KreuStil Jetese

Fluturimi i radhës i Ilir Shaqirit!

Fluturimi i radhës i Ilir Shaqirit!

Nga Olsi Kolami

Edhe pse kemi vetëm një vit që njihemi, miqësia me Ilirin duket sikur ka 20 vite që ka ekzistuar. Kjo sepse Ilir Shaqiri është nga ata artistë që jo vetëm ka një talent të rrallë, por mbi të gjitha ka një shpirt të bukur, të lirë dhe mbi të gjitha një zemër të madhe, sa kushdo që do ta takonte qoftë edhe një herë, do ta kishte bërë shok që me takimin e parë. Dikur për të patur një intervistë me Ilirin, duhej të prenotoje ndonjë takim të beftë në Tiranë, sot ardhjet janë më të shpeshta, kjo për shkak të projekteve që ka nisur prej më shumë se një viti. Djaloshi i rritur në zemër të Tiranës, në një familje e cila ka qenë busull për qindra talente balerinësh, nuk kishte sesi të mos i trashëgonte dëshirën për artin, e sidomos për skenën e madhe të Teatrit të Operës dhe Baletit, ndërtesë e cila shihet nga dritarja e apartamentit të tij. Mes Tiranës dhe Italisë, balerini i cili vulosi me talentin e tij identitetin shqiptar në skenën dhe televizionet italiane, tani ka vendosur përmes projekteve të tij të mbështesë të rinjtë që e duan baletin, artin dhe ekranin. Programi “Amici” do të vijë së afërmi në Tiranë dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe, Iliri baletmaestri i dhjetëra programeve që mbajnë firmën e Maria De Filippi, ku ai ka qenë pjesë për vite me radhë, do të jetë sjellë eksperiencën e tij në Shqipëri, me bekimin e prezantueses së madhe italiane, në një bashkëpunim me producentet Vera Grabocka dhe Alketa Vejsiu.

Ilir, më duket sikur je kthyer përgjithmonë në Tiranë, apo jeni gjithmonë në lëvizje?

Jo nuk jam kthyer përgjithmonë në Tiranë, thjesht shkoj dhe vij siç kam bërë gjithmonë këto 15 vitet e fundit. Vij sa herë që prezantohet mundësia për të bërë diçka të bukur dhe sigurisht për të takuar prindërit, për të shijuar atë që është qyteti im, ku jam lindur, jam rritur, jam formuar dhe këtë gjë e bëj gjithmonë me kënaqësi. Ajo që dua të theksoj është se në të gjitha këto vajte-ardhje që kam bërë, plot 80 fluturime, që kur kam dalë nga “Big Brother”, janë mundësuar falë “Air Albania”, një superkompani, me super shërbime dhe avionë modernë.

Pas ftesës së kryebashkiakut Veliaj, keni nisur misionin e zbulimit të talenteve të reja?

Projekti i radhës është shumë i bukur dhe shumë i veçantë, në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës dhe ka lidhje pikërisht me zbulimin e talenteve të reja në gjimnazet e Tiranës, të cilat janë në garë me njëra-tjetrën për të fituar titullin “Shkolla e Talenteve”. Ky projekt i Bashkisë së Tiranës ka si qëllim zbulimin e talenteve në të gjitha fushat si: kërcim, këngë, aktrim, instrumente, stilim dhe art pamor. Veçantia e këtij projekti është se janë të rinj e të reja që nuk kanë studiuar ose studiojnë në një mënyrë sipërfaqësore atë që është ëndrra e tyre dhe tani po u jepet mundësia të garojnë me njëri-tjetrin. Në fund fare, më 27 maj në një super spektakël te sheshi “Skënderbej”, ata do të përballen me njëri-tjetrin për të fituar çmime të ndryshme, bursa studimi dhe mbi të gjitha t’i prezantohen mbarë publikut, që do të jetë prezentë në shesh. Është një projekt që vetë kryebashkiaku, Erion Veliaj, i ka dhënë prioritet, për t’u realizuar, për t’u prezantuar dhe për të patur sukses. Ka një organizim perfekt dhe tani jemi në fazën e gjysmëfinales, që do të jetë te Amfiteatri i Liqenit në datë 4 maj, ku nga kjo gjysmëfinale do të dalin pikërisht finalistët për datën 27.

