KreuCelebrity

Ekskluzive/ Blero sjell talent-show-n e bujshëm!

Ekskluzive/ Blero sjell talent-show-n e bujshëm!

Baladat e tij janë kthyer në himn dashurie, herë duke reflektuar romancat e tij, që si askush tjetër kanë qenë pjesë e jetës publike, jo thjesht me copëza rrëfimesh, por një panoramë të plotë, duke bërë që shpesh të jetë në faqet e para. Sivjet, kur feston thuajse 20 vite karrierë, Blero Muharremi, këngëtari i njohur nga Kosova vjen në këtë intervistë për “Bordo” duke treguar për projektet e reja muzikore që pritet të publikohen së afërmi, por edhe me një tjetër në televizion. Projekti, një ‘talent show’ i cili ka si qëllim promovimin e talenteve të reja, pritet të jetë një moment që konfirmon si gjithmonë mbështetjen që Blero nuk e ka kursyer për afirmimin e këngëtarëve të rinj. Por, ndryshe nga herët e tjera, kur ka rrëfyer pa doreza për jetën e tij private, këtë herë Blero preferon të respektojë vullnetin e vajzës me të cilën po ndan aktualisht momente lumturie, pa dhënë detaje. Ndërkohë, që në krye të këtyre 20 viteve karrierë, i pyetur nëse do të ndryshonte diçka nga e shkuara, mendon se Bleros 20-vjeçar do të kishte shumë për t’i thënë, por për një gjë është i sigurt, vajza e tij Tara është padyshim momenti më i bukur…!

Unë kam në mend Bleron gjithmonë në festivale, koncerte, klipe, pse nuk je i kudogjendur si dikur?

Sepse jam i vetëmbushur, në çdo aspekt, sigurisht që jam aktiv, por jo më dinamik siç kam qenë më parë. Tani krahas muzikës kam edhe biznese, kështu që mundohem ta menaxhoj kohën më mirë. Por të jem i sinqertë, Shqipëria më mungon shumë dhe e di që duhet te rikthehem atje, të jem më aktiv, sepse unë nuk e harroj sa rëndësi ka patur publiku shqiptar nga Shqipëria në fillim të karrierës sime, dhe sa më ka përkrahur. Më përkrahin edhe sot jashtë mase, gjë që jam shumë falënderues.

Di që keni gati dy projekte të reja muzikore, a mund të zbuloni më shumë?

Po kam gati dy projekte, njëra është baladë, kurse tjetra ritmike. Besoj që do t’i lançoj së shpejti, sa po të ulet pak euforia e “Big Brother” (qesh).

Jeni ndër artistët që keni shkëlqyer me baladat, çfarë beson se i bën ato kaq të pëlqyera?

Mund të them se ndoshta ngjyra e vokalit tim, forma e ekzekutimit dhe shpirti që unë jap në to. Kjo mendoj që më bën të veçantë.

Kam mësuar që do të shfaqeni në një projekt televiziv, çfarë ju nxiti në këtë sfidë?

Nuk kam vendosur ende se kur do të nisë ky projekt, por nëse ndodh do të jem vetëm si producent televiziv.

Kur dëgjova për projektin, më befasoi çmimi, mendon që artistët kanë më shumë nevojë për mbështetje financiare apo artistike?

Mendoj se për të dyja: domethënë, artistët kanë nevojë edhe artistike, por edhe financiare. Sidoqoftë kur të vendoset për këtë ‘talent show’, besoj se do të bëjë një bujë të madhe në skenën tonë dhe unë jam shumë i dhënë pas talenteve të reja dhe i mbështes gjithmonë. Besoj që do të nxjerrim diçka super të bukur.

Blero keni nisur një raport të ri, së pari urime, së dyti, nëse nuk thoni diçka për lidhjen, a mund të na tregoni sa i lumtur jeni?

Me rëndësi për mua është që jam super i lumtur dhe partnerja ime njësoj. Ajo nuk do të jetë publike dhe unë ja respektoj dëshirën.

Jeni një artist transparent me publikun me jetën private, a jeni penduar që keni rrëfyer?

Po kam qenë shumë transparent me jetën time, por realisht jam penduar sepse mendoj që shpesh ma kanë keqpërdorur sinqeritetin tim. Jo të gjithë sigurisht, por shumë prej tyre po.

Blero dhe Tara, tani ajo është e rritur, si do ta përkufizonit raportin atë e bijë?

Unë dhe Tara jemi shumë të lidhur me njëri-tjetrin. Tarën e kam dritën e syve të mi, por edhe shoqe.

Tara vajzë e dy prindërve artistë, çfarë ka trashëguar nga ju të dy që ju bën të ndiheni krenarë?

Mendoj që Tara ka trashëguar nga të dy nga pak, edhe pse ajo në asnjë formë nuk do të donte të ndihet në presion për ta zgjedhur profesionin e vet. Vetëm i kam thënë: çkado që të vendosësh të bëhesh në jetë, vetëm bëje me shumë pasion.

20 vjet në skenë, çfarë do t’i thoshe sot Bleros 20-vjeçar?

Wow! Do ta këshilloja krejt ndryshe, që karriera është për t’u shijuar në maksimum, sepse në këtë rrugëtim të gjatë ka shumë thika pas shpine…! Nëse do të kthehesha, a do të kisha ndryshuar ndonjë gjë në karrierën time? Jo, për asnjë sekondë. Kurse në jetën private, mendoj se do të kisha ndryshuar shumë gjëra, përveç Tarës.

Cila do të ishte ajo gjë e cila do të bënte të hiqje dorë nga muzika?

Nuk do të hiqja dorë për asgjë!

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF