Një mësuese me inicialet M. P. është goditur me një karrige nga një nxënës, 16-vjeç, brenda mjediseve të shkollës së mesme "Hydajet Lezha" në qytetin e Lezhës.
Mësuesja është dërguar me ambulancë në spitalin e Lezhës dhe mësohet se ka marrë një frakturë në krah. Ndërkohë në shkollë kanë mbërritur forcat e policisë, te cilët kanë bërë të mundur shoqërimin në komisariatin e Lezhës të nxënësit të vitit të dytë, i cili goditi mësuesen.
Për shkak te kësaj ngjarje të rëndë mësuesit kanë bojkotuar mësimin, ndërsa ditën e nesërme pritet që të zhvillohet një protestë nga mësuesit.
NJOFTIMI ZYRTAR
Paraditen e sotme, në ambientet e gjimnazit “Hydajet Lezha”, një 16-vjeçar, nxënës i këtij gjimnazi, ka goditur me send të fortë (karrige), mësuesen në këtë gjimnaz, shtetasen M. P., e cila po merr asistencë mjekësore, në spital.
16-vjeçari është shoqëruar menjëherë në ambientet e Policisë, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.
Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.