KreuCelebrity

Giorgio Armani 90 vjeç: Do ndaloj së punuari, kur të jem i kënqur!

Giorgio Armani 90 vjeç: Do ndaloj së punuari, kur të jem i

Z. Armani, ju dikur i përshkruat të dyzetat si fillimi, po tani që jeni pranë të nëntëdhjetave, si do t’i përshkruani?

Të nëntëdhjetat e mia janë momenti i gjallërisë intensive, i përkushtimit të plotë ndaj një biznesi që është kthyer në mënyrë jetese dhe koha në të cilën më në fund po përpiqem të gjej një ekuilibër me kohën e lirë. Gjithsesi, puna është e para. Gjatë gjithë jetës sime, kam sakrifikuar dashurinë, jetën private dhe kohën, duke e vendosur punën në altar. Kam krijuar një perandori që është e rëndësishme jo vetëm për mua, por edhe për shumë njerëz. Unë kujdesem për të gjithë punonjësit e mi. Me kalimin e kohës më vijnë në mendje shumë gjëra që nuk kam bërë dhe dua të gjej kohë për t’i realizuar. Jeta është një rrugë pafund përmirësimi.

A jeni ndonjëherë i kënaqur?

Mendoj se do të ndaloj së punuari kur të jem i kënaqur… Dëshira për të bërë më të mirën, më shtyn të eci përpara. Unë e praktikoj durimin dhe përkushtimin. Shpesh duhet të jem i disiplinuar dhe i ashpër me veten. Kur isha stilist i ri, isha shumë i lumtur që kujdesesha për çështjet krijuese, por humbja e papritur e partnerit tim të biznesit Sergio Galeotti më detyroi të bëj edhe sipërmarrësin.

A jeni më shumë kërkues ndaj vetes apo ekipit tuaj?

Unë jam në fakt fillimisht kërkues ndaj vetes, pastaj me ekipin tim, është mënyra më e mirë që të gjithë të japin më të mirën e tyre. Unë jam autori dhe kam të drejtë të përdor emrin tim mbi gjithçka që bëj, ndaj në fund mbaj përgjegjësi për të gjitha. Emri im është biznes dhe duhet ta respektoj mbi gjithçka.

A jeni udhëhequr më shumë nga vizioni apo intuita?

Mbaj mend që shihja nënën time gjithmonë të veshur me xhaketa dhe nuk vishej aspak si kukull. Xhaketa kishte një funksion, por ajo e veshi në mënyrë elegante dhe i dha asaj prezencën. Pra, dëshira ime për të krijuar vjen nga ajo dashuri për të bukurën, nga dashuria për funksionin e një veshjeje, sigurisht duke qenë sa më elegante.

A mundet dikush si ju, që ka bërë kaq shumë gjëra në jetë, të vazhdojë të jetë ende krijues?

Është shumë e vështirë, por gjithmonë përpiqem të jem vetvetja, pa u ndikuar nga askush dhe duke ruajtur parimet e mia. Ideja se gjithçka duhet bërë shpejt, është një ide e gabuar. Sa më shumë të rritemi, aq më shumë mësojmë se të marrësh kohë për të bërë diçka të rëndësishme është arsyeja përse ecim përpara dhe kemi sukses. Gjatë krizës globale shëndetësore, e cila ishte padyshim koha më e gjatë që kam patur pushim gjatë karrierës sime, pata mundësi për të ngadalësuar procesin e prodhimit, por arrita të riorganizoj gjithçka. Aty pashë një peizazh më kuptimplotë të procesit krijues, duke i dhënë kohë çdo detaji. Kjo pandemi ndikoi negativisht nga ana financiare, por na dha mundësi të mendojmë më shtruar, për një periudhë më afatgjatë.

Ju ndaluat prodhimin duke ju dedikuar produkteve mjekësore, pse?

Mendova se ishte detyra ime të kontribuoja me urgjencë në atë situatë, ku kërkohej një kontribut nga secili prej nesh. Unë dhashë kontributin tim. Por nga ana tjetër, nuk e kam ndalur procesin krijues në aspektin e modës, thjesht gjeta kohë të përgatitem dhe t’i mendoj gjerat me një kohë më afatgjatë.

Çfarë efektesh parashikoni për industrinë e luksit pas pandemisë?

Rënia e sistemit të modës, siç e njohim ne, filloi kur industria e luksit adoptoi metodat e funksionimit të modës së shpejtë: ciklin e pafund të dërgesave me shpresën për të shitur më shumë, por duke harruar se luksi kërkon kohë për t’u arritur dhe për t’u vlerësuar. Luksi nuk mund dhe nuk duhet të jetë i shpejtë. Nuk ka kuptim që një nga xhaketat ose kostumet e mia të jetojë në dyqan për tri javë përpara se të vjetërsohet, të zëvendësohet me mallra të reja që nuk janë shumë të ndryshme. Unë nuk punoj kështu dhe më duket e pamoralshme ta bëj këtë. Në fakt, kam javë që punoj me ekipet e mia, që koleksionet verore të qëndrojnë në butikë të paktën deri në fillim të shtatorit, siç është e natyrshme.

A do të bëhen tendencat më pak të rëndësishme në të ardhmen?

Me shumë mundësi po. Bukuria dhe cilësia, me siguri do të rifitojnë rëndësinë. Moda duhet t’u përgjigjet nevojave të njerëzve, duke e bërë jetën më të lehtë dhe më të bukur. Nuk më pëlqen pranimi i verbër i tendencave të pavlera, duke i bërë gjërat të përsëritura. Unë jam për qëndrueshmërinë shpirtërore. Idetë e mia kanë sjellë ndryshime të mëdha në botën e modës dhe mund ta them këtë pa tingëlluar aspak pompoz. Unë shoh kopje të punës sime kudo dhe kjo është arsyeja që ndihem krenar, që kam prekur jetën e shumë njerëzve. Kjo është edhe arsyeja pse vazhdoj të krijoj.

Bordo No.64
Nëntor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF