KreuStil Jetese

Maribor, qyteti me çati të kuqe

Maribor, qyteti me çati të kuqe


 
Vizitoni qytetin e dytë më të madh në Slloveni i frymëzuar nga arkitektura austriake, kulturën e lashtë të verërave dhe kulinarisë, një eksperiencë që do t’ju mahnisë.
Ndërtesat me çati të kuqe duken sikur janë kapur dorë për dore, duke reflektuar fasadat e tyre nëngjyrën e gjelbër të lumit Drava, i cili kalon mes për mes qytezës në dukje me një pamje provinciale, porqë gumëzhin nga kafenetë dhe jeta studentore.

Maribor, qyteti i dytë më i madh i Sllovenisë, ka një pamje befasuese, e rrethuar me male të thyera, pyje të gjelbërta e të harlisur, shtëpiza të vogla dhe liqene piktoreske, kështjella dhe kisha që të japin ndjesinë e një vendi si të dalë nga bota e përrallave. Qyteza është e famshme sidomos për prodhimin e verës, ndaj mos u habisni teksa shihni sesi në çdo shtëpi zgjaten hardhi me trungje të trashë deri në 400-vjeçare. Njerëzit janë miqësorë, të përqendruarte ushqimi, sidomos te ëmbëlsirat, shija e pafundme e verërave si një formë mikpritëse për të ndarë historinë e tyre…


Niseni udhëtimin tuaj nëpër Maribor nga Grajski Trg, i cili është një nga sheshet kryesore të qytetit, por edhe më i madhi, ku do të gjeni disa nga atraksionet më të rëndësishme të Mariborit. Më e njohura që gjendet aty afër është kështjella e Mariborit, e cila daton në shekullin e 15-të, e ndërtuar në stilin barok, ndërsa aty pranë gjendet statuja e Shën Florianit, e ngritur në shekullin e 18-të për të mbrojtur qytetin nga zjarri.


Hardhia e Vjetër është atraksioni më i famshëm i Mariborit dhe ende prodhon midis 35 deri 55 kilogramë rrush dhe rreth 25 litra verë të kuqe në vit, pavarësisht se është mbjellë më shumë se katër shekuj më parë. Për të kujdeset një vreshtar dhe vera e kuqe u shpërndahet personaliteteve që vizitojnë qytetin, pasi quhet ndryshe si ‘çelësi’ i Mariborit në formën e shisheve 0,25 litër. Aty pranë gjendet taverna “Old Vine House”, ku mund të shijoni verën sllovene me një koleksion të rrallë verërash, ndërsa në dyshemenë e saj mund të shijoni një mozaik që tregon historinë e Mariborit.


Rreth 300 metra në lindje të urës kryesore të qytetit gjendet Kulla e Ujit, me një formë pesëkëndore, ajo i takon shekullit të 16-të dhe ka një arkitekturë tërheqëse, e kombinuar me disa shkallë, që të çojnë drejt lagjes hebre. Duke ndjekur rrugën, aty afër gjendet sinagoga, e cila është një objekt fetar gati 5-shekullor e dekoruar me gurë kyçe gotike dhe fragmente varresh, ndërsa brenda gjendet edhe një nga ekspozitat speciale me video 15-minutëshe.


Katedralja e Mariborit gjendet në sheshin Anton Martin Slomšek, që mban emrin e peshkopit dhe politikanit slloven të lumturuar në vitin 1999. Ky objekt kulti ka një strukturë arkitektonike mbresëlënëse, e cila daton nga shekulli i 13-të, ku spikasin elemente të stilit roman dhe modern. Me interes të veçantë janë shenjtërorja e mrekullueshme gotike.


Një vend për t’u vizituar është parku i qytetit, një arboretum i mrekullueshëm me 150 lloje pemësh dhe tre liqene. Këtu do të gjeni edhe një akuarium dhe terrarium të vogël, me një koleksion të larmishëm gjallesash të ujit të ëmbël dhe të kripur, zvarranikëve dhe kafshë të tjera ekzotike. Në verilindje ndodhet Piramida 386 metra e lartë, më tutje kështjella.

Brenda në kështjellë gjendet muzeu i qytetit, i famshëm për luksin dhe kjo duket qartazi nga fasada e deri në brendësi tek afresket mahnitëse të tavanit, ku çdo pavion përshkruan historinë kulturore, arkeologjinë dhe etnologjinë e rajonit.


Zona e vjetër e qytetit ka një fasadë të trashëguar nga kultura hasburgase, ndaj mund ta shijoni atë duke udhëtuar nëpër rrugicat e vogla të mbushura me kafene të shumta, që reflektojnë një kulturë të shkëlqyer shërbimi, nga mëngjesi deri në orët e vona të natës.

Shumica e kafeneve gjenden në rrugën Slovenska, Postna si dhe përgjatë bregut të lumit, por një prej vendeve më të preferuara është kafene “Rooster”. Një ndër kënaqësitë e rralla që ofron qyteti është vera. Do të habiteni që Sllovenia ka disa nga verërat më të mira në rajon, madje në lagjen Lent do të gjeni hardhinë më të vjetër në botë. Ajo është rritur atje për më shumë se 400 vjet dhe është pjesë e Librit të Rekordeve Guinness si hardhia më
e vjetër në botë.
 
Çfarë të hash?
Ushqimet tradicionale sllovene janë unike. Pjatat tradicionale lokale kanë bazë mishin, por një kënaqësi me vete janë edhe ëmbëlsirat. Prekmurska gibanica është një tortë e famshme, e cila përbëhet nga 19 shtresa, të gjitha të mbuluara me krem, vezë dhe gjalpë, dhe katër mbushje të ndryshme: gjizë, fara lulëkuqe, arra dhe mollë. Potica, ose rrotulla sllovene e arrave, është një ëmbëlsirë e cila daton nga viti 1575, me mbushje arrash dhe erëzash, tipike dedikuar për festën e Pashkës dhe Krishtlindjes.


Një prej këtyre pjatave mund ta provoni në restorant “Fudo”, i vendosur në një ndërtesë të bukur me pamje nga sheshi dhe shatërvani, menuja është moderne dhe përmban pjata lokale dhe shoqërohet me një listë të gjerë verërash. E meqë jemi te verërat, vizitoni rrugën e verës, e cila fillon në qendër të Mariborit deri në zonën e Kreshmës. Mbi 90 për qind e verërave që prodhohen në këtë zonë janë të bardha dhe të freskëta. Qyteti ka mijëra kantina verërash, prej nga mund të zgjidhni jo vetëm t’i shijoni, por edhe të merrni si një souvenir me vete gjatë këtij udhëtimi.

Tags:

Home bordo

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF