KreuCelebrity

Ekskluzive/ Milaim Zeka: Veshja, fotografia e shpirtit!

Ekskluzive/ Milaim Zeka:  Veshja, fotografia e shpirtit!

Nga Nada Biraçi

Fotografia: Fadil Berisha

I ftuar shpesh në panele të ndryshme televizive, Milaim Zeka krahas karizmës e zhveshjes nga komplekset në debate, ka përçuar te publiku idenë e një burri, që i kushton rëndësi pamjes së jashtme. Për Zekën, veshja është fotografi e shpirtit, ndërsa për stilin personal, ai tregon se ja ka diktuar babai i tij i ndjerë. Aspak i dhënë pas firmave luksoze, ndonëse gardërobën e ka plot me të tilla, Milaim Zeka, marrëdhënien me veshjen e ka shpirtërore, aq sa ja dikton edhe sjelljen. “Kollaren e urrej, sepse ma vret mendimin, pra s’mund të jetë asesi pjesë e stilit tim të veshjes. Nëse më shihni me kollare, dijeni se po gënjej”, tregon për “Bordo”, gazetari i mirënjohur.

Milaim, flasim sot për rëndësinë që ka veshja te një person…Ju personalisht, sa rëndësi i kushtoni zgjedhjes së veshjes, para se të dilni nga shtëpia?

Jam i bindur që veshja përfaqëson atë botën tonë të brendshme, ngjyrat, stili që zgjedhim… në bazë të veshjes, mundesh të definosh gjendjen shpirtërore të dikujt. Veshja në pikëpamjen time është fotografia e shpirtit tonë të brendshëm.

Ekskluzive/ Milaim Zeka:  Veshja, fotografia e shpirtit!

Çfarë, apo kush, ka diktuar për të krijuar sot stilin personal të veshjes së Milaim Zekës?

Personalisht te mua ka ndikuar babai im i ndjerë. Ka qenë një burrë që i kushtonte shumë rëndësi veshjes, stilit e çdo elementi tjetër të paraqitjes së jashtme, duke patur gjithmonë një pamje perfeksioniste. Duket se babai im, stilin dhe perfeksionin në veshje ja ka trashëguar edhe dy prej katër vajzave të mia, ndërsa dy vajzat e tjera janë më indiferente dhe nuk i kushtojnë shumë rëndësi veshjes. Mendoj se stili është në gjak, në gjen.

Gjithmonë e më shumë, çështjet e stilit nuk janë më vetëm ‘hall’ i grave! Para një dalje publike, për ju personalisht sa rëndësi zë shqetësimi ‘çfarë do të vesh’?

Mund të them që ndoshta jam ndër moderatorët e rrallë, që nuk kam kurrfarë shqetësimi se çfarë do të vesh apo si do të më duken flokët në ekran.

Nuk na e keni lënë këtë përshtypje…

Po ndoshta ngase kam gardërobë me shumë veshje, shumica e të cilave janë edhe politikisht korrekt me ekranin dhe atë çfarë përfaqësoj, dhe kjo ndoshta ka bërë që të krijohet ideja sikur unë shqetësohem shumë se çfarë do të vesh para një daljeje (qesh).

Çfarë keni veshjen më të shtrenjtë në gardërobën tuaj? Po ajo më e lira?

Nëse doni të dini, a jam i fiksuar pas markave të luksit, po ju them që jo aspak, edhe pse në gardërobë mund të kem plot të tilla. Siç edhe kam veshje shumë të lira, 5 euro, 10 euro, të cilat i mbaj veshur pa asnjë lloj kompleksi. Meqë jemi këtu te veshjet e lira, po ju tregoj një sekret. Duke qenë se udhëtoj shumë, dhe të gjithë e dimë sa e bezdisshme është ajo puna e valixheve nëpër aeroporte, unë kam gjetur një zgjidhje. Për të evituar kokëçarjen me valixhe në aeroporte, unë udhëtoj pa valixhe. Brandi im i preferuar popullor është H&M dhe menjëherë pasi zbres në X aeroport, shkoj te dyqanet e H&M blej veshje shumë të lira, që i mbaj gjatë ditëve të qëndrimit. Ato veshje më pas i lë në hotel dhe kthimin e bëj sërish pa valixhe. Mbaj me vete vetëm produktet personale të higjienës dhe ndonjë libër.

Ekskluzive/ Milaim Zeka:  Veshja, fotografia e shpirtit!

 

Jeni i rrethuar nga gratë (4 vajzat dhe bashkëshortja juaj). A jeni ju babai/bashkëshorti që këshilloni/ndërhyni te paraqitja e tyre?

Jam edhe vëllai i pesë motrave (qesh). Dhe gjatë gjithë jetës sime, fati ka dashur që të jem i rrethuar nga gratë, si në familje, punë, apo edhe shoqëri. Mendoj që shpesh kam qenë një këshillues i mirë stili, për gratë me të cilat kam qenë i rrethuar, dhe mendoj se opinioni i gjinisë së kundërt, ndihmon shumë në raste të tilla. Sa i përket vajzave të mia, të ndërhyj në veshjet e tyre nuk ka ndodhur kurrë, por diskutojmë, jap mendimin tim; ‘kjo po të rri bukur’, ‘kjo jo dhe aq’, por që në fund gjithmonë janë ato që vendosin.

Për shkak të udhëtimeve, apo edhe jetesës në Suedi, me siguri keni krijuar mendimin tuaj sa i përket stilit të veshjes së popujve të ndryshëm…

Po, e vërtetë! Në Suedi, për shembull, për fat të keq njerëzit nuk i kushtojnë rëndësi veshjes. Nuk kanë shije, ata skandinavët në përgjithësi. Në Gjermani dhe Angli gjithashtu, mendimi dhe bindja ime është që njerëzit vishen shumë keq. Ndërkohë që është krejt e kundërta në Itali, që të gjithë e dimë se aty vlon moda dhe stili. Franca dhe Zvicra po ashtu vishen bukur, i kushtojnë rëndësi pamjes së jashtme. Ndërsa sa i përket Shqipërisë dhe Kosovës, ndodh një fenomen paksa i çuditshëm. Që do të thotë se Tirana, çfarë shoh në Tiranë janë njerëz me shumë shije dhe dukshëm të informuar rreth modës, trendeve të fundit, të kuruar në detaje, por nëse kalon vetëm 3-4 kilometra larg Tiranës, sheh një realitet krejt tjetër… Ndërsa në Kosovë mund të them se shpërndarja e modës apo stilit gjeografikisht, është më e gjerë, pra nuk është e përqendruar vetëm në Prishtinë.

Zakonisht mes çifteve është gruaja ajo që ka më shumë shpenzime, sa i përket veshjeve, përkujdesjes personale, ornamenteve të shtëpisë etj.. Në çiftin tuaj, si është ky raport?

Në çiftin tonë është krejt e kundërta. Ndoshta ndikimi i madh i shumë grave rreth meje, ka bërë që të jem unë ai që shpenzoj shumë, ndërsa Eda, gruaja, shpenzon shumë pak, është shumë kursimtare. Ndryshe nga gratë, shpenzimet e mia shkojnë për udhëtime dhe për drekat dhe darkat jashtë shtëpisë. Për veshje, edhe unë si pjesa më e madhe e burrave dal për shopping 1 herë apo 2 herë në vit.

Jeni ju babai apo bashkëshorti, që bëni dhurata sa herë ktheheni nga një udhëtim?

Jo, nuk ju blej asnjëherë dhurata, sepse nuk dua të ndërhyj në shijet e tyre. U jap para kesh, në mënyrë që ato të blejnë çfarë të duan.

Diku, dikur një stiliste, gjetjen e stilit të klientit të saj e ka perifrazuar nëpërmjet thënies së famshme të Michelangelo-s: "Pashë një engjëll në mermer dhe e gdhenda, derisa e lirova”. Ju e keni ‘liruar’ atë engjëll?

Gjatë një fotosesioni, vite më parë me Fadil Berishën, pasi kishim rreth një orë që po fotografohesha, erdhi një moment që unë u lodha. Dhe pikërisht atë moment, Fadili më tha, “Tani ta kam fotografu shpirtin”. Kështu që edhe kjo që thoni ju për stilin, duke e perifrazuar me shprehjen e Michelangelo-s, mund të jetë e vërtetë. Unë për shembull nëse vishem sportiv, ndjej që jam krejt vetja. Është krejt e kundërta nëse vë një kollare, aksesor të cilin e urrej, madje nëse e vë, më vjen vetvetiu të gënjej. Në mënyrë automatike nëse mbaj kollare unë nis e them gënjeshtra, dhe vetja më duket rrenc. Kollarja ma vret mendimin, pra s’mund të jetë asesi pjesë e stilit tim të veshjes. Nëse më shihni me kollare, dijeni se po gënjej (qesh).

 

 

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF