KreuArt

Kodet unike të “Faksimile” nga Helidon Haliti

Kodet unike të “Faksimile” nga Helidon Haliti

Një raport atë e bir, poet dhe piktor, këshillues dhe njeri, gjithçka duhet të dini për të deshifruar ekspozitën e fundit të artistit Helidon Haliti

E fundit ekspozitë e piktorit Helidon Haliti, vjen ndryshe, ndryshe edhe nga të tjerat që kemi ndjekur gjatë karrierës së tij. Në pamje të parë, pikturat janë emocionuese, me një kolorit që vetëm Haliti di ta sjellë, por thellë, brenda tyre, secila bart një kod, i cili shpërfaq një dimension të pazakontë të artistit. Mes ngjyrash e subjektesh, disa që nga fëmijëria, nëse arrini t’i bashkoni ato me copëza poezish të shkrimtarit Faslli Haliti, do të deshifroni vërtet ekspozitën “Faksimile”. Aty do të gjendeni para një universi, që zbërthen jo thjesht raportin atë e bir, por frymën e vërtetë të një ADN-je artistike dhe unike, ku të dy bartin një lidhje përjetësisht të pazgjidhshme, përmes artit, por jo vetëm.

Kodet unike të “Faksimile” nga Helidon Haliti

Gjithmonë më ka bërë përshtypje raporti yt me babain, çfarë të mungon më shumë nga ai si prind, shok, kritik?

Raporti me babain, ka qenë unik! Me humbjen e tij, humba një shok, një mik, poetin, babain, njeriun, këshilluesin, humba një pjesë të madhe, të cilën po e zëvendësoj duke iu përkushtuar më shumë dhe jo me aq vështirësi, pasi ai më ka formuar, edukuar, këshilluar aq shumë, sa edhe pse u largua, vepra e tij shtegton shpesh nëpërmjet pikturave të mia apo stafetës që i lë djemve të mi, apo studentëve shpesh herë!

Pse e quajtët “Faksimile”, kuptim i saj gjuhësor është kopje, por ekspozita është origjinale?

“Faksimile” e quajta pasi ajo është origjinali dhe jo kopja, pasi shpesh dilema e madhe “e bëri pula vezën apo veza pulën”, zgjidhet vetëm me cila mbetet në fund. Domethënë, bocetet apo shënimet shpesh quhen kopje, por nuk është ashtu, sepse ato janë zanafilla dhe nga ato, dalin veprat e mëdha që shpesh i quajmë “origjinale”, pasi janë më të përsosura, por te shënimet e babait tim, ato janë absolutisht origjinali, sepse nuk kanë as redaktor, as përsosmërinë e kompjuterit apo të makinës së shkrimit, kanë vetë zanafillën, ndjenjën e momentit, reagimin, reflekset, emocionet, qëllimin për të reaguar dhe pse jo reflektuar…!

Kodet unike të “Faksimile” nga Helidon Haliti

Pikturat kanë një çelës, për t’i kuptuar duhet lexuar një copëz nga krijimet e babait tuaj, pse kjo zgjedhje?

Pikturat e mia deshifrohen nëse lexon babain tim, i cili ishte shumë i lexuar, ndërkohë që unë mundohem të jem i formuar, pasi mënyra e informimit ka ndryshuar. Copëzat i kisha dëgjuar nga po vetë ai, disa janë botuar në kolanën e tij pas largimit, por nisa të pikturoj kur fjeta 30 ditë në studio gjatë Covidit dhe nisa të lexoj blloqet para gjumit, dhe ndërkohë që përgjatë tij, shpesh komunikoja me babain nëpërmjet ëndrrave. Të nesërmen, shumë herët që në orën 6:00 të mëngjesit, nisja pikturimin dhe gjithmonë kisha poezitë, eurodicionin e tij, por edhe një “muzë” që më shoqëronte si shumë e pranishme, sikur çirçia të Odisea dhe u fut rishtaz në çdo pikturë dhe ka mbetur atje si nëpër legjenda, emblema apo imazhe që vijnë nga lashtësia, dhe janë po aq koherente dhe sot. Me sa duket atë “muzë” ma ka dërguar im atë, që para se të ikte nga jeta…!

Kodet unike të “Faksimile” nga Helidon Haliti

Të dy artistë, por jam kurioz të di, kush nga ju frymëzonte më shumë njëri-tjetrin?

Dy artistë, mmmm! Ai ishte poeti, shqetësohej nuk frymëzohej, atë e gërricte gjithçka që nuk shkonte dhe merrej me fenomenin, dhe jo me personin. Unë kam të njëjtat “cene”, por me një ndryshim, që merrem edhe me personin. Pra, arti i babait është më konkret, ndërsa i imi, më fluid, më në lëvizje, sikur nuk do të ndalojë kurrë dhe për pasojë rrjedh e rrjedh, sikur në vargjet e poezive të babait tim. Ai nuk më ka frymëzuar ndonjëherë, ai nuk ka qenë MUZA, ai ka qenë qenia ime krijuese dhe më ka kuruar në mënyrë të tillë që unë të pikturoj, krijoj edhe pa frymëzim, por me kulturën e një motori që punon edhe pa karburant apo pa bateri, por me energjinë e krijuesit dhe të fenomeneve, të cilat nuk ndalin se ekzistuari.

Tematika e pikturave janë refleksione mbi aktualitetin tuaj pas largimit nga jeta të babait tuaj, si ka qenë kjo periudhë për ju?

Tematikat e pikturave janë edhe refleksione, pasi siç ju thashë, unë informohem duke ndjekur personazhet të cilat janë pjesë e fenomenit. Periudha e largimit ka qenë një boshllëk, i cili mbushej jo duke vizituar mamanë time, e cila e përjeton në çdo sekondë, por duke pikturuat dhe plotësuar një ëndërr, t’i shërbej sa më shumë artit, emrit të babait tim dhe mbi të gjitha shoqërisë, brezave, familjes dhe Shqipërisë.

Kodet unike të “Faksimile” nga Helidon Haliti

 

Ju përshfaqni në piktura elemente të fëmijërisë, subkoshiencën me rrëfenja e përralla të ndikuara nga narracioni i atit tuaj, sa kanë ndikuar ato te Helidoni artist!

E them shpesh, unë nuk jam asgjë tjetër përveçse fëmijëria ime, e cila ka qenë më e pasura nga e të gjithëve. Unë kam përjetuar dëbimin, mohimin, largimin, censurën, injorimin, hijen, të dridhurat, frikën dhe dënimin…! Mbaj mend gjithçka dhe ky është, dhe defekti im! Më kujtohet një frazë e Kostas Gavras, regjisorit të famshëm, i cili flet para botës së pangopur dhe thotë: “lërini se e shohin si lojë”, pra gjithçka me duket si lojë, edhe dëmbërësit e para viteve 1990 janë keqbërës po dhe sot, por dje vullnetarë, sot pronarë! Babai im mbeti poeti dhe unë u rrita me këtë rit…! Dje nuk botonte politika, sot nuk boton tregu. Të njëjtët dje, të njëjtët sot…! Fëmijët e tyre ndryshojnë, janë shkolluar jashtë dhe nuk “shkalluan” si baballarët e tyre sekretarë dje, sipërmarrës kapitalistë sot.

Po mësimi më i mirë, që të ka dhënë për të qenë prind i mirë?

Babai im ishte një prind i përsosur, na mësoi me pak dhe se si të notojmë, sesi të ngjisim shkallët një e nga një. Atë u them edhe unë djemve të mi: mos merrni ashensorin, por përdorni shkallët e jetës, pasi ngadalë ngjiten, ngadalë të zbresin…!

Cilat janë projektet tuaja të ardhshme?

Kam një projekt shumë altruist “Shqipëria ime”. Një ekspozitë në Presidencë me 50 akuarele, të cilat janë nga Shqipëria ndër vite dhe unë pas ekspozitës ja dhuroj presidencës si shenjë mirënjohje apo obligimi. Ne jemi të obliguar të bëjmë për Shqipërinë. Pra dhuroj, po si babai im, një pjesë të krijimtarisë! Më vonë të shohim, ndoshta thjesht pikturë në studion time!

 

 

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF