KreuStil Jetese

Recetë/ Detoksi i pranverës për pastrimin e toksinave

Recetë/ Detoksi i pranverës për pastrimin e toksinave

Pastroni organizmin me sallata dhe pjata të tjera me bazë prodhimet tipike të stinës, nga luleradhiqet deri te barishtet e sapoçelura, bizelet apo patatet e reja, të gjitha të kombinuara më së miri me erëza dhe fruta

Pranvera është koha më e mirë për të zbatuar një strategji detoksifikimi, efektive për trupin dhe për lëkurën. Pasi toksinat e grumbulluara gjatë dimrit të jenë eliminuar, do të ndiheni menjëherë plot energji, ndryshimi do të duket edhe te pamja juaj, duke rezultuar në lëkurë më të shëndetshme dhe më të ndritshme. Po ju sjellim disa receta të shijshme me përbërës të lehtë dhe detoksues për t’ju pastruar dhe për të qëndruar në formë. Disa prej tyre janë me luleradhiqe, e cila është një bimë që lulëzon në pranverë dhe është e pasur me veti të dobishme për trupin tonë. E njohur më së shumti si çikorja e egër, ajo është një bimë me lule të verdha. Vetitë e shumta pastruese dhe antiinflamatore të luleradhiqes janë të famshme, duke e bërë atë një ndihmë natyrale të vlefshme për pastrimin e traktit urinar dhe më shumë… Provoni ta përdorni në kuzhinë për të përgatitur receta të shijshme detoksifikimi që ndërthurin mirëqenien dhe kënaqësinë e të ushqyerit.

Sallatë me nektarinë, rukola dhe luleradhiqe

Përbërësit: 1 tufë gjethe luleradhiqe, 1 tufë rukola, 3 nektarina, 0,5 limon, 2 lugë gjelle fëstëk me lëvozhgë, vaj ulliri, pak sheqer, kripë dhe piper

Përgatitja: Lajini mirë të gjitha barishtet, kullojini dhe thajini. Pritini nektarinat në copa të holla. Në një tigan që nuk ngjit, skuqni lehtë fëstëkët duke shtuar një majë sheqer dhe pak kripë. Hiqini nga zjarri dhe i lërini të ftohen.

Në një tas të vogël emulsoni lëngun e limonit me kripë, piper dhe 4 lugë vaj ulliri ekstra të virgjër. Vendosni sallatën në enën e servirjes dhe sipër hidhni fëstëkët e karamelizuar. Lyejeni sallatën me kremin e krijuar dhe e shërbejeni menjëherë.

Krem asparagu me radhiqe

Përbërësit: 600 g asparag, 200 g radhiqe, 150 g qiqra të konservuara, 3 qepë, 1,5 litra lëng perimesh, 1 lugë gjelle vaj ulliri ekstra i virgjër, 1 lugë çaji tabasko, sipas shijes kripë

Përgatitja: Pastroni asparagun duke i qëruar kërcejtë me një qëruese patatesh. Më pas lajeni dhe priteni në copa të vogla vetëm pjesën e gjelbër. Pastroni radhiqet dhe lërini të kullojnë.

Pastroni qepët e freskëta, duke hequr bazën dhe më pas i grini imët. Hidhini të thahen në një tigan me 1 lugë vaj ulliri ekstra të virgjër për 5 minuta. Shtoni asparagun dhe radhiqet dhe skuqini për 2 minuta. Shuajeni me lëngun e mishit ose të perimeve. Ziejini për 15 minuta në zjarr mesatar, pastaj shtoni qiqrat pasi t’i keni kulluar dhe shpëlarë më parë. Përziejini bashkë me disa maja asparag dhe vendosini në zjarr edhe për 10 minuta të tjera, duke e përzier butësisht.

Hiqeni nga zjarri, lëreni të ftohet dhe kalojeni në mikser derisa të krijohet një masë kremoze. Ngroheni dhe shtoni sipas dëshirës pak piper dhe kripë për shije.

Tags:

Home bordo

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF