Nga Olsi Kolami
Plot 4 vjet më parë, jeta e Ulpiana Lames do të ndryshonte 360 gradë. Nga një figurë televizive, e cila ndryshoi krejtësisht prezantimin në Shqipëri, duke formësuar një model të gazetarisë dhe intervistës së thelluar, e cila reflektonte më shumë inteligjencë, sesa pamje (edhe pse këtu e përmbushte shumë mirë), tani ajo është përfaqësuesja e diplomacisë së Kosovës në Mbretërinë e Tajlandës. Si ajo e pranon për “Bordo”, natyra paksa nomade e bindi të pranonte këtë detyrë në një vend të largët, me një përgjegjësi shumë herë më të lartë, nga ato që kishte pasur më parë. Nëse në fillim, kur vuri këmbë për herë të parë në Tajlandë, ky mision ju duk pak i vështirë për shkak se përkoi me Pandeminë botërore, sot, Ulpiana ka përfaqësuar jo vetëm detyrat protokollare të diplomates, por edhe jetën dhe aktivitetet si aktivste në këtë vend të largët.
Si ndiheni si përfaqësuese e diplomacisë së Kosovës në Mbretërinë e Tajlandës?
Ndihem e nderuar dhe e motivuar.
Kur ju erdhi propozimi, a patët ndonjë moment dyshimi?
Kur mësova se po më dërgonin në Tailandë, çdo hezitim që ndjeva zgjati vetëm një moment të shkurtër. Nëse njerëzit kategorizohen në nomadë dhe sedentarë, unë jam padyshim një nomade, me kureshtje të thellë për të eksploruar kultura dhe gjeografi të tjera. Në një botë të ndërlidhur si kjo e sotmja, eksplorimi është diçka që shumë e bëjnë, por është thelbësore për një diplomat. Pa atë kuriozitet, njeriu nuk mund të jetë vërtet qytetar i botës, e lëre më diplomat. Sigurisht, kishte më shumë sfida nga sa kisha parashikuar. Vetëm tri javë pas mbërritjes (në fund - shkurt 2020), nisi izolimi social, mbyllja nga pandemia. Për disa muaj, më duhej të edukoja veten për rajonin nga dhoma e ndenjes, përmes librave dhe dokumentarëve, pasi nuk kishte rrjet të krijuar (ambasada u hap në fund të 2019-s), komunitet dhe askund për të shkuar. Për gati dy vjet, nuk mund të udhëtonim jashtë rajonit, gjë që më mësoi të duroja vetminë dhe të bëja më të mirën nën shumë kufizime. Tani, kemi rrjet të gjerë dhe ngjarje të shumta të organizuara që përfshijnë aspekte kulturore, diplomatike dhe ekonomike. Jam krenare jo vetëm për atë që kam arritur, por edhe për atë që jam bërë: një person edhe më resilient.
E kishit vizituar më parë Tajlandën?
Jo. Veçse në imagjinatë, nxitur nga disa shkëndija, si filmat, revistat, ushqimi.
Bota aziatike ka një kulturë shumë të ndryshme nga ajo europiane. Ju personalisht, çfarë ju bën më shumë përshtypje?
Paqja dhe mirësjellja në komunikimin ndërnjerëzor. Në katër vjet, nuk më ka ndodhur të ngre zërin apo të dëgjoj njerëz të argumentojnë me zë të lartë.
Keni patur vështirësi në përshtatje?
Klimatike sidomos, gjashtëmujorin e parë, pasi temperaturat dhe lagështia janë konstante.
Po gatimet tajlandeze, si ju janë dukur? Keni tashmë një pjatë të preferuar?
Kuzhina tajlandeze është e lehtë, e shpejtë për t'u gatuar, një simfoni aromash dhe shijesh. Elemente të ngjashme i gjen kudo në Azinë Juglindore, si rrjedhojë e klimës pak a shumë të njëjtë. Ndër ushqimet e mia të dashura është laksa singaporiane. E qartë, kuzhina tajlandeze ka lënë gjurmën e saj në relievin kulinar botëror.
Ju njiheni si aktiviste e të drejtave të grave, a ka diçka që ju ka bërë përshtypje në stilin e jetesës së grave në Tajlandë?
Ka emancipim eksponencial. Në katër vendet që mbulon misioni ynë diplomatik, rezident në Tailandë e prej këtej edhe Brunein, Malajzinë dhe Singaporin, ka një tendencë të pamohueshme në hapësirën e grave në shoqëri. Në Tajlandë, për shembull, gratë janë gjithnjë e më të dukshme, si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat. Në sektorin privat, ato mbajnë 32% të pozitave të larta drejtuese në kompanitë e mesme, që është më e lartë se mesatarja globale (27%). Tajlanda renditet gjithashtu e dyta në nivel global, për gratë e përfaqësuara në menaxhmentin e lartë, me përqindjen më të lartë të shefeve financiare me 42% dhe vendin e tretë të shefeve ekzekutive (CEO) me 9%. Në sektorin publik, veçanërisht në Ministrinë e Punëve të Jashtme me të cilën ne ndërveprojmë shpesh, ka një numër gjithnjë në rritje të grave në postet vendimmarrëse, duke përfshirë edhe gra ambasadore. Ky trend reflektohet në të katër shtetet që mbulojmë. Ndërsa sfidat mbeten ende, veçanërisht në zonat rurale dhe në industri të caktuara, ku gratë mund të përballen me diskriminim dhe akses të kufizuar në mundësi, fakti është se gratë nuk janë më të heshtura apo të padukshme. Ata po luajnë një rol gjithnjë e më të rëndësishëm, në formësimin e së ardhmes së Azisë Juglindore.
Sa jeni perfeksionuar me gjuhën Thai?
Oh, mos më vini në vështirësi.
Ju keni spikatur gjithmonë për stilin me shije në veshje. A keni huazuar ndonjë element nga jeta aty?
Vlerësimin për mëndafshin artizanal tajlandez, i cili prodhohet në kushtet më miqësore ndaj familjes apo mjedisit, që është e mundur.
Jashtë protokollit, si e kalon kohën Ulpiana?
Do të doja t'i përgjigjem pyetjes suaj me titullin e një libri të shkruar nga një mik, ish-ambasador francez, i cili thekson konceptin se diplomatët "hanë dhe pinë për vendin e tyre". Bazuar në përvojën time, kjo përgjegjësi shtrihet në të gjitha aspektet e punës sonë - si flasim, si sillemi, si shoqërohemi, ne përfaqësojmë në çdo ndërveprim. Do të shtoja se, veçanërisht në rolet me kërkesa të larta ku arritja e "ekuilibrit" mund të jetë sfiduese. Në vend që të kërkoj ekuilibër, unë avokoj për fluiditetin, pra kur periudhat e punës intensive pasohen nga pushime për t'u energjizuar, rritur kreativitetin dhe për të rindezur pasionin për punën. Kjo qasje i lejon një profesionisti të menaxhojë kërkesat e roleve të tyre, duke ruajtur mirëqenien dhe efektivitetin.