Në këto kontakte me të rinjtë, çfarë keni konstatuar, a kemi një brez talentesh?

Falë këtij projekti kam konstatuar se çiltërsia dhe kuraja që ne kemi për t’i prezantuar dikujt ëndrrat tona, është ndryshimi mes të rinjve shqiptarë në krahasim me të rinjtë në Itali. Ne jemi një popull që kemi lindur duke kënduar e duke kërcyer, kështu që e kemi në gjak sensin e protagonizmit dhe kjo ka bërë që ndër vite të shkëlqejmë edhe në skena ndërkombëtare. Jam i bindur që nga kjo skenë, që do të jetë finalja e “Tirana Art Festival” më 27 maj, do të dalë dikush që pasi të ketë shkëlqyer në arenën ndërkombëtare, do të thotë se rrugëtimin e tij e ka nisur në këtë kompeticion…

Si do ta përkufizoje dëshirën e të rinjve në Shqipëri për baletin, për artin?

Dëshira e talenteve shqiptarë është shumë e veçantë, pasi është e përkufizuar te guximi, kuraja, dedikimi dhe këtë gjë e kam parë në të gjitha fazat e audicioneve. Një vlerë tjetër që kanë talentet tona është fakti që një vërejtje apo kritikë që i bëhet, ata e përthithin menjëherë dhe reflektojnë. E dëgjojmë shpesh termin ‘gjenerata e llastimit’, por mua nuk më ka rezultuar kështu këto ditë që kam punuar me këta të rinj. Ata e dinë mirë se kush ka dëshirë dhe ambicie për t’u bërë një ditë dikushi, duhet të dëgjojë dhe të përvetësojë çdo lloj kritike që i bëhet nga profesionistët.

Pas “Dance Albania”, cilat janë planet për të qenë pjesë e ekranit?

Kam disa projekte që janë në proces zhvillimi dhe vlerësimi nga ana ime, dhe ajo që për mua ka rëndësi është prezantimi i denjë i Ilirit në një program televiziv. “Amici” është një ide, një dëshirë për ta sjellë në Shqipëri që kur isha në shtëpinë e “Big Brother VIP”. Dëshiroj dhe uroj me gjithë zemër që ky program të realizohet me sukses dhe nëpërmjet këtij ‘reality’ të jashtëzakonshëm, t’u jepet mundësia talenteve në Shqipëri që të zhvillohen si artistë. Shpresoj shumë që “Amici Albania” të realizohet sa më shpejt.

Nga një balerin klasik, ju në “Amici” sfiduat veten, si e kujtoni, a ishte e vështirë?

Në “Amici” sfidova veten si Iliri profesionist. Vëllai im Olti ka qenë një ndër konkurrentët më të suksesshëm të atij programi që mbërriti deri në finale. Vështirësia ime ishte shumë e madhe sepse duhej të jepja më të mirën e vetvetes, duke kërcyer me njerëz që nuk ishin profesionistë, ose për ta thënë më saktë ishin amatorë drejt rrugës për t’u bërë profesionistë. Në këto 23 vite, “Amici” ka ndryshuar shumë. Në 10-vjeçarin e parë ky program ishte si një shkollë talentesh, ndërsa në 10-vjeçarin e dytë u kthye më shumë në një spektakël mirëfilli, një show televiziv, ku nxënësit nuk ishin më amatorë, por profesionistë që prodhonin spektakël. Nga një program i tillë, edhe profesionisti ka shumë çfarë të mësojë, siç edhe unë pata nderin të merrja pjesë në disa edicione me radhë.

Si po ecën imazhi juaj si fytyra e “Digitalb”?

Të qenit imazh i “Digitalb” për një vit, për mua ka qenë një ndër eksperiencat më të bukura dhe më të suksesshme përsa i përket karrierës sime. Ishte një eksperiencë, ku falë gjithë angazhimit që “Digitalb” mori pas daljes nga shtëpia e Big-ut u realizuan tre spote të mrekullueshme si filma. Një në Tiranë me shumë të rinj e të reja, një tjetër në Romë dhe i treti në familje, në shtëpinë time, si për të legjitimuar sloganin e famshëm ‘Digitalb, pjesë e familjes’.

Akademia juaj në Itali vazhdon, si arrin të menaxhosh kohën?

Shkollat e baletit në Romë nuk është e thjeshtë për momentin t’i menaxhoj, siç kam bërë vetë duke qenë prezent, por sigurisht kam mbështetjen e asistenteve, mësueseve të tjerë, dy prej të cilave Kimberly dhe Klarisa, njëra shqiptare dhe tjetra rumune, janë ish-nxënëset e mia dhe ky është sadisfaksioni më i madh që një maestër baleti mund të ketë. Jam i qetë sepse nxënësit ecin përpara, edhe pse do të doja shumë që të isha edhe vetë fizikisht më shumë, por për momentin e kam të pamundur.

A e keni menduar që një ditë Akademia juaj të hapet dhe në Tiranë?

Një Akademi në Tiranë për mua do të ishte finalizimi i një ëndrre të madhe që kam. E kam bërë gjithmonë me shumë dëshirë mësuesin e baletit dhe do ta bëja me shumë dëshirë edhe në vendin tim. Shoh këtu që ka një uri për të qenë dikushi në jetë, dhe fëmijët shqiptarë vërtet që e meritojnë. Kam kërkuar struktura, kam kërkuar sponsor dhe gjithçka i mbetet kohës. Sigurisht që është një objektiv i radhës.

Vajza juaj Emily është rritur në skenë, për çfarë jeni më shumë krenar?

Nuk ka gjë më të bukur të kesh një fëmijë si Emily. Më jep një lloj krenarie që nuk i ngjan aspak krenarisë që unë kam për veten time, arritjet e mia profesionale. Është një sadisfaksion i shumëfishuar sepse Emily është shumë e realizuar në jetën e saj për moshën që ka. Duke qenë se që e vogël ka nisur prezantimet e saj në filma, kinema, filma për fëmijë, modë…Sapo ka përfunduar një projekt që quhet “Të munguarit”, me partner protagonist që ishte babai i Emilyt në film Ermal Mamaqi, me një produksion italo-shqiptar shumë i arrirë dhe profesionist. Mezi po pres që pas disa turneve në Europë që ky film do të bëjë në disa festivale, të shfaqet në kinema dhe publiku ta shijojë. Roli i Emily nuk ka qenë aspak i lehtë, por ndihem shumë krenar që produksioni e ka vlerësuar prezantimin e vajzës sime si tejet dinjitoz. Projekti aktual i Emily është një serial i quajtur “Ditarët”, që është një ndër serialet më të ndjekur në Netflix Italia. Megjithatë me gjithë vitet që ikin, me gjithë arritjet në karrierë të Emily, ajo mbetet përgjithmonë vajza ime dhe unë e shtrëngoj në gjoks si të jetë e porsalindur.

Çfarë ju mungon më shumë nga Tirana e dikurshme?

Nga Tirana ime më mungojnë të gjithë shokët e mi që janë shpërndarë nëpër planet, duke korrur sukses në fushat e tyre. Imazhet që më vijnë para syve, janë lojërat, hobit që kishim dhe sajonin në atë periudhë, ku nuk ekzistonte asgjë përveç fantazisë sonë. Më mungojnë ato momentet kur shkoja në Opera, kur shkoja në Shkollën e Baletit, edhe them se tani Tirana është edhe më e bukur se përpara. Kujtoj kohën e postdiktaturës që ishte një periudhë shumë e errët për Shqipërinë, kur kishe frikë të sillje një mik të huaj sepse pamjet ishin të rëndomta. Tani është shumë ndryshe dhe kthimi në Tiranë është gjithmonë kënaqësi.

Do t’ju ndjekë gjithmonë etiketa fituesi i “Big Brother VIP”, çfarë mendon se kishte ndryshe BBVIP1?

Diferenca mes BBVIP1 dhe BBVIP2 mendoj se ishin thjesht personazhet. Tek edicioni i parë kishte më shumë artistë, kishte më shumë njerëzillëk, më shumë sens të të qenit në një program të ndjekur nga miliona njerëz, sepse sfidat merreshin më me shumë seriozitet, me 100 për qind seriozitet, se kush do t’i mbante dhe do t’i realizonte ato. Mënyra e të komunikuarit ka qenë shumë më e moderuar dhe më shumë korrekte, për të gjithë shtresat dhe për të gjitha moshat, kjo mendoj është diferenca. Nëse me pyet nëse është pëlqyer më shumë i pari apo i dyti, këtë ja lë njerëzve ta vendosin, sepse çdo gjë varet nga shijet e ndjekësve, sepse në fund të fundit çdo gjë bëhet për publikun. Tek edicioni i parë, dy personat që shkuan në finale ishin kokë më kokë me njëri-tjetrin dhe që publiku deri në momentin e fundit, nuk e dinte se kush do të ishte fituesi, ashtu si edhe ne nuk e dinim. Sepse ashtu ishte krijuar loja dhe e gjithë dinamika e edicionit të parë, krahasuar me edicionin e dytë, ku kemi një konkurrent dhe të gjithë të tjerët që i shkojnë nga mbrapa vetëm një konkurrenti, nga fillimi deri në fund. Mendoj se gjëja më e bukur e BBVIP1 ishte se askush nuk e dinte se si do të përfundonte, njësoj si dikush që ndjek me kërshëri finalen e një Botërori, pa e ditur se kush do të fitojë.

Di që peshkimi është pasioni juaj më i madh, kur vini në Shqipëri, ku shkoni dhe me kë?

Peshkimi është pasioni i dyti i jetës sime, përveç kërcimit. Është një pasion që ma ka futur në gjak babai im që në moshën 6-vjeçare, duke e ndjekur me lot të nxehtë, sepse ai nuk donte të më merrte me vete. Por në fund arrita jo vetëm ta ndiqja, por edhe ta konkurroja babanë, duke qenë peshkatar si ai. Sa herë vij në Shqipëri dhe kam kohë, shkoj për peshkim dhe kujtoj të gjitha ndjesitë e fëmijërisë dhe adoleshencës sime, janë të gjitha ato pamje të rralla, vende të paprekura që vetëm në Shqipëri i gjen dhe që mua më kthejnë pas në kohë. Zakonisht shkoj për peshkim me miq dhe shokë, shpesh me njerëz të thjeshtë, disa me të cilët kemi folur edhe përmes Instagramit, pa u njohur dhe kemi vendosur të shkojmë për peshk, madje me disa prej tyre jemi bërë miq. Ashtu siç edhe shkoj me njerëz që i njoh prej vitesh si Ermal Mamaqi, apo të tjerë, me të cilët na bashkon pasioni i peshkimit.

A do t’ju shohim në ndonjë projekt në skenën e TOB-it?

Do të kisha dëshirë që një ditë të vendosja një punë time, një ide apo krijimtari në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit, pikërisht sepse në Itali kam krijuar shumë projekte të suksesshme. Nuk jam tip që vetëkënaqem nga puna ime, por ka disa punë të miat të cilat do të kisha rivendosur në skenë, por kjo varet nga propozimet që do të më bëhen nga TOB-i dhe unë jam gjithmonë i hapur për të pritur bashkëpunime të reja, sidomos në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit.

Tags:

Home bordo

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF