KreuCelebrity

Iva Kalemi: Rikthimi në ekran me një mision!

Iva Kalemi: Rikthimi në ekran me një mision!

Iva Kalemi

Nga Nada Biraçi

Fotografia: Gent Onuzi

Vendndodhja: Pastiçeri Mon Amour

Përpos qëndrimit, siluetës serioze apo kornizës strikte, t’i japësh identitet një figure lajmesh duket e vështirë, por jo e pamundur. Iva Kalemi, folësja e lajmeve në Klan News ka zgjedhur të sjellë si Iva gjatë spikerimit, misionin për ndërgjegjësimin mbi tema, që janë ende të brishta për shoqërinë tonë.

Iva Kalemi: Rikthimi në ekran me një mision!

Zgjimi herët në mëngjes, për të qenë në studion e lajmeve, mandej vrulli me impenjimet e ditës….çfarë mendon Iva në darkë, kur vë kokën në jastëk?

Po e nis me zgjimin herët në mëngjes. Sfida ime më e madhe është të zgjohen çdo ditë në 5 të mëngjesit, të jem në formë të shkëlqyer më pas, për një transmetim ‘live’ me plot të papritura që nis në orën 7:00. Pavarësisht lodhjes më pëlqen dinamika e mëngjesit, unë në një studio lajmesh dhe në shtëpitë e teleshikuesve, çdo mëngjes së bashku. Pas orës 10:00, dita ime nuk i përngjan aspak Ivës, reflektimit të qetë të imazhit që duhet të përcjell çdo ditë. Midis telefonatave për të ftuarit e së nesërmes, vrapoj pas përgatitjes, gatimit, takimeve të punës, kafeve me miqtë, palestrës, ecjeve të gjata, librit e vjen shpejt momenti i vënies se kokës në jastëk, “Faleminderit Zot” - them që ja dola edhe sot. Kështu kalon edhe një tjetër ditë me mirënjohje për gjithçka kam, familjen dhe miqtë e mi të shtrenjtë.

Përpos qëndrimit, siluetës serioze apo kornizës strikte, t’i japësh identitet një figure lajmesh duket e vështirë, por jo e pamundur. Çfarë ke zgjedhur të sjellësh si Iva gjatë spikerimit të lajmeve?

Të japësh lajme në pamje të parë duket kaq e thjeshtë. Por janë shumë komponentë, që e përbëjnë një moderatore lajmesh. Një figurë që kërkon kohë të piqet, moshë jo nën 35 vjeçe, autoritet, vlera, përgatitje, imazh të pastër, e qartë, zë tërheqës dhe më e rëndësishmja besueshmëri. Disa prej tipareve i kam patur besoj që në uljen time për herë të parë në një studio lajmesh, në vitin 2005. Më pas eksperienca më orientoi atje ku duhej dhe sot jam këtu në Klan, aty ku jam dashur gjithmonë të isha. Unë pikë së pari publikut i ofroj të vërtetën, thjeshtësinë dhe ndërgjegjësim mbi tema që janë ende të brishta për shoqërinë tonë. Këtë të fundit e shikoj si një mision.

Iva Kalemi: Rikthimi në ekran me një mision!

Jeni prej rreth dy dekadash në profesionin e gazetares. Ç’forma ka marrë pasioni për këtë profesion gjatë gjithë rrugëtimit tuaj?

Eksperienca ime në media ka qenë me segmente të shkurtra dhe në profile të ndryshme. Terrenin në një eksperiencë 2-vjeçare, gazetare e lajmeve nga bota për disa vite, 10 vite eksperiencë në përkthim dokumentarësh, por dhe eksperienca në moderim e gazetare. Po e shijoj pa fund këtë periudhë në Klan News. Mund të them me bindje se e ndjej pasionin që kam ndaj punës që bëj çdo ditë, veçanërisht me bisedat në studio, pavarësisht angazhimit të madh dhe intensitetit të punës, që në disa raste është përtej lodhjes dhe ndjen që konsumohesh prej volumit, por nga ana tjetër ti nuk heq dorë prej cilësisë së asaj që do t’i japësh publikut. Besoj se Klan News vendosi pikat mbi ‘i’, që unë nuk do të heq më dorë nga televizioni, më bëri ta dua sërish ekranin si dikur.

Sa i përket karrierës, çfarë këshille do t’i jepje vetes në të 20-tat e tua?

Duhet të kisha qenë më e vendosur dhe largpamëse. Sot nuk vjen mirë që u shkëputa nga ekrani, për një kohë relativisht të gjatë. Rikthimi nuk qe i lehtë dhe që të kapje ritmin gjithashtu. Duhet të jetosh bukur e me mençuri, por pa hequr dorë nga ëndrrat!

Iva Kalemi: Rikthimi në ekran me një mision!

Është një shprehje që; Ndërsa të famshmit përfitojnë të mira materiale nga të qenit njerëz publikë, atëherë duhet të pranojnë që edhe jeta e tyre private të jetë në ‘pjatë’ për publikun që ka kuriozitet…Ju si gazetare, si e shihni këtë lloj ‘ekuacioni’?

Besoj që është diçka që duhet ta pyesësh veten, para se ta ndërmarrësh këtë rrugë. Publiku të bën të njohur, ndaj ka edhe të drejtë të dijë. Duhet sinqeritet, por e bën të vështirë paragjykimi dhe urrejtja në rrjetet sociale së fundmi, për më tepër kur flitet për jetën private të vajzave të ekranit. Nuk ka formulë, pasi varet nga situata dhe rasti.

Në profesionin tuaj shpesh të duhet të jesh në punë në ditë festash, kur të gjithë i mbledh tryeza e familjes…Juve ju ka ndodhur të mungoni në familje në ditë festash, për shkak të punës?

Këtu qëndron edhe vështirësia më e madhe e profesionit tonë. Duhet të jemi në detyrë, pavarësisht momentit, festës, eventit. Ky profesion kërkon mirëkuptimin familjar dhe shoqëror, veçanërisht për ne moderatorët dhe gazetarët e mëngjesit. Ne e nisim më herët ditën dhe e përfundojmë kur të gjithë dalin për argëtim. Vitin e Ri 2023 unë e prita në studion e lajmeve, në mbrëmje vonë, e gjithashtu isha në detyrë të nesërmen në mëngjes, me vetëm 5 orë gjumë për të përcjell Edicionin e Parë Informativ ‘live’. Sakrifica është e madhe, por edhe shpërblimi dhe emocionet që merr në shkëmbim gjithashtu.

Iva Kalemi: Rikthimi në ekran me një mision!

Po festat e këtij fundviti, ku do t’ju gjejnë?

Ah, këtë s’e di ende. Ndoshta sërish në Klan News, e shijova ditën e parë të 2023 në punë. Por pas punës, me siguri në ndonjë udhëtim me miqtë.  

Jemi në muajin dhjetor! A është Iva tipi që futet në atmosferën e festave që në fillim të dhjetorit, apo jeni indiferente?

Unë adhuroj stinën e verës, por dhjetorin e dua shumë sepse është edhe muaji im i lindjes. Fillon festa për mua që më 11 dhjetor, thuajse i gjithë muaji më pas është festiv. E shijoj pa masë, dal çdo ditë në shesh. Më pëlqen t’i sodis njerëzit që vijnë rreth pemës, duke shpresuar e ëndërruar. Jeta është e bukur e s’duhet humbur as ky moment. Është një muaj që të bën të besosh, se plot emocione të bukura do të vijnë më pas…

Cili është kujtimi më i bukur i festave, të cilin e ruani fort në memorie?

Kujtimi më i bukur i festave ka lidhje me fëmijërinë te gjyshërit, teksa mblidheshim të gjithë, këndonim rreth tryezës, merrnim dhurata, ato arushat plastik, palat e fikut, tollja e petëve të bakllavasë. Gjyshërve të mi ia dedikoj gjithë mirënjohjen për fëmijërinë time të lumtur. Kam shumë nostalgji për ato ditë të fëmijërisë kur të gjithë ankohen për prapësitë e tua, e të vetmit janë ata që të pranojnë gjithçka, ashtu siç duhet pranuar çdo fëmijë.

Iva Kalemi: Rikthimi në ekran me një mision!

Po një kujtim jo fort të bukur, gjatë atmosferës së dritave të fundvitit?

Një vit i vështirë ishte ai i 6 viteve më parë, kur Adela, mikesha jonë, u largua nga kjo jetë. Kur humbet dikë që e ke aq pranë dhe e ke patur një mbështetje në jetën tënde, kalon ditë të trishta, nuk është e lehtë. Për më tepër, ajo e donte shumë jetën dhe festat…

Mund të bëni një urim për veten dhe për të gjithë ata që po lexojnë këtë intervistë, me rastin e festave?

Uroj me zemër që 2024 të jetë një vit me sa më pak lajme kronike, që flasin për dhunën ndaj grave dhe fëmijëve në Shqipëri. Uroj një vit me pjekuri më të madhe emocionale për të gjithë ne, por mbi të gjitha një vit të bukur pranë të afërmve tanë, familjes që është edhe thelbi i jetës.

Iva Kalemi: Rikthimi në ekran me një mision!

Iva Kalemi: Rikthimi në ekran me një mision!

Iva Kalemi: Rikthimi në ekran me një mision!

 

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF