KreuStil Jetese

14 të vdekur nga përmbytjet, dëshpërim në Itali: “Një tërmet i ri për ne”!

14 të vdekur nga përmbytjet, dëshpërim në Itali:

Të paktën 14 persona kanë vdekur nga përmbytjet në rajonin verior italian Emilia-Romana, duke shkaktuar dëme në vlerë prej miliarda eurosh. Guvernatori rajonal tha se sektori i bujqësisë është goditur më së shumti. Shirat e rrëmbyeshëm këtë javë kanë gjunjëzuar pjesën lindore të këtij rajoni, të njohur si Romana, duke shkaktuar mbi 300 rrëshqitje të dheut, duke nxjerrë nga shtrati 23 lumenj dhe duke shkatërruar 400 rrugë. Si pasojë e reshjeve, 23 komuna janë përmbytur.

“Ne po përballemi me një tërmet të ri”, tha presidenti i rajonit Emilia-Romana, Stefano Bonaccini, duke kujtuar tërmetin e vitit 2012 që kishte shkatërruar mijëra shtëpi në këtë rajon. Ai shtoi se pas tërmetit, gjithçka në këtë rajon u rindërtua dhe “përvoja na ka mësuar se kjo mund të bëhet dhe jam i sigurt se sërish do të rindërtojmë gjithçka”.

Numri i viktimave u rrit të enjten, duke shkuar në 14, pasi u zbuluan trupat e pajetë të katër personave. Sipas autoriteteve lokale, në qytetin Rusi, dy persona të moshës 73 dhe 71 vjeç, u gjetën së bashku në shtëpinë e tyre. Sipas shoqatës së bujqësisë, mbi 5.000 ferma janë nën ujë në këtë rajon, përfshirë edhe fusha të mbjella me grurë dhe drithëra të tjera. 

“Ne sapo kemi vlerësuar se janë shkaktuar dëme prej pothuajse 1 miliard eurosh, prandaj imagjinoni se sa kjo shifër do të rritet”, tha Bonaccini. Përmbytjet janë në mesin e disa ngjarjeve të motit ekstrem që kanë goditur Italinë gjatë këtij viti. Qeveria ka premtuar se do të japë edhe 20 milionë euro shtesë për ndihmë emergjente, përveç 10 milionë eurove që kishte ndarë për përgjigje ndaj përmbytjeve të para dy muajve, që vranë të paktën dy persona.

Të paktën 10.000 persona janë detyruar të evakuohen nga shtëpitë e tyre, dhe banorët që janë ende në zonat e prekura nga vërshimet kanë mbetur pa energji elektrike.

Tags:

Home bordo

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF