Ata të dy janë një çift udhëtarësh të botës. Të prirur drejt një turizmi tjetër, atë të aventurës, kanë mundur të vizitojnë rreth 50 vende të ndryshme. Por dashuria e tyre, duket se mbetet Azia e Largët. Kanë qenë dy herë në këtë kontinent dhe duket se sërish nuk janë ngopur. Pas Tajlandës, Malajzisë, Singaporit, Hong-Kongut, Koresë së Jugut, Vietnamit, Balit dhe Machakos, diçka u kishte ngelur si merak…Ndoshta ishte kjo arsyeja që Rezear dhe Laura Xhaxhiu këtë vit zgjodhën si destinacion Kinën, një stacion plot të papritura, atraksione, por edhe me një bukuri mahnitëse…
Të gjithë në verë shkojnë në plazh, ju zgjodhët Kinën, ishte një udhëtim i planifikuar apo zakonisht ju jeni të prirë për turizmin kulturor?
Në fakt, ne kemi vite që e kemi braktisur plazhin, pra turizmin klasik të shezllonit, detit dhe shullimit në diell. Jemi prirur drejt një tjetër turizmi, atij të eksplorimit të vendeve të reja, të largëta, me kultura e tradita të ndryshme nga ne. Këtë herë, zgjodhëm Kinën si destinacion. U bënë bashkë disa rrethana. Heqja e vizave mes dy vendeve, fakti që ishte një nga shtetet e pavizituara në Azi, dhe më kryesorja sepse cilësohet si në një nga destinacionet e lira, pra që na e mbante xhepi për ta eksploruar.
Si mund ta vizitosh Kinën në 4 javë, duket sikur çdo sekondë duhet të jetë e llogaritur saktësisht, a është meritë e juaja apo Laurës?
Në udhëtimet tona, truri i ideimit të itinerarit është Laura. Ka një aftësi të çuditshme për ta ndërtuar në detaje, shumë kohë përpara se të nisemi, një itinerar të saktë, fleksibël dhe të studiuar deri në detajet më të vogla. Të udhëtosh me të është siguri, është komoditet, është kursim kohe, parash e nervash. Kjo për faktin se destinacioni është studiuar më përpara, është axhustuar dhe krahasuar me eksperiencën e udhëtarëve të tjerë, që kanë qenë para teje, dhe së fundi është mbledhja e një informacioni paraprak dhe të detajuar mbi destinacionin, ku do të mbërrihet. Ndodhi kështu në detaje edhe për Kinën.
Cili ishte destinacioni fillestar dhe i fundit i turit tuaj?
Udhëtimi nisi nga Shangai, për të vijuar më pas në qytete si, Hanzhou, Suzhou, Cendu, Xi’ han, Xitang….Pekin dhe sërish kthimi nga Shangai. Tentuam të futemi pak në brendësi të Kinës, edhe pse lamë shumë gjëra pa parë. Lamë për shembull pa prekur Kinën rurale, Kinën e destinacioneve dhe atraksioneve natyrore, si Mali i Verdhë apo lumi Lee, por ndoshta më mirë kështu. Sepse mund të jetë ndoshta një arsye më shumë, për t’u rikthyer dhe për të hequr merakun.
Kur ju pashë në rrjetet sociale mbi Murin e Madh Kinez si një moment triumfues, di që është i lodhshëm, madhështor, por a kishte diçka që ju doli përtej parashikimeve?
Muri i Madh Kinez ishte një ndër befasitë e udhëtimit. E kishim parë atë prej vitesh në pullat e postës kineze, në dokumentarët e Discoverit, në filma apo në foto. Dhe një ditë e pamë veten në brendësi të tij dhe mbi bedenat impozante. Qëlloi një ditë me shumë mjegull, çka e bënte akoma më mistik murin, më surreal. Por ajo që ti e quan të paparashikueshme, ishte masa e stërmadhe e vizitorëve që gjendeshin në të. Ishte pothuajse e pamundur të ecje, të shijoje dhe të bëje foto. Në Kinë, në të gjitha atraksionet turistike që vizituam, ajo që të ‘persekutonte’ ishin turmat dhjetëramijëshe e vizitorëve. Na thanë se gushti është gjithnjë kështu, pasi kinezët janë turistë të paparë.
Tani që jeni kthyer, mund të mbusheni me frymë dhe të na i përkufizoni me një fjalë, për ata që duan ta vizitojnë këtë vend?
Kina është e gjitha befasi, është një ‘wooow’, është dimension, është kulturë mijëravjeçare dhe e gjitha në një vrap të shfrenuar drejt teknologjisë dhe së ardhmes.
Ky vend ka një kontrast mes kulturës dhe historisë, legjendave, teknologjisë dhe arkitekturës, si erdhën këto në sytë tuaj?
Erdhën natyrshëm, si në një film me episode njëra pas tjetrës...! Pra nëse vizitoje një Pagode, e nesërmja do të të sillte te një tempull mijëravjeçar, më pas do ta shikoje veten në zyrat qendrore të gjigantit “Alibaba”, apo në mes të sheshit të stërmadh Tien An Men. Do të mrekulloheshe nga pandat në atdheun e tyre në Cendu apo do të shastiseshe nga arkitektura goditëse e Shangait.
Pas plot katër javë pushime, a mjaftuan për të nisur sezonin televiziv?
Edhe po, edhe jo, ha ha ha..! Sepse për hir të së vërtetës, na duheshin edhe ca ditë të tjera pushim, për të marrë veten nga vrapi që bëmë në Kinë. Megjithatë, ekrani nuk do t’ia dijë dhe ka ligjet e veta. Ndaj do t’i bindem atyre...!
Sërish “Me Xhaxhiu”, keni hyrë në çdo familje, ju duan, por kur kujtoj mbi 30 vite në ekran, them ku e gjen gjithë energjinë?
..e dashuroj këtë pyetje. Shiko, shpesh herë e pyes veten me të njëjtën pyetje që më bëre. A mos duhet të ndaloj, kur duhet të ndalem...? Pastaj vjen magneti ekran, i cili ka një forcë të mistershme, të thith, të gllabëron dhe...pastaj i harroj pyetjet...! Në fakt energjinë e gjej te dashuria që kam për ekranin, unë jetoj në tërë kuptimin e fjalës kur jam në studio, sepse studio është habitati im...pasioni, dashuria, kimia që kam me profesionin...! Ndoshta këto janë burimi i asaj energjie për të cilin ti pyet.