KreuCelebrity

Ekskluzive/ Shefja e Urgjencës, Besiana Hysi: Në shërbimin tuaj, edhe për festa!

Ekskluzive/ Shefja e Urgjencës, Besiana Hysi: Në shërbimin tuaj,

Ajo është gjithmonë e gatshme për t’ju përgjigjur çdo telefonate dhe urgjence në çdo orë të ditë-natës, edhe kur turni i saj është mbyllur. Si drejtuese e shërbimit të Urgjencës, dr. Besiana Hysi është hasur me jo pak sfida në misionin për të shpëtuar jetë njerëzish, megjithatë doktoresha që nuk ja kursen askujt një buzëqeshje të ngrohtë, tregon për “Bordo” se është e lumtur që bën punën që gjithmonë ka dashur. Të punuarit në Urgjencë është një punë kërkuese edhe shpesh sfiduese, është një punë me ritme të shpejta që kërkon vendimmarrje të shpejtë në situata mes jetës dhe vdekjes, e në këtë pikë kur mantelbardhët ja dalin të jenë triumfues, dr. Hysi tregon se në momente të tilla, gëzimi që ndjen stafi mjekësor është i pamatë.

Të jesh alertë dhe vigjilente në 24 orë të ditës duket sfilitëse, e ndoshta për një grua edhe më shumë. Megjithatë në gjithë sfidat gjatë rrugëtimit të saj si mjeke, Hysi beson se ka një formulë magjike për të qenë e suksesshme, dhe ajo është ndërthurja e shpirtit dhe mendjes, në një mënyrë të atillë që të dyja të kenë një qëllim. Duket filozofike, e po në të njëjtën formë na shpjegon Besiana, teksa e pyesim se cilat janë pikat e forta në profesionin e saj,

“Pika ime e fortë mendoj se është ironia e të qenit jetëshpëtues, në një botë ku asnjë nuk mbetet i gjallë. Është me të vërtetë tepër shqetësuese... jo pa kuptim e nisa me një frazë të tillë. Për të qenë më konkrete, qetësia në menaxhimin e situatave të vështira, aftësia e shpejtë vendimmarrëse, si dhe puna në grup, do t’i quaja si pika të forta të miat në këtë profesion”.

Eksperienca dhe përballja çdo ditë me pacientë shpesh në gjendje të rëndë, apo edhe që fatkeqësisht humbin jetën në ambientet e urgjencës, i ka krijuar asaj një koracë në dukje të padepërtueshme, që e shfaq para pacientëve si një grua të fortë e deçizive… Por, çfarë ka nën atë koracë?; bëhemi ne kuriozë të zbulojmë më shumë rreth mjekes simpatike.

“Nën atë koracën e mjekut deçiziv edhe vendimmarrës të urgjencës, ekziston një vajzë e cila ka pasion fotografinë, artin në përgjithësi dhe më specifikisht, unë adhuroj mjeshtërinë e përdorimit të esencave dhe ekstrakteve nëpër parfume. Kam kureshtjen e një fëmije, për të ditur dhe mësuar në mënyrë të zellshme, se çfarë ka në përbërje një parfum”, tregon e ngazëllyer doktoresha e njohur, tashmë e veshur krejtësisht nga manteli i bardhë i profesionit. Dhe jo vetëm kaq, pasi ajo koracë në dukje aq e fortë, shpesh thyhet kur gjendet përballë rasteve të rënda, përballë pacientësh që japin grahmat e fundit, e përballë tyre, kur asgjë s’është më dorën e saj, Besiana është një njeri që i dorëzohet e pafuqishme lotëve, që refuzojnë të binden...

Ndërsa jemi në prag festash, shumë prej nesh kemi bërë planet tona ku, si dhe me kë do të trokasim gotat në kapërcyell të Vitit të Ri, por për shefen e Urgjencës festat janë si të gjitha ditët e tjera kalendarike, me shpresën dhe dëshirën e vetme që ajo derë Urgjence, të hapet sa më pak te jetë e mundur…

 

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF