A ju ndodhi edhe ju? Rrjetet sociale në internet, Facebook dhe Instagram, kanë rënë nga sistemi pasditen e së martës, duke shkyçur miliona përdorues në mbarë botën. Meta, e cila ka në pronësi të dy platformat, ka konfirmuar se po përballet me probleme.
"Jemi në dijeni për një problem me qasjen në Facebook. Inxhinierët tanë janë duke punuar për të zgjidhur këtë çështje sa më shpejt të jetë e mundur", ka njoftuar kompania me bazë në Kaliforni të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sipas REL. Downdetector, i cili monitoron rëniet nga sistemi të platformave globale, ka regjistruar dhjetëra mijëra raportime të mosfunksionimit të dy rrjeteve sociale. Aktualisht, nuk dihet se çfarë e ka shkaktuar rënien nga sistemi të Facebook-ut dhe Instagram-it, por përdoruesit e tyre po e shfrytëzojnë platformën rivale, X, që dikur njihej si Twitter, për të shprehur zemërimin e tyre. Përveç Facebook-ut dhe Instagram-it, raportohet se as Messenger dhe Threads, po ashtu platforma të Meta-s, nuk janë duke funksionuar.
Një rënie e ngjashme nga sistemi e platformave të Meta-s kishte ndodhur më 2021, kur një problem konfigurimi nuk lejoi përdorimin e Facebook-ut, Instagramit dhe WhatsApp-it për disa orë.