KreuCelebrity

Ekskluzive/ Olta Gixhari për shtatzëninë, Amarin, Dorin, Big Brother dhe rikthimin në ekran!

Ekskluzive/ Olta Gixhari për shtatzëninë, Amarin, Dorin, Big

Nga Ilda Lumani

Fotografia: Renuar Locaj

Stiliste: Enada At’Nikolla

Make Up: Arbër Bytyqi & Make Up by Migena

Martesa, mëmësia, Big Brother-i, juria e Dancing, apo shtatzënia e dytë, duket se asnjëra prej tyre nuk e ndryshon karakterin e një kapriçozeje si Olta Gixhari. Ndoshta se fati e përkëdheli, ndoshta se bashkangjitur natyrës së saj lozonjare, i ra për hise që në ditën e parë, që preku skenën e Teatrit Kombëtar, të zgjidhej e famshme… e prej andej të ndiqte një rrugëtim suksesi, në teatër apo dhe film. Jeta personale për një çast e rrëmbeu dhe u duk se edhe ajo u fut në rrjedhën e një gruaje, që lë karrierën për familjen. Por, ky nuk është një kurth, ku ajo mund të binte. Pikërisht, kur askush tjetër nuk e priste, Olta u shfaq në ekranin e Top Channel, në “Big Borther VIP” dhe më tej historinë e saj e dini të gjithë…

Olta, si po shkon kjo shtatzëni e dytë?

E vërteta është se shtatzëninë e dytë po e shijoj shumë më shumë, se sa të parën. Here pas herë sillem “sikur nuk jam shtatzënë” dhe kështu e shijon më shumë pa stres. Të parin kam qenë më shumë e kujdesshme, seç duhet. Por, më kanë thënë që te fëmija e dytë bëhesh nënë prej vërteti.

Po Amari, si po e pret?

Më kanë thënë që fëmijët bëhen shumë xhelozë. E di jam përgatitur deri diku psikologjikisht për këtë gjë, për Amarin. Jam duke i folur, jam duke punuar shumë me të, por të shohim deri në momentin që do të vijë. Jam e bindur që nuk do të jetë e thjeshtë, se Amari është një fëmijë shumë i përkëdhelur. 

Ekskluzive/ Olta Gixhari për shtatzëninë, Amarin, Dorin, Big

Nga ka ngjarë?

Kopja ime.

Amari ka lindur në Spanjë. Sa shqiptar dhe sa spanjoll ndihet ai?

Unë kam qejf që fëmijët të marrin kulturën që kam unë, që ka babai vetë, nga vendi që jemi ne; të kemi të njëjtat pikëpamje, të njëjtën traditë, të njëjtën kulturë. Nuk do të doja që fëmijët e mi të ishin fare spanjoll, totalisht spanjoll, të duken si dy fëmijë të ardhur në familje. Domethënë prindërit të jenë me tradita, zakone shqiptare dhe fëmijët të jenë totalisht europianë dhe të papërfillshëm ndaj kulturës sonë. Këtë nuk do ta doja dhe kam punuar shumë për këtë, duke filluar që fakti që Amarit i kam folur gjithmonë shqip në shtëpi, dhe Amari e flet shqipen shumë mirë. 

Është bilingual?

Po. Amari flet dhe spanjisht dhe shqip, tani ka filluar flet dhe anglisht. 

Si do të vijojë jeta juaj, vajtje-ardhje apo do të vendoseni në Shqipëri?

Pak varavingo. Kjo është jeta që kam adhuruar gjithmonë, me valixhe në krahë dhe deri tani kështu po më shkon. Nuk e di se sa do t’ia dal, varavingo me dy fëmijë, por unë jam e fortë, ju e dini. Mbaj shumë.

Ekskluzive/ Olta Gixhari për shtatzëninë, Amarin, Dorin, Big

Çfarë të mungon kur je jashtë?

Padiskutim më mungon familja, më mungon shoqëria, më mungon ky ‘vibe’ i Shqipërisë, por a e di çfarë më mungon më shumë, që këtu mbaron çdo punë me telefon. Festën që bëra për shembull, e organizova vetëm në telefon. Në Spanjë, nuk ka shanse të lësh takimin, ta lënë pas një jave, pas një muaji, pas dy muajsh, janë shumë protokollar, të lodhshëm. 

Çfarë të pëlqen atje, çfarë veçon?

Më pëlqen që nuk ka racizëm, më pëlqen shumë kjo, sepse e di që veçanërisht shqiptarët kanë vuajtur dhe vazhdojnë vuajnë nga racizmi në vende të ndryshme të Europës. Spanja është popull i lirë dhe fare pa vanitet. Këto janë dy gjëra realisht më mahnitin nga ai vend.

Çfarë të mungonte kur ishe në Big?

Amari, por është e çuditshme, Dori më mungonte më shumë, sepse kisha nevojë për një fjalë, kisha nevojë për një mendim, për një udhërrëfyes. Kurse Amari shpirtërisht më mungonte më shumë, se çdo gjë nga ana e mallit. Dori më mungonte shumë sigurisht dhe nga ana e mallit, më merrte malli shumë si bashkëshort, si burrë, por prej Dorit kisha nevojë, kisha nevojë t’ia dëgjoja zërin, të më thoshte ec përpara, kisha nevojë të më jepte forcë. Nuk do ta harroj kurrë ditën e Prime-it që më ka lexuar letrën, që është letra më e bukur në botë. Më vjen keq që u aludua më vonë, që nuk e ka shkruar ai. Letrën e ka shkruar Dori, se kjo është arsyeja që unë u preka kaq shumë, sepse unë e di, ja njoh fjalën, ja njoh mendimin bashkëshortit tim. 

Ekskluzive/ Olta Gixhari për shtatzëninë, Amarin, Dorin, Big

Është romantik Dori, të bën dedikime?

Është romantik por nuk e shet si romantizëm, e shet më shumë si sportive, sa ndonjëherë unë hutohem. Dori përgatit shpesh udhëtime surprizë, përgatit shpesh darka surprizë, shpesh herë më thotë për shembull, “zemër, bëhu gati se do të ikim nesër në mëngjes në filan vend”. Ky është romantizëm apo jo?!

Cila ka qenë surpriza më e bukur, që të ka lënë shenjë?

Ai më ka bërë shumë, por unë do të vazhdoj të them të njëjtën gjë, që kam thënë gjithmonë. Surpriza më e bukur ka qenë kur më ka hedhur nga aeroplani me parashutë, për ditëlindjen time. Nuk kishte lindur Amari akoma dhe u hodhëm të dy. Ai mbante mend që i kisha thënë dua të hidhem nga aeroplani, të shoh sa larg dukej bota nga një pikë. I kisha thënë, nuk e di se sa guxim do të kem ta bëj, po kam shumë dëshirë ta provoj, si sport ekstrem. Dhe për ditëlindjen time, ai më ka thënë vetëm vish tuta kaq, edhe shkuam në Spanjë dhe u hodhëm nga aeroplani të dy, por ai u hodh para meje dhe është një moment që nuk do ta harroj kurrë, sepse mu duk, sikur më iku përgjithmonë. Sikur bëri një kapërcim, në një jetë tjetër dhe në ato momente para se të shija Dorin të hidhej, po mendoja të mos hidhesha. Kur kam parë Dorin që u hodh, të betohem që vetëm ka bërtitur me të madhe Dori, dhe vetëm jam hedhur. Thjesht e kam ndjekur dhe aty vërtetë ka marrë kuptim fjalia, që nëse ti hidhesh, hidhem dhe unë.

Ka diçka që je bërë pishman për eksperiencën në Big?

Nuk jam bërë pishman që e kam bërë, është një eksperiencë shumë e vyer për mua. Lum ata që dalin nga aty dhe nxjerrin mësime të rëndësishme, dhe pësojnë metamorfozë brenda tyre. Kam njohur veten në disa dimensione, që përpara se të futesha aty vija dorën në zjarr, që nuk i kisha dhe nuk i bëja dot. Më ka hapur disa dimensione dhe disa dritare, që realisht jam e çuditur që i kam, edhe që i kam gjetur dhe i ruaj akoma.

Ekskluzive/ Olta Gixhari për shtatzëninë, Amarin, Dorin, Big

Për ndonjë gjë, je penduar në Big?

Po, jam penduar për muajin e parë, që nuk e kuptova lojën fare. Mbase nga jashtë mund të dukesha, sikur po bëj namin dhe po bëj shumë gjëra, por muajin e parë kam bërë gabime, që jashtë nuk do t’i bëja kurrë dhe nëse do të isha rikthyer, nuk do t’i bëja kurrë. Por i kam bërë nga pavetëdija, u hutova shumë dhe dua të tregoj një sekret, që është për të qeshur. E di ça mendoja unë muajin e parë, mendoja që kur flisja nuk më kapte kamera dhe një muhabet e thosha 7 herë, se mendoja tani po më kap kamera, ta them këtë gjënë që ta dëgjojnë. Shkoja shikoja kamerën, se doja të jepja një mesazh dhe thosha, ishalla më ka kapur kamera tani.

Çfarë fitove nga BIG-u?

Popullaritet, shumë popullaritet. Jam shumë krenare që sot ende kësaj dite më shkruajnë shumë vajza, shumë gra që kanë gjetur veten tek unë, atëherë dhe e gjejnë dhe sot. Kjo është mbështetja më e madhe dhe më e bukur, që mua më ka ndodhur në të gjithë karrierën time. 

E ndjek “Big Brother-in" tani?

Po e ndjek se ajo është një gjë që kur të futet në lëkurë, nuk është e lehtë të dali. Po e ndjek, sepse është një program, një eksperiment social shumë interesant, se si transformohesh. 

Sheh ndonjë të ngjashëm me veten tënde?

Shoh personazhe që përpiqen, kanë ndikim nga unë ose nga personazhe të tjerë, që kanë qenë në sezonin e dytë, por është ‘okay’, nuk më duket një gjë kaq e tmerrshme. Sepse sezoni i dytë ka qenë i jashtëzakonshëm, do të thosha unë. Nuk ka asgjë të keqe, që të ndikohesh apo të frymëzohesh. Nëse aty brenda ka personazhe që janë të frymëzuara nga unë, unë jam shumë e lumtur për këtë dhe jam falënderuese. 

Filmi “Në kuadër të dashurisë” plotësoi kënaqësinë tënde si aktore, apo e sheh si një zgjatim të famës së “Big Brother”?

Në filmin “Në kuadër të dashurisë”, e para jam shumë e lumtur që kam qenë pjesë, sepse kam përjetuar komplet një dimension të një kinemaje, promovimi hollivudian, gjë që nuk e kisha përjetuar më përpara. Deri në atë moment, e kisha parë vetëm në televizor një tapet të kuq të atyre përmasave dhe një pritje spektatorësh të atyre përmasave, në të gjitha vendet ku kemi shkelur. Realisht nuk e kam përjetuar kurrë atë emocion! Sa i përket projektit të filmit, kam qenë një aktore profesioniste e vërtetë dhe këtë e thonë të gjithë kolegët dhe bashkëpunuesit e filmit. Unë aty jam në terrenin tim të sigurt dhe nuk e kam të vështirë të jem profesioniste, sepse është zanati im. Nuk e shoh fare si zgjatim të “Big Brother-it" absolutisht, por mendoj se dyshja jonë ka goditur shumë fort dhe tek ai film. 

Ekskluzive/ Olta Gixhari për shtatzëninë, Amarin, Dorin, Big

“Dancing with the stars” një tjetër eksperiencë. Ke qenë gjykatëse e drejtë?

Po, të gjitha shijet janë të drejta. Unë nuk e mbaj veten për një njeri që nuk kam shije, unë mendoj se kam shije. Jam pak e vështirë sepse nuk më pëlqejnë lehtë gjërat, por në gjykimin e jurisë, jam çliruar pak dhe jam përpjekur t’i shoh me sy pozitiv, më shumë seç duhet. Shumë njerëz që më njohin nga afër, më thoshin pse nuk bëhesh pak më agresive, sepse ti e ke në natyrë atë gjë. Por nuk doja ta bëja, doja të lija një shije shumë pozitive dhe ta shikoja me shumë pozitivitet. Por, ja tregoj unë te 3-shi! 

Do të vijosh të jesh pjesë e jurisë, në edicionin e tretë?

Mendoj se në sezonin e ri do të jem padiskutim pjesë e televizionit. Nuk është asgjë konkrete, por besoj se po.

Po në teatër?

Po, do të rikthehem në teatër. Unë kisha nisur planet për një pjesë në teatër, por mbeta shtatzënë dhe janë plane që do të mbeten për shumë vonë. Natyrisht që profesionin tim, nuk kam ndërmend ta lë, mbase nuk do të jetoj dot me profesionin, siç e kam bërë para se të bëhesha mama, sepse është një profesion që të merr shumë kohë, energji, do shumë fokus dhe nuk mundem dot, me dy fëmijë tani që do të bëhem. Është shumë e vështirë, se unë jam shumë mama e përkushtuar, i shijoj shumë fëmijët. Siç kam shijuar Amarin, do shijoj dhe bebin që do të vijë. Por sigurisht unë kam lindur për të qenë pjesë e estradës le të themi, e artit. Kam lindur, në kuptimin që kam investuar gjithë jetës për këtë gjë, dhe nuk di të bëj gjë tjetër më mirë. 

Olta, nëse kthen kokën pas, cila është shfaqja që kujton me më shumë nostalgji?

Përjetësisht shfaqja më e bukur, më me nostalgji do të jetë ajo që më ka ndryshuar gjithë jetën “Pamje nga ura”. Kur kujtoj “Pamje nga ura”, vetëm më vjen të qaj, sepse është kapërcim i madh në karrierën time. Është një nga gjërat që kam peng, sepse kam dashur ta xhiroj dhe regjisori atëherë Albert Minga më tha, do të regjistrohet në mënyrë profesionale dhe nuk ndodhi kurrë. E kam peng atë shfaqje, që nuk kam asnjë kujtim, përveç se kujtim në memorie. Por e di kush është më e bukura, e di që njerëzit më shkruajnë akoma për atë shfaqje. Ai ka qenë një sukses imediat. U zgjova të nesërmen në mëngjes dhe isha e famshme. Isha në të gjithë faqet e para të gazetave, isha në kopertina, isha gjithandej, gjithë Tirana fliste për mua, gjysma e Shqipërisë flisnin për mua. Dhe ka qenë koha kur nuk ka patur rrjete sociale, kur lajmi shpërndahej vetëm në letër, në gazetë ose në revista të printuara. Jehona u përhap menjëherë dhe ne shëtitëm disa qytete me atë shfaqje, dhe njerëzit më njihnin, mbanin radhë pas teatrit për të bërë një foto me mua, dhe aktorët e tjerë; me Timo Fllokon, Yllka Mujon, Bujar Asqeriun. Mbanin radhë për të bërë një foto me ne dhe nuk ka patur gëzim më të bukur. Ishte hera e parë që po jetoja, projekti i parë që po bëja në Teatrin Kombëtar dhe mua më rezultoi i tillë. Më hapi rrugët dhe më bëri Olta Gixharin.

Ekskluzive/ Olta Gixhari për shtatzëninë, Amarin, Dorin, Big

 

Olta, ku e sheh veten pas 10 vitesh?

Pas 10 vitesh jam me dy çuna, ku e di unë ku do më çojnë ata, ku do më fluturojnë, si do më trajtojnë këto 3 burra që do të kem në shtëpi. Shiko një gjë është e sigurt, do t’i vë të 3 në shërbimin tim. Të 3 do të merren, njëri do të fshijë, tjetri do të lajë rrobat. Kurse ai i madhi fare do të merret me mua. 

Je entuziaste për ketë kopertinë të BORDO?

Jam shumë e gëzuar që po e bëj, siç e sheh. Është një nga ato gurët e çmuar që do të vendoset në bufenë time të mendimeve. Kështu do ta quaja. Shumë e bukur. 

Por, jam e gëzuar edhe që po bëjmë bashkë këtë intervistë Ilda.

Kishim shumë kohë, vite pa bërë intervistë, ndërkohë e kemi filluar bashkë, me “Pamje nga ura”. E kemi nisur bashkë. Shumë vite kemi të dyja në këtë treg. Jemi dëshmitare të gjalla të karrierës së njëra-tjetrës dhe kjo është shumë e bukur.

 

Bordo No.64
Nëntor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF