KreuCelebrity

Një histori dashurie 40-vjeçare si ajo e Zerina dhe Pali Kuke!

Një histori dashurie 40-vjeçare si ajo e Zerina dhe Pali Kuke!

Kur sheh përmes fotografive historinë e tyre të dashurisë, ngjan sikur je futur në një nga filmat klasikë, ata bardhë e zi, por që gjithmonë kanë një shkëlqim që vjen për shkak të romancës, dashurisë.

Ata janë Zerina dhe Pali Kuke, ajo një ikonë e padiskutueshme e ekranit, ndërsa ai njeriu që i ka dhënë fuqi televizionit përmes syrit të tij. Figura e Zerinës, duket qartazi në imazhet foto dhe video të shkrepura nga bashkëshorti i saj, që ajo ka qenë muza, frymëzimi më i madh në jetë. Në këtë rrëfim përmes imazhesh, do të zbulojmë momente nga lidhja e tyre e dashurisë, e finalizuar sot me një familje të bukur, si gjyshër me nip e mbesë. Gjithçka nisi plot pasion, e vazhdon të jetë e tillë ende pas 4 dekadash. Ajo vajza e bukur e ekranit, gjimnaziste që televizioni e katapultoi në figurën kyresore të tij, ndërsa ai regjisori i njohur i kinematografisë shqiptare.

Në një nga takimet që kam patur 20 vite më parë me ambasadorin e Rumanisë në Shqipëri, George Miku ai më konfidoi se Zerina Kuka, shoqja e tij e fakultetit ishte një nga vajzat më të bukura të asaj kohe në Tiranë. Me flokë të gjata hedhur pas supeve, një elegancë të rafinuar dhe delikatesë të papërsëritshme, Zerina ishte po aq moderne dhe e thjeshtë, një figurë që ishte kthyer në ikonën e shumë shqiptarëve. “Në kohën tonë jepej një film në kinema ku personazhi kryesor ishte një princeshë japoneze me emrin Oichi, ngaqë mua nuk më linin të dilja në ekran me flokë të gjata, isha e detyruar që t’i mblidhja flokët, por nëpër Tiranë gjithmonë më thërrisnin Oichi Oichi”, kujton Zerina.

Ajo i rrëmbeu menjëherë zemrën Palit, i cili me syrin e tij për të piketuar të bukurën, nuk kishte sesi t’i shpëtonte nga vëmendja pamja e Zerinës. Por, çfarë sakrificash ka bërë Pali Kuke për të tërhequr vëmendjen e kësaj vajze të bukur që e njohu në studion e Televizionit Shqiptar. “Dua të kujtoj diçka shumë romantike edhe të bukur që nuk e harroj asnjëherë. Isha në vitin e parë në fakultet dhe në atë kohë shkonim në aksione, ku rrinim dy muaj për të ndërtuar hekurudha ose brezare.

Ne flinim në kapanone dhe unë sapo isha njohur me Palin. Nuk e di sesi ndodhi po u sëmura dhe një nga ato ditë rastisi që erdhi një gazetar nga televizioni për një kronikë, dhe i shkrova Palit një letër ku i tregova që jam pa qejf. Dy net më pas, në orën dy e gjysmë të natës më njoftuan që kishte ardhur dikush të më takonte. Ne ishim vendosur në Shën Vasil, por Pali ishte nisur nga Saranda pa perënduar dielli duke ecur në këmbë, me një shkop në dorë, derisa mbërriti aty në orën dy e gjysmë të natës. Kjo ishte sakrificë shumë e madhe”, kujton Zerina.

Por edhe pse të dy kanë një lidhje kaq të gjatë, origjina e tyre, Zerina shkodrane dhe Pali kolonjar, janë shpesh etiketime të ëmbla, që ata ja rikujtojnë njëri-tjetrit. “Unë kam lindur në Tiranë dhe them që lidhja me një person nuk ka të bëjë fare me vendin nga vjen, është çështje kimie, pasioni dhe parimesh se si ti zgjedh tjetrin. Ndodh që vetëm kur grindemi pak, i them: o kolonjar, ndërsa ai më thotë: o shkodrane!”.

Sigurisht që Zerina nuk e fsheh që gëzimi më i madh, pas njohjes së tyre ishte ardhja në jetë e fëmijëve. “Kur u bëmë prindër për herë të parë, unë them që Pali u gëzua më shumë, sigurisht u gëzova dhe unë shumë, por Pali donte djem, ndërsa unë doja një vajzë”. Ikona e ekranit, kujton se në të dyja rastet kur kanë ardhur në jetë djemtë e saj, Pali ka qenë në xhirimin e filmave, në të parin me filmin “Udha e Shkronjave”, ndërsa me djalin e dytë në filmin “Plumbat e Perandorit”. “Radhën e parë kur linda ishte shumë i lodhur, i erdhi si alivan kur pa atë bebin e vogël në dritare, u emocionua, si çdo prind”.

E sigurisht në këtë film të gjatë të jetës së Zerinës dhe Palit, nuk ka sesi ajo të mos kujtojë një nga dhuratat më të dashura që i ka bërë i dashuri i zemrës. “I dashuri i parë i zemrës ka qenë babai im dhe ai e dinte që unë doja biçikletë, dhe ma bleu, një biçikletë të kuqe me rrota të bardha me të cilën unë fluturoja në bulevard. Por, kur në jetën time, i dashuri kryesor u bë Pali, ai e dinte që unë doja një makinë të kuqe dhe ma bleu makinën”, kujton prezantuesja e njohur.

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF