KreuArt

6 tituj librash që ja vlen t’i keni nën çadër!

6 tituj librash që ja vlen t’i keni nën çadër!

Udhërrëfyesi për të lënduarit

Autori: Kemal Sayar / Çmimi: 800 lekë

Një udhëzues brilant për t’ua ndezur dritën e zemrës atyre që jeta ua ka thyer zemrat. Kemal Sayar, një nga emrat më eminentë të psikiatrisë në Turqi, autor i vlerësuar në sferën e zhvillimit personal dhe motivimit, sjell një botim që shërben si terapi për ata që duan ta ndryshojnë pikëpamjen për jetën. Libri ka ese të shkruara me dëshirën për t’u bërë më të mirë bashkërisht. Secili shkrim është një letër që autori ia ka shkruar shpirtit të tij dhe shpirtrave tjerë të lënduar, sepse siç thotë autori: Njerëzit e mirë nuk mbeten vetëm kurrë.

Pusulla dashurie

Autori: Cecelia Ahern / Çmimi: 1200

Ata që e kanë dashuruar romanin “P.S. Të dua”, kanë pritur me ankth vijimin e historisë së Olit që vjen përmes librit “Pusulla dashurie”. Kanë kaluar 7 vjet nga humbja e bashkëshortit dhe ajo ka gjetur së fundi pakëz qetësi. Tani që ka një punë dhe një njeri që është bërë pjesë e jetës së saj, ka vendosur që ta hedhë të shkuarën pas krahëve. Por zbulon që historia e letrave të Xherrit ka frymëzuar lindjen e një shoqërie të çuditshme, të quajtur “P.S.Të dua” dhe Oli kanoset të bjerë në kthetrat e trishtimit.

Leopardi

Autori: Jo Nesbo / Çmimi: 1000 lekë

Oslo. Dy gra u gjetën të vdekura, pa asnjë gjurmë krimi. Një rast i përkryer për Herri Holin, komisarin e specializuar në vrasje seriale, alkoolist, burrë i vrazhdë dhe vetmitar. Por sa keq që ka gjetur strehë në Hong Kong për t’i shpëtuar të shkuarës së vet. Papritur i ati vdes në një spital dhe Holi vendos të kthehet. Ai zbulon një detaj që i trondit nga hetimet: viktimat kanë fjetur në të njëjtën bujtinë. Një vrasës, dhelparak dhe egërshan si një leopard, u është qepur tërë bujtësve të asaj nate, një e për një: Holi është i vetmi që mund ta ndalë.

Gratë e Rotshildëve

Autori: Natalie Livingstone / Çmimi: 2500 lekë

Familja që u ngrit nga getoja e Frankfurtit në një pasuri dhe pushtet të pakrahasueshëm, është mitizuar shumë. Por, gjysma e Rotshildëve, femrat, kanë mbetur praktikisht të panjohura. Natalie Livingstone ndjek jetën e degës angleze të grave Rotshild, që nga fundi i shekullit të tetëmbëdhjetë deri në vitet e hershme të shekullit të 21. Të përjashtuara nga banka e familjes, gratë e Rotshildëve krijuan dinastinë e tyre. Ato luajtën një rol në lëvizjen mjedisore, skandalizuan botën e tenisit për femra dhe garuan me makinë me Mails Dejvisin.

Shigjetari

Autori: Paulo Coelho / Çmimi: 1500 lekë

Historia e Paulo Coelhos është një kujtesë e fuqishme se veprimi dhe shpirti janë të lidhur mes tyre në mënyrë të pandashme, dhe se nuk ia vlen të jetosh me frikën e refuzimit apo të dështimit. Përkundrazi, njeriu duhet të marrë përsipër rreziqe, të kalisë durimin dhe të ketë guxim për të pranuar kthesat e shumta e të papritura që i ofron fati. Me urtësi dhe elegancë, Paulo Coelho ofron kuadrin për një jetë shpërblyese: punë të palodhur, pasion, përsiatje, gatishmëri edhe për të dështuar e nxitje për të bërë ndryshim.

Ordesa

Autori: Manuel Vilas / Çmimi: 1200 lekë

Në librin “Ordesa”, Manuel Vilas rrëfen historinë e dy familjeve, humbja e njerëzve të dashur, mungesa dhe distanca me njerëzit që do, Spanja në të cilën jeton dhe Spanja kur ai u rrit, kujtimet, ndjesia e çrrënjosjes… Me zërin e tij guximtar dhe transgresiv, ky është një rrëfim që na kujton se jemi qenie të pambrojtura, përpara nevojës për t’u ngritur dhe për të vazhduar përpara edhe pse duket e pamundur, edhe kur të gjitha nyjat që na lidhnin me të tjerët janë këputur ose i kemi këputur, një roman ku secili prej nesh mund ta gjejë veten…!

Tags:

Home Art

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF