KreuStil Jetese

Nga shkëndija e parë te një brand autentik; Ami ndan sekretet e “Ami’s Beauty”!

Nga shkëndija e parë te një brand autentik; Ami ndan sekretet e

Nga Nada Biraçi

15 vite sukses me sipërmarrjen “Ami Event” ishte një tregues se për Amarda Toskën kishte ardhur momenti për një sfidë të re biznesi. Kësaj here do të ishte një biznes që do ta identifikonte tërësisht Amin, si imazh i qëndrueshëm i bukurisë natyrale që në daljet e saj të para televizive.  “Ami’s Beauty”, linja kozmetike që lindi nga vizioni i themelueses Amarda Toska për të bukurën, u kthye menjëherë në brand autentik.  

“Sigurisht tregu është i mbushur me linja kozmetike, por rezultatet pozitive dhe krijimi i klienteve besnike prej dy vjetësh pas përdorimit të produkteve janë autenticiteti ynë në treg”; tregon Ami për “Bordo”.

Pas një eksperience të gjatë dhe të suksesshme me “Ami Event”, pse zgjodhët të plotësonit portofolin tuaj pikërisht me një linjë kozmetike?

Kisha kohë që po studioja tregun për diçka që doja të krijoja në një biznes të ri. Ishte koha mendoj që e gjithë eksperienca e 15 viteve në biznes me “Ami Event” të shpërblehej me një tjetër sipërmarrje si “Ami’s Beauty”.

Ju kujtohet shkëndija e parë kur menduat se do të ishte bukur të krijonit një brand kozmetik me emrin tuaj?

Po e kujtoj shpesh momentin kur e ndava këtë ide me zë dhe shumë e qartë me personin e parë, kolegen me të cilën punojmë edhe sot bashkë.

Bashkëngjitja e Ami, emrit tuaj në emrin e brandit është një gjetje marketingu apo…?

Në kohën që po jetojmë gjithçka që duket se duhet është një marketing i mirë dhe i shpejtë, mundësisht sidomos për një ‘start up brand’, ndaj po është edhe marketing. Por, përtej kësaj të dyja linjat e “Ami’s Beauty”, linja skincare dhe haircare, janë krijuar dhe formuluar për të promovuar sa më gjatë bukurinë natyrale dhe mendoj se këto dy dukuri më identifikojnë!

Gama e produkteve në “Ami’s Beauty” është tejet e gjerë. Çfarë e bën këtë markë autentike në tregun shqiptar?

Portofoli i produkteve deri tani është ai që krijon një rutinë të plotë të mirëmbajtjes së lëkurës së fytyrës dhe flokëve, por ka qenë strategjia jonë të ecim me hapa në dukje të ngadaltë e të sigurt, duke shtuar çdo 3 muaj produkte të reja. Dhe falë punës kërkimore e identifikimit të duhur të nevojave të target grupit tonë, kemi mundur të depërtojmë drejtpërsëdrejti te klientet. Sigurisht tregu është i mbushur me linja kozmetike, por rezultatet pozitive dhe krijimi i klienteve besnike prej dy vjetësh pas përdorimit të produkteve janë autenticiteti ynë në treg.

Duke qenë se prej kohësh keni qenë dhe jeni një imazh i qëndrueshëm i bukurisë, sa ka ndikuar qasja juaj personale në krijimin e “Ami’s Beauty”?

Unë kam dashur të krijoj atë çka besoj: në bukurinë natyrale me përdorimin e produkteve cilësore. Ndaj kam besuar te kompanitë ndërkombëtare dhe te stafi i specializuar prej dekadash në Milano, nga formulimi i produktit deri te ambalazhimi e design-i i gjithë linjës “Ami’s Beauty”.

Ju kemi parë që ju vetë i bëni shpesh videot tutorial të përdorimit të kremrave; a është kjo një mënyrë për të krijuar më shumë besueshmëri te blerësit?

Kjo është një mënyrë tepër e zakonshme për informim të mënyrës së përdorimit, por edhe për të parë konkretisht teksturat apo efektin në lëkurë e flokë të produktit. Megjithatë unë kam patur gjithmonë një qëllim final në lidhje me marketingun. Gjithë ideja është që një figurë publike e promovon biznesin derisa krijon një lloj stabiliteti në treg dhe strukturën e punës, e më pas, ato duhet të ecin vetë pa u varur nga personi publik, sepse brandi duhet t’i kalojë kufijtë personalë! Ndaj kam vendosur së fundmi të dal paksa në prapavijë përsa i përket marketingut dhe t’i “lëshoj” bizneset të ecin vetë. Kjo për mua është arritja më e madhe në një biznes të vërtetë, përtej zhurmës së marketingut që shpesh herë nuk e kuptojmë sa i besueshëm është!

Ju keni dy linja që përfshijnë kujdesin ndaj lëkurës dhe flokëve. Cila është filozofia e secilës linjë?

Filozofia e brandit është të shtojmë vlerë në bukurinë natyrale të femrës, duke rritur vetëbesimin e tyre në mënyrën sesi ndihen me veten! Është njësoj si të zgjedhësh ingredientët dhe formulat më të mira për veten tënde. Unë e bëj këtë personalisht në laboratorët e prodhimit të produkteve për to dhe ndihem ambasadore për adhurueset e brandit tim. Përveç se është pasioni im, e ndjej dhe “detyrë morale” t’u jap vajzave një eksperiencë fantastike, jo thjesht një produkt, sepse më kanë besuar!

Sa ju ka ndihmuar fakti që ju dhe bashkëshorti Ermal Mamaqi jeni personazhe publikë në suksesin e biznesit?

Ne suksesin e vetëm të biznesit e kemi bazuar në shumë punë dhe përkushtim. Një gjë është e sigurt, që sado marketing të bëjmë, suksesi nuk do të zgjaste shumë nëse vërtet cilësia e produktit apo shërbimit nuk do t’ja vlente. Jemi vend i vogël (fatmirësisht në këtë rast) dhe marketingu më i mirë bëhet “mouth to mouth” nga vetë klientët.

Po një linjë skincare për meshkuj, a është në plan?

Të gjitha produktet “Ami’s Beauty” mund të përdoren edhe nga meshkujt dhe kemi plot raste klientësh meshkuj, ndonëse nuk e kemi promovuar si të tillë. Po, kemi shumë plane në të ardhmen për zgjerimin e portofolit.

Megjithatë duhet thënë që i mungoni ekranit. Keni patur oferta?

Gjatë këtyre viteve kam patur disa oferta, por fakti që nuk janë konkretizuar ka të bëjë me mua dhe qëllimet që unë kam në mënyrën sesi dua ta shpërndaj kohën, rrjedhimisht jeten time. Që domethënë, në bilancin e fundit, peshorja më ka anuar gjithmonë nga rruga drejt së cilës po shkoj!

Cili do të ishte ai program televiziv, të cilit nuk do t’i thoshit kurrë jo për ta moderuar?

Spektakli që ofron spontanitet, larg skenarëve klishe.

Tags:

Home bordo

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF