parë dhe i përgëzoj. Ama, Megi tregoi që ishte e paparashikueshme sepse performancat, guximi i saj dhe mbështetja nga publiku bënë që vula e këtij edicioni në të gjitha komponentët e show-ut të jetë vetëm një emër, Megi Pojani.

Sakaq tashmë i je rikthyer realitetit tënd në USA. Si ka qenë rrugëtimi yt që prej momentit që je larguar nga Shqipëria?

Momentalisht jam akoma me pushime dhe mendoj t’i vazhdoj edhe për pak kohë, mbas një pune shumë intensive në Dancing. I kam shumë të nevojshme disa ditë ‘off’ për t’ja nisur aty ku e kisha lënë Nju-Jork. Këtë herë rikthehem me më shumë energji dhe mendje pozitive. Planet e radhës? Janë shumë! Punë, prova, trajnime, workshops dhe kompeticione në ‘ballroom’.

Çfarë kujton (jo me nostalgji) në fillimet e tua në Nju-Jork?

Nju-Jork-un e kam dashuruar që me shikim të parë dhe ndihem me fat që tani Nju-Jork është shtëpia ime ku shikoj të ardhmen. Ama të qëndruarit vetëm, larg familjes dhe njerëzve të zemrës, është dhe do të mbetet gjithmonë një nga pjesët më të vështira që jetesa në Nju-Jork do më sjellë. Më mungojnë familjarët: babi, motrat, nipërit, mbesat dhe miqtë e mi.

Ndërsa sheh rrugën qe ke shtruar në karrierë, për çfarë je më shumë krenar?

Krenar jam për faktin që kurrë nuk jam dorëzuar, por kam punuar gjithmonë edhe në ato momente të vështira që jeta na përball, edhe në momentet kur jeta na vë në sprovë me humbjen e njerëzve të dashur e ta pazëvendësueshëm, apo edhe kur disa njerëz nuk kanë patur besim tek unë, përsëri unë kam luftuar me veten dhe nuk kam hequr dorë asnjëherë nga puna për të çuar përpara ëndrrën time. Ndjej se po shpërblej gjithë sakrificën e prindërve të mi deri në këtë pikë ku jam. Të bëj babain tim të ndihet krenar është suksesi më i madh që unë kam arritur.

Duke patur parasysh historinë tënde të ndryshimit dhe tejkalimit të sfidave, çfarë këshille ke për kërcimtarët e tjerë që duan të bëjnë një ndryshim brenda apo jashtë Shqipërisë?

Shqipëria është dashuria ime e parë dhe më e madhja, aty ku unë kam hedhur bazën e disiplinës në kërcim dhe ku jam ushtruar në shkollë deri në përfundimin e studimeve të larta, por diferencën nuk e ka bërë vetëm kjo. Në kërcim apo në çdo profesion tjetër që t’i të arrish suksesin duhet të ecësh me qëllime apo ‘goals’. Vetëm me punë, me konsistencë dhe me shumë lodhje arrihet çdo gjë. Puna individuale është ajo që të jep më shumë sukses. Duhen trajnime dhe ‘workshop’ sa më shumë jashtë Shqipërisë, të cilat janë investim për çdo balerin që do të arrijë suksesin. Këshilla ime është të mos bëhen skllavë të vetëm një koreografi apo një grupi të caktuar, por të eksplorojnë veten në shumë dimensione, në shumë zhanera të ndryshëm. Nëse ju jepet mundësia të punojnë jashtë kufijve të Shqipërisë s’duhet ta mendojnë dy herë, por të marrin guximin dhe të provojnë çdo mundësi të re që ju jepet.

Cilën do të konsideroje përvojën më emocionuese gjatë karrierës tënde dhe atë më ambicioze?

Sigurisht që “Dancing With The Stars” është një nga shfaqjet më emocionuese, por gjithashtu është sërish një garë midis VIP-ave dhe jo çdo gjë është në dorë të balerinit profesionist. Në vitin 2020 kur u shpalla fitues bashkë me partneren time Adela Lami në Nju-Jork, në një garë kërcimi, ka qenë një ndër arritjet më të bukura në karrierën time. Më ambicioze janë kompeticionet që bëj në SHBA; të jesh kampion midis balerinëve profesionistë ku marrin pjesë balerinët më të mirë nga e gjithë bota. Kjo është vërtet sfiduese për mua, duke marrë parasysh sa shumë mungesa ka Shqipëria në zhaneret latine dhe ballroom. Kjo tregon që puna dhe përkushtimi ynë, pra i balerinëve shqiptarë, është dyfish më i madh për të qenë edhe fitues në nivelet botërore. Ndërsa momenti më emocionues që do të mbetet gjatë në kujtesën time është kërcimi me motrën time në këtë edicion të Dancing. Të ndaj skenën me Lorin është vërtet një ndjesi e pakrahasueshme. Ndjej krenari për veten, Lorin dhe familjen time që me shumë përpjekje dhe sakrifica kanë rritur dy fëmijë të talentuar duke i çuar drejt suksesit, si dy fëmijë të realizuar në ëndrrat që kemi patur që në vogëli.

A ka diçka që do të të rikthente përfundimisht në Shqipëri?

Arsyeja e një rikthimi përfundimtar në Shqipëri mund të jetë vetëm familja edhe asgjë tjetër, ama për projekte të shkurtra jam gjithmonë i hapur të jem pjesë duke mbajtur ekuilibrin midis Tiranës dhe Nju-Jork-ut.

Në botën tënde perfekte si do të ishte karriera jote 10 vite më vonë?

Do të dëshiroja të kisha disa kupa fitoreje në shtëpinë time, si ato në ‘ballroom’, dhe jo vetëm si kupa por të përkthyera në vite pune dhe suksesi, progres profesional, gjithashtu të ndërtoj shkollën time për ‘ballroom-latine’, për studentët amatorë që kanë qejf kërcimin, por edhe për balerinë profesionistë e sidomos balerinë shqiptarë, ku t’ju ofroja bursa që të zhvillohej më shumë ky zhaner në Shqipëri. Do të dëshiroja t’i hapja disa dyer edhe në Amerikë për të punuar dhe trajnuar sepse kemi vërtetë balerinë të talentuar. Ah, një ëndërr që fle prej kohësh tek unë është edhe aktrimi, ndaj në botën time perfekte pas disa vitesh do të jetë pjesë edhe karriera ime si aktor (qesh).

 

 

 

 

 

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF