Nga Nada Biraçi
‘Gerta’s Style’ është një ndër llogaritë e Instagramit me një përmbajtje të kuruar, që s’ka asgjë më pak se llogaritë e influencereve të huaja. Në morinë e vajzave që pretendojnë se janë blogere mode, nuk është aspak e vështirë të dallosh Gertën, jo vetëm për atë çfarë shfaq në Instagramin e saj, por edhe si vajza që është gjithmonë e gatshme për të ndërmarrë nisma me tematika sociale. Kjo jo një formë për të plotësuar portofolin e një blogereje, por e tillë është Gerta, e ndjeshme dhe luftarake…
Gerta, krahas asaj për të cilën njihesh më shumë, pra si blogere, për çfarë ke studiuar?
E bukura për mua është frymëzim…E kur flas për të bukurën, jo domosdoshmërisht ka të bëjë me pamjen e jashtme. Zgjodha në bachelor të studioja për Gjuhë dhe Letërsi. Letërsia nuk është ekuacion, ku fundi është i njëjtë dhe i mërzitshëm.E ndërlidh me të bukurën, sepse e gjeja atë te librat, romanet, te pedagogët që përcillnin te ne art. Ndërkohë teksa kreva studimet te filologjiku, diçka më ngacmonte kur përmendej marketingu, e shpesh i bëja një pyetje vetes…Marketingu është shkencë apo art? E kaq më duhej për t’u apasionuar pas tij, zbulova një copëz të saj duke studiuar në Master.
Të kujtohet hera e parë kur mendove se mund të bëheshe një blogere?
Mendimi për të krijuar blogun tim, daton herët, por guximi për ta krijuar atë ishte pikërisht në periudhën e pandemisë. Pak ironike në fakt, duke qenë se kjo ishte një periudhë e vështirë për të gjithë. Por izolimi në shtëpi, hoqi dhe komplekset e mia, për të shpalosur pasionin tim. Një vajzë që punonte në zyrë, tashmë kishte filluar të punonte dhe me pasionin e saj. Larg “syve paragjykues” të kolegëve dhe njerëzve, ndërthurja ëndrrën time, ku e dija që një ditë do të shkonte më larg, se thjesht një ëndërr.
Jemi në një kohë kur termi influencer po përdoret aq shumë, sa gati-gati është kthyer bezdisëse, njësoj sa shprehja ‘më keni pyetur shumë në inbox’ që shumë prej tyre përdorin…Sa e vështirë është të dallosh në këtë vorbull influenceresh profesioniste dhe atyre aspak të tilla?
Në fakt nuk e kisha menduar që do ta thosha ndonjëherë këtë, por vërtetë është shumë e bezdisshme. Ajo çfarë më xhindos më shumë, është kur njerëz pa talent, pa profesion, ftohen nëpër kanale të ndryshme televizive dhe me titra poshtë cilësohen si ‘bloggers’ apo ‘influencers’, e teksa i klikoj t’i shoh në Instagram, nuk shoh aty punë nuk shoh kreativitet. Termi ‘influencers’ përdoret nga kushdo, po përdoret dhe nga ata, që po t’i pyesësh nuk e dinë as çfarë do të thotë realisht ‘influencer’. Ajo çka tjetër më bën përshtypje, janë VIP-at, që dikur përdoreshin si ‘brand ambassador’, apo si imazhe të përcaktuara të një brand-i. Ndërkohë sot po i shohim të sillen në rrjetet e tyre sociale si blogere, duke reklamuar brand-e të ndryshme, e disa prej tyre aspak të besueshme.
‘Gerta’s Style’ është një ndër llogaritë e Instagramit me një ‘content’ të kuruar, që s’ka asgjë më pak se llogaritë e influencereve të huaja? Por, çfarë pune qëndron pas atij Instagrami?
Ohh, ju faleminderit shumë! Nëse do të kalonit një ditë të tërë me mua, me kamera ndezur, do të kuptonit realisht sa punë ka mbrapa saj. E ndoshta do të kuptonin dhe ata që thonë, “punë qejfi, çfarë vështirësie ka të krijosh një video apo një foto? Kjo nuk është një punë e vërtetë”. Por, po, ne ‘influencers’ jemi “shpikja e re”, ne jemi minimedia e re, ku shpesh paragjykohemi për profesionin më të ri në treg.
Shumë prej blogereve ndoshta për çështje sigurie zgjedhin të mos postojnë në kohë reale. Ti nuk ke zgjedhur kështu…
Në Instagram kam qenë dhe do të jem gjithmonë në kohë reale me ndjekësit e mi. Blogu im nuk përbëhet vetëm nga ‘fashion’, por aty brenda gjendet dhe pak, ‘lifestyle’ & ‘travel’. Dhe te kjo e fundit, fakti që përpiqem të jem gjithmonë në kohë reale më penalizon. Pushimet nuk i quaj më të tilla, por i quaj punë. Jam gjithë kohën në telefon apo laptop, duke editur foton apo videon e radhës.
Të kujtohet kontrata e parë që ke firmosur si influencere? Mund ta ndash me ne sa ishte pagesa?
Rritja ime në Instagram ka qenë relativisht e shpejtë. Ndoshta se punova fort, ndoshta se zgjodha momentin e duhur për ta përkthyer Instagramin në blog, ndoshta fat, ose ndoshta pak nga të gjitha. Aty erdhi dhe bashkëpunimi i parë. Ka qenë një brand shqiptar që kishte të bënte me kujdesin ndaj lëkurës dhe flokëve. Pagesa e parë për një foto ka qenë 150€.
Ke ndërmarrë edhe nisma me tematika sociale. Është kjo një formë për të plotësuar portofolin e një blogereje, apo është në natyrën e Gertës për t’u përfshirë në tematika të tilla?
Unë jam natyrë e ndjeshme, edhe pse në Instagram përpiqem të mos e shfaq shumë këtë anë timen. Të sjellësh kauza në rrjetet sociale është aq e lehtë, por në të njëjtën kohë dhe e vështirë. Them e vështirë, sepse kuptoj që po përkthehet në trend. Shumë po shkruajnë apo po postojnë, vetëm për të fituar audiencë. Ndaj sot zgjedh të jem e kujdesshme, kur flas për një temë sociale të caktuar. Nuk postoj diçka në Instagram se duhet, postoj vetëm realisht kur e mendoj diçka apo kur e ndjej se duhet të përfshihem.
Çfarë këshille do t'i jepje dikujt që sapo ka filluar në këtë fushë?
Kjo pyetje për mua ka shumë vlerë, sepse dhe unë do të doja që dikur, t’i ishte përgjigjur dikush pikëpyetjeve që unë kisha, ndaj dua ta trajtoj kështu. Nëse vërtet e ke pasion botën e rrjeteve sociale, merre guximin. Shoqja e afërt do të thotë: Po ka shumë blogere, pse duhet të të ndjekin ty?! Do të ndjekin sepse ti po realizon ëndrrën tënde, sepse çdo njeri është unik. Sepse ti do të jesh autentike. Kolegët do të të përqeshin… Por më beso, atëherë kur t’ia dalësh, do të thonë se dikur të kanë njohur. Si në çdo profesion tjetër, duhet vetëm durim dhe suksesi do të përqafojë shumë shpejt.
Je ti Gerta, një vajzë e lumtur? Cili është definicioni yt për lumturinë?
Kam lexuar diku që destabiliteti sjell lumturi. Kemi fatin të provojmë të gjitha ngjyrat e ndjenjave, herë ndjej trishtim, ankth, e herë kaplohem nga copëza të vogla lumturie. Nëse lumturia do të ishte një ndjenjë e vazhdueshme, fundja ç’kuptim do të kishte? Unë e gjej lumturinë te familja ime, te dashuria, te puna, tek udhëtimet.
Rrjetet sociale janë kthyer në një ambient tejet toksik, sa i përket lirshmërisë që gjithkush ka për t’u shprehur. Si i trajtoni kritikat dhe reagimet negative?
Unë gjithmonë kam thënë: Njerëzit zgjedhin të ndjekin pasqyrimin e vetvetes. Pra dhe fenomenet në TikTok, apo rrjetet sociale, që nuk japin asgjë përveçse vulgaritet, ndiqen nga njerëz që janë po të tillë. Përsa i përket toksicitetit në rrjetet sociale është ana tjetër e medaljes, që duhet të ndeshemi ne që kemi zgjedhur të kemi një profil publik.



















