Ikona e muzikës, këngëtari ndan me lexuesit një rrëfim rreth muzikës, të ardhmes së saj, por dhe disa fakte interesante mbi pasionin e tij për fotografinë. Këngëtari që theu rekordet me shitjet e albumeve të tij, ylli i muzikës së viteve nëntëdhjetë që ka shkelur arenat botërore, flet për përballjen e yjeve të rockut me muzikën e sotme, sesi hitet nuk dalin nga stacionet radiofonike, por nga interneti. Fama dhe suksesi i tij u gdhend me portretin e një artisti rock dhe duket se do të vijojë njësoj. Adams spikati fillimisht në vitet tetëdhjetë, me zërin e tij paksa të ashpër, një tipar etalon për një yll rocku, duke e projektuar për disa dekada mes artistëve më të suksesshëm të globit. Ironia është se Adams është rritur në një familje me një baba me temperament të dhunshëm, por kjo nuk e ndali të ndiqte që në fëmijëri ëndrrën e tij. Edhe tani, në të gjashtëdhjetat e tij, Bryan Adams vazhdon të jetë një artist që mbush arenat e muzikës, po gjithashtu edhe një fotograf i talentuar dhe tekstshkrues.
Zoti Adams, a ka vdekur muzika rock?
E thashë një herë me shaka, por mendoj se sot muzika rock është aq e madhe sa kurrë nuk ka patur kaq shumë koncerte, kështu që mund të them, po shkon mirë. Më shqetëson fakti që nuk luhet në radio si dikur, dhe të rinjtë nuk kanë ata heronjtë me kitara, që kisha unë kur isha ende fëmijë. Kompjuterat po ndryshojnë gjithçka. Për të bërë muzikë në ditët e sotme, nuk keni nevojë të luani një instrument si dikur, dhe e njëjta gjë vlen edhe për këngëtarët. Çdo gjë është tashmë në kompjuter, tingujt përpunohen përmes një kompjuteri, pra ne kemi ndryshuar mënyrën se si bëjmë muzikë.
A ju nxit kjo ta dashuroni akoma muzikën rock?
Mua më pëlqen ende të bëj muzikë dhe asgjë nuk për ta ndryshuar kurrë. Ish-menaxheri im më thirri një ditë për të më pyetur se çfarë po bëja dhe unë thashë se po shkruaj këngë. Ai më tha, “Jam i shqetësuar sa kohë do të duhet ta mbarosh?”. Por unë nuk shqetësohem për të ardhmen e rock-ut dhe muzikës që bëj, sepse duhet kohë për të krijuar muzikë të mirë, nga ajo që luhet në koncerte të mëdha. Ju sot i gjeni këngët përmes internetit, ndërsa unë mbaj mend që mezi prisja të hipja në makinë me nënën time, për të dëgjuar në radio The Beatles. Ishte pikërisht kjo që u hapi derën drejt muzikës të gjithë artistëve të rock-ut në vitet shtatëdhjetë, me disa prej tyre pata fatin të ndaja skenën, si: Led Zeppelin dhe T. Rex, ndërsa me tjerë si Bowie dhe Tina Turner, kemi pasur turne botërore.
A mjafton pasioni dhe këmbëngulja për të qenë muzikant?
Biznesi muzikor është një llogore mizore, ku pasioni dhe talenti nuk mjaftojnë asnjëherë. Muzika sa është e bukur, ka edhe një anë të errët, që e kupton kur je brenda, ku nisin edhe vijnë në xhep paratë. Mendoj se duhet më shumë këmbëngulje për t'ia dalë në muzikë, sesa pasioni.
Dashuria për fotografinë e frymëzon muzikën apo thjesht ju jep pak kohë të lirë, kur nuk merreni me muzikë?
Është një pyetje e mirë. Nuk jam i sigurt, pse u futa në botën e fotografisë kaq thellë. Por ishte diçka që më nxiti kur e fillova, ndoshta një kamer Rolleiflex që bleva në Japoni, e cila kishte diçka të mahnitshme, pasi pothuajse në çdo shkrepje që bëja, realizonte foto interesante. Ishte një devijim nga muzika, por në të njëjtën kohë, ishte një pjesë integrale, sepse fillova të bëj autoportrete për albume.
Mendoj se fotot tuaja më ikonike kanë një lloj muzikaliteti, si fotografia juaj e Lana Del Rey në pasqyrë, apo portretet e Mick Jagger ose Amy Winehouse…
Faleminderit! Kur punon me njerëz aq të shkëlqyeshëm sa ata që përmendët, thjesht duhet të jesh aty për të realizuar shkrepjen e duhur, sepse ata instinktivisht e dinë se çfarë bëjnë. Me këtë dua të them: vendosni muzikë në sfond ose shkoni në një hapësirë frymëzuese, me një filxhan çaj dhe patjetër do të frymëzohesh për një foto interesante. Mick më solli muzikën e tij, e cila ishte fantastike, ndërsa Amy donte The Shirelles.
A është e vërtetë që mësuat shumë gjëra për fotografinë, duke bërë portretin tuaj?
Mbaj mend që hyra në studion e Hiro-s në vitet tetëdhjetë, dhe ky ishte një udhëtim në të ardhmen. Ai kishte asistentët e tij të kamerës, kishte njerëz që merreshin me grimin, një djalosh vraponte pas ndriçimit, kishte shumë të bërtitura përreth… Po punohej për kopertinën e Reckless. Që atëherë e kuptova se për të bërë foto të bukura, nuk duhej vetëm kamera dhe dhoma e errët, por edhe printerët. Pak nga pak nisa të ndihesha krenar për negativët e mi.
A lindin tekstet e këngëve nga i njëjti vend krijues, si fotografia?
Gjithçka fillon me asgjë, dhe zakonisht në fund të ditës ju keni diçka të re dhe origjinale, për të parë ose për të dëgjuar. Është bukur kur shpesh jam shkrimtar dhe shpesh fotograf, sepse krijon përmes imazhit, ose nga teksti kërkon një imazh që dëshiron. Të krijosh diçka nga asgjëja është magji. Nuk është e lehtë, duhet shumë punë për të arritur atje, ndonjëherë nuk e di as se çfarë ke bërë, derisa të shikosh një punë finale, qoftë fotografi ose këngë. Ndonjëherë ky moment është kaq i bukur, si të nxjerrësh diamantet nga balta.
Çfarë ju frymëzon për tekstet e këngëve?
Shkrimi i këngëve nuk është thjesht një aftësi. Duhet të kesh disa njohuri për të luajtur një instrument ose të vendosni një rimë, aty ku duhet. Por, ajo që më duket interesante është se shumë grupe të reja dhe autorë këngësh, kanë krijuar këngë dhe tekste të fantastike, pa asnjë përvojë. Pra, në një farë mënyre, ndonjëherë është mirë të mos dish asgjë dhe thjesht të shkosh drejt saj.
Çfarë e bën një këngë të mirë, apo edhe një fotografi të mirë, nëse nuk ka rregulla?
Mendoj se shenja dalluese për një këngë, fotografi apo pikturë të mrekullueshme është diçka që mund ta mbash mend. Është kaq e thjeshtë. Kjo nuk do të thotë se fotot ose pikturat e tjera nuk janë të bukura; por mendoj se nëse ajo ju ka frymëzuar dhe është e mrekullueshme, të dhuron një shije të mirë të cilën dëshiron ta mbash mend, do ta kesh për vete. Sigurisht, e bukura apo e mira është subjektive, sepse e njëjta gjë për dikë tjetër, mund të mos ketë të njëjtin efekt. Por nëse punoni me të, do të ketë shumë mundësi që të ketë sukses, të pëlqehet dhe të kthehet në një krijim të bukur. Atëherë, ju thjesht jeni një magjistar dhe ja keni arritur qëllimit.