Tragjedia në fushën e lojës në futboll prek edhe Shqipërinë. Sulmuesi i Egnatias së Rrogozhinës, Raphael Dwamena 28 vjeç, nga Gana, ka humbur jetën gjatë ndeshjes kundër Partizanit në javën e 13 të Abissnet Superiore pas një ataku kardiak.
28-vjeçari ganez krijoi panik tek të gjithë lojtarët dhe të pranishmit në stadiumin “Egnatia Arena”, teksa u nis menjëherë drejt spitalit me ambulancë, por për fat të keq nuk mbijetoi. Afrikani ka patur më parë probleme në zemër, ndërkohë që një rast i ngjashëm i ka ndodhur edhe kur luante në Austri.
Mësohet se Dwamena ka qenë me defribilator në zemër dhe më herët doktorët i kishin këshilluar të lërë futbollin. Ai ishte diagnostikuar me një sëmundje në zemër vite më parë. Pavarësisht problemeve shëndetësore, futbollisti ganez nuk ishte shkëputur nga fusha e blertë.
Ngjarja ka tronditur mbarë opinionin sportiv në vend.
Sfida mes Egnatia dhe Partizanit është ndërprerë përfundimisht, me lojtarët që iu drejtuan dhomave të zhveshjes.