Mbrëmja e së enjtes çeli siparin e sezonit të ri të programit ‘Këngë moj’ në Vizion Plus. Natën e parë të sezonit të ri, organizatorët ja besuan artistes së madhe të këngës Manjola Nallbani. Për dy orë me radhë publiku nga shtëpia pati kënaqësinë të shijojë një recital ekskluziv nga artistja e madhe.
Nata e Manjola Nallbanit kishte rezervuar një mbrëmje magjike me këngë popullore- qytetare nga pothuajse gjithë trevat shqiptare e po ashtu edhe disa këngë të muzikës së lehtë.
E njohur për natyralitetin në përshtatjen me këngët e çdo zhaneri, artistja Nallbani nëpërmjet recitalit të saj, solli në vetëm pak metra katrorë studio televizive, të gjithë Shqipërinë. Gjatë performancave ajo u shoqërua herë pas here edhe nga kolegë të tjerë si Aleksanër Gjoka, Juliana Basha, Armaldo Kllogjeri, duke dhuruar kështu një buqetë 100 % ekselente muzike shqiptare.