KreuFashion

Editorial nga Ilda Lumani: Numri i shtatorit dhe dy ose shumë fjalë për verën!

Editorial nga Ilda Lumani: Numri i shtatorit dhe dy ose shumë fjalë

Nga Ilda Lumani

Kopertina e këtij shtatori në BORDO vjen me tri vajza të reja, të panjohura për audiencën, të cilat u bënë pjesë e një konkursi nga kompania Pantene dhe sot prezantohen si fituese, duke marrë gjithë kënaqësinë që një set ofron; nga përzgjedhja e veshjeve te kujdesi i flokëve dhe makeup-i, realizuar nga profesionistët e STYLE n’ SMILE, kurimi i imazhit dhe çdo detaj, e total editoriali realizuar nga Geljant Kaleci.

A post shared by BORDO DIGITAL (@bordomagazine)

Të tjerë protagonistë, 7 fëmijë të kopshtit dhe shkollës “Ylber” kanë bërë një aventurë “shopping-u” në Jumbo, duke zgjedhur gjithçka duhet në këtë fillim vit shkollor.


Personazh kryesor i këtij numri vjen ministrja Elva Margariti, e cila rrëfen sukseset, ambiciet, dhe veten jashtë protokollit. Në Bordo Men, aktori Visjan Ukcenaj ndan sfidën e re, pas mbylljes së kapitullit “Klanifornia”.

A post shared by BORDO DIGITAL (@bordomagazine)

Një udhëtim rreth botës, i kemi quajtur ndalesat e tre udhëtarëve të këtij numri, Eda Bano, që na tregoi Niagarën, Arjan Konomi – Polin e Veriut dhe Françeska Murataj – Skocinë.

***

E në këtë sfond fund vere, përtej paraqitjes se çfarë BORDO ofron dua të them dy fjalë për çfarë kaluam në ditët nën diell:
Gjatë verës e kam mbajtur telefonin shumë pak për rrjet, e sigurisht jo pak për foto!
Shqipëria ka një peizazh të mrekullueshëm, perëndimet e diellit janë kaq të veçanta sa asnjë nuk i ngjan tjetrit, deti, mëngjeset, ushqimi, çdo moment të ofron diçka… shumë kujtime në mendje e ndjesi, e imazhe që ruhen në telefonin smart.


Në hapësirat e vogla që i dedikoja IG, – vija re (secili vë re gjëra të ndryshme) një mani fotografimi dhe raportimi çmimesh në markete, lokale, lounch-e, club-e, restorante e hotele… abuzim këtu e abuzim atje! E shtyj këtë çështje, jo se nuk ndodhin! Por se nuk është pika ku dua të shkoj…


Ankesat për çmimet i mirëkuptoj, ajo që nuk mirëkuptoj është, në një kohë kur ka zgjedhje ende, përse njerëz me pak të ardhura duan domosdoshmërisht të konsumojnë në vende të shtrenjta?!
Përse habiten kur shkojnë në një vend se çmimi është kaq apo aq! Përse çuditen nga faturat?!


Sigurisht, çmimet në Jug ishin më të shtrenjta se një vit më parë. Por dhe në Tiranë, çmimet janë më të larta se një vit më parë.
Nga ana tjetër, dua të kuptoj përse një njeri me një pagë 400-700 mijë lekë do të pijë, konsumojë, rehatohet, atje ku shkon një drejtues kompanie, një biznesmen,  një njeri me shumë mundësi. Në gjithë botën, jo të gjithë kanë mundësi të shijojnë çdo gjë që u sheh syri dhe Instagram-i.


Në Shqipëri akoma bëhen pushime të mira; dhe mund të hash mirë dhe sipas buxhetit tënd, ndaj mos u bëni tamahqarë shijoni detin dhe pushoni, se dikur të gjithë laheshim me një fetë bukë me domate, djathë e shalqi. Dhe ishim të lumtur (për detin) dhe elegantë. Tani shumica jemi mbi peshë dhe të palumtur!

***

Në vend që të shijojmë këtë periudhë të mrekullueshme të vitit, këtë stinë që kemi fat ta kalojmë buzë detit, liqenit apo malit, në vend që të fokusohemi gjatë kësaj periudhe te familja, te koha e shëndetshme me ta, te miqtë, te argëtimi, ndjesia e reporterit cinik mbivendoset përpara gjithë gjërave që kanë vërtet vlerë! Nëse do të shihni gjithmonë gotën bosh, ajo e tillë ka për të qenë gjithë jetën!

Nuk jam kundra evidentimit, raportimit të abuzimeve, mbytjes së plazheve nga shezlonët privatë, e plot problematikave që ekzistojnë. Nuk jam kundra që njerëzit reagojnë, për më shqetëson tendenca; pa shkuar mirë në një vend, pa u rehatuar, pa u përshtatur me ditën e parë të pushimeve, – ke shkuar nga puna dhe stresi i rutinës buzë detit… kridhu së pari në ujë, fresko trupin dhe mendjen, dhe pastaj mendo si të bëhesh reporter. Është shumë kollaj të denigrosh e nxish imazhin e një biznesi, një sipërmarrjeje, një investimi familjar… Po ka gjëra që janë keq.

Po, e vërtetë! Ka që janë shumë keq. Ka probleme komunikimi, po problemet e komunikimit i ke dhe në Tiranë, ku njerëzit janë më afër qytetërimit, jo më në periferira, ku shumica e njerëzve pa dashur të fyej askënd, nga njerëz të thjeshtë, janë bërë drejtues plazhi, nga shtëpiakë janë bërë kuzhinierë në restorantin e familjes, nga emigrantë dhe punonjës ndërtimi janë bërë drejtues hoteli… e pra, ky kapërcim sigurisht që ka problematika kaq të mëdha, që do kohë, dhe durim nga të gjithë! Ne themi kemi detin dhe duam t’i kemi edhe njerëzit europianë në sezon, kur ata ashtu janë gjatë gjithë vitit! Ne e duam hotelerinë, stafin dhe gjithë punonjësit si italianët.

Por, sa ujë ka rrjedhur dhe sa eksperiencë është harxhuar për të qenë Italia e Greqia kjo që është sot. Sepse siç dihet, “Roma nuk u ndërtua në një ditë”, ndaj durim dhe pozitivitet. Të gjithë mund t’u mësojmë diçka njerëzve në Jug e Veri, për komunikimin dhe mirësjelljen. Së pari, duhet të jemi ne të tillë me ta! Mirësia do të jetë leksioni më i mirë për ta!

Bordo No.64
Nëntor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF