KreuKuzhine

Blue Bay Residence, Destinacioni i Verës!

Blue Bay Residence, Destinacioni i Verës!

Nga Olsi Kolami

Fotografitë: BORDO

Ditët e fundit të prillit, dielli shkëlqeu papritur teksa u nisëm drejt Vlorës. Sapo kalon Jonufrën, panorama është magjepsëse. Të rrëmben kaltërsia e detit, e përmbi të reflektohet loja e reve.

Ndalim te “Blue Bay Restaurant”, restoranti më i ri në këtë sezon. I vendosur mbi një vend, prej nga mund të shohësh ishullin e Sazanit dhe Karaburunit. Nëse jeni ende duke piketuar pushimet e kësaj vere, apo qoftë edhe një vend ku mund të drekoni me familjen, nuk do të kërkonit asnjë vend më të bukur sesa tarraca e restorantit “Blue Bay”, ku do të takoni një gastronomi të përsosur dhe delikate, e cila gërsheton kuzhinën moderne me elemente dhe përbërës të asaj tradicionale, ku kjo e fundit të shërbehet në një nivel të rafinuar, falë eksperiencës dhe pasionit të chef Arlind Anaj.

Me Arlindin takohemi pas disa vitesh, por këtë herë duket se gjithë eksperiencën e tij e ka kristalizuar në një restorant që shpërfaq gjithë elementet e kulinarisë, duke mbajtur mbi shpatulla përveç eksperiencës edhe ambicien e sipërmarrësit. Arlindi tregon se restorantit i bashkëngjiten edhe rezidencat, që gjenden një kat më poshtë, plot 7 të tilla, të cilat do të presin turistët që do të piketojnë sivjet qytetin e Vlorës si destinacion.

Edhe pse ka vetëm dy muaj që është hapur, prenotimet kanë nisur herët dhe kjo ka ndodhur krejt rastësisht, siç tregon ai: një mikut të tij nga Italia, i kanë mjaftuar disa fotografi që Arlindi i ka dërguar dhe ende pa e provuar kuzhinën e tij, por duke i degustuar nga imazhet, ai ka prenotuar pjesën e hotelerisë. “Aktualisht kemi 7 rezidenca, që janë familjare, por jo vetëm, por kam menduar që të shtoj shërbimin e hotelerisë”, thotë ai. Në hyrje majtas, pa u futur ende në restorant, kanë nisur përgatitjet e pjesës së barit, një lounge i cili do të presë vizitorët mëngjeseve për të shijuar kafen dhe darkave, koktejet me Gin Roby Marton, në ritmet e muzikës dhe pamjes, ku takohet qielli dhe deti.

Një nga këndet më të bukura të restorantit është padyshim edhe enoteca, e cila mban dhjetëra etiketa verërash të prestigjiozëve L&M COMERCIAL, distributorët më të mëdhenj të verërave në vend, prezencën e të cilëve e gjen në restorantet më të suksesshëm në gjithë Shqipërinë.

Pas takimit të ngrohtë dhe një sage fotografish dhe selfie-esh që kushdo do t’i dëshironte, duke parë panoramën magjepsëse, chef Arlindi nis aventurën e tij duke shpërfaqur botën e tij gastronomike, me pjata gourme që së pari t’i ha syri, e pastaj kur nis e shijon, thjesht magjepsesh. Në tryezë na shërbehet një nga etiketat e kompanisë L&M Comercial, më e mira e shijes italiane, Michelangelo da Caravaggio, me antipastat e ftohta me bazë shijen e detit Jon, një tartarë karkalecash me shijen e limonit dhe selinosë! Pasi kemi shijuar pjatat e ftohta, chef Arlindi na befason me një pjatë, e cila për ne ishte mbretëresha e menysë: petulla me gjalpë dybeku dhe sardele.

“Më pëlqen të kombinoj shijet tipike vendase, me ato produkte që jemi rritur, pra recetat tradicionale të zonës, por në nivel gourme. Në këtë pjatë kam vendosur të sjell malin dhe detin”, rrëfen ai për “Bordo”. E në fakt jemi befasuar, teksa shijojmë petullën, ndiej sesi aroma e gjalpit artizanal e sjellë në formën e një salce, të dhuron një shije unike, paksa e ëmbël, e dekoruar me rozmarinë të egër, por e balancuar në mënyrë të përsosur me kripësinë e sardeles.

Por, derisa ka arritur në krijimin e këtyre pjatave, chef Arlindi nuk e ka pasur fort të lehtë, por me natyrën pozitive dhe ambicie, ka ditur sesi të ngjisë hapat e karrierës. Teksa tregon për eksperiencën dhe sesi lindi pasioni për kuzhinën, ai nuk e fsheh se gjithçka ka nisur krejt rastësisht, kur ai ishte vetëm 14 vjeç. “Kam filluar këtu në Vlorë, fillimisht duke ndihmuar në plazh me shezlonët, e pastaj një ditë e gjeta veten duke shërbyer si kamerier, sepse mungonte dikush. Si natyrë kurioze, gjithmonë kur çoja porositë, më pëlqente që t’i tregoja klientëve për pjatat, u shpjegoja atyre përbërësit, e pak nga pak kalova në kuzhinë”, rrëfen Anaj.

Sot, pas 18 vitesh eksperiencë dhe 10 vite si drejtues biznesi, Arlindi si askush tjetër e ka të qartë se e ardhmja e tij lidhet pazgjidhshmërisht me Vlorën, me kuzhinën. Edhe pse tani nuk është më i ri, por prind prej disa vitesh, rrëfen se djalit të tij përpiqet t’i heqë nga dora lodrat e teknologjisë, siç shumica e moshatarëve të tij, duke e futur herë pas herë në kuzhinën, në mbretërinë e tij, e cila pse jo mund të jetë edhe e ardhmja e të birit. Ai e di se kuzhina është një vend i mbushur jo vetëm me aroma dhe shije, por edhe një vend ku gjithsecili mund të zbërthejë pasionet dhe të ardhmen, sepse turizmi është padyshim pika e fortë për çdo vlonjat.

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF