KreuBusull

Reflektim për jetën pas ekranit të celularit..

Reflektim për jetën pas ekranit të celularit..

Nga Jugerta Banushaj

Jeta që vlen pas ekranit të celularit..

Rrjetet sociale janë bërë një pjesë e pandashme e jetës sonë. Për shumicën prej nesh, zgjimi nga gjumi konsiston në një check të Instagramit apo TikTok-ut e më pas vazhdojmë ditën. Madje koha e shpenzuar në celular zgjat më shumë sesa ajo me familjen apo shoqërinë. Edhe në situata ku dikush po rrezikon jetën, shumica nuk ngurojnë të nxjerrin celularin e të filmojnë…

Privilegji, që njerëzit nuk e kanë por jua jep teknologjia, është se mund të shprehin një opinion (në shume raste të pakërkuar), të gjykojnë këdo e të bëjnë gjithologun nga rehatia e shtëpisë apo kafes, me një adresë false e duke shfryrë tërë mllefin e një ditë të keqe që mund të kenë kaluar. Dikur, ky ishte një risk i personazheve publikë të cilët gjendeshin përpara syve gozhdues të publikut shpesh herë dashakeqes. Fare mirë mund të klikoni emrin e ndonjë personazhi të njohur (kujtojmë rastin e fundit të moderatores Luana Vjollca me videon e modifikuar) Do të habiteni me siguri me larmishmërinë e komenteve të shëmtuara, gjykuese, denigruese që mund t’i bëjë një djalë një vajzë, një grua një vajze apo një vajze një vajze tjetër. Kjo për ta është kosto dhe duket se shumica kanë krijuar imunitet dhe nuk i bëjnë përshtypje “seancat gjyqësore” që komentuesit u bëjnë në çdo postim. Disa prej tyre, e zgjidhin fare mirë duke u bërë “mute” komenteve dhe duke qëndruar larg zhurmës dhe rrëmujës së ndjekësve.

Ndalemi pak te TikTok-u….Një rrjet social që boom-in në Shqipëri e mori në periudhën e pandemisë për të vijuar me një ritëm të pandalshëm. Sa e sa “influencer” po na vetshpallen nga TikTok-u. Po, po…Influencer që famën e kanë marrë nga rrëmbimet që u kanë bërë rivalet apo influencere që harrojnë fëmijën në parukeri apo persona të fustruar psikologjikisht që ofendojnë familjet e njëri-tjetrit dhe mos harroni…Një publik i terë adoleshentesh e të rinjsh kuriozë në ekstremitet për të ditur vazhdimin e historisë ….Kush do shaj ke? Kush do rrahi ke?

Reflektim për jetën pas ekranit të celularit..

Dhe vazhdimi është i dhimbshëm, këta persona pasurohen (me para që zor se fitohen kollaj me një punë zyre), dhe një shoqëri që sa vjen e rrënohet, që bazën e ka në ofendime, lartësimin e antivlerave, uljen e moralit dhe dinjitetit dhe dashakeqësinë si zgjidhje problemi…

Por kjo e ka një kosto, një shoqëri problematike që nuk vë në punë arsyetimin dhe racionalitetin dhe i hap shtegun një mijë e një problemeve mendore dhe çrregullimeve të personalitetit…

Jo më kot shumë vende të botës e kanë ndaluar përdorimin e TikTok, si një aplikacion që kryesisht prodhon dhunë dhe pasiguri te përdoruesit, duke ju kursyer popullit pasoja të cilat u reflektuan në vendin tonë me rastin e fundit.

Jo, nuk ka të bëjë me ndalimin e TikTok-ut.. Ka të bëjë me ne si shoqëri. Prirja që kemi për të gjykuar e ofenduar këdo pa sens mase, pa menduar pasojat te dikush. Më tepër sesa kaq, tregon se jemi një shoqëri me probleme, problemet e vetes, pasiguritë, mllefin e shfaqim te dikush tjetër duke u vetëkënaqur. Rasti është një kambanë alarmi për autoritetet që kanë në dorë bllokimin e adresave, të cilat nxisin gjuhë urrejtjeje dhe denigruese ndaj personave të ndryshëm.

Reflektim për jetën pas ekranit të celularit..

Rast, që për ne si shoqëri nxit një reflektim..

Na bën ofendimi e dashakeqësia njerëz më të mirë?

Nëse po, problemi duhet trajtuar më gjatë e nëse jo, s’duhet ndjekur model i tillë.

Reflektim që duhet të zgjasë më gjatë dhe jo me skadencë disaditore.

Është bërë “rrugë” në vendin tonë që çudia më e madhe tri ditë zgjat në raste të tilla, por nuk mund të zgjasë tri ditë kur bëhet fjalë për jetën.

Ajo nuk ka kthim pas….

 

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF