Eli Fara ka qenë e ftuar te “Rudina” dhe ka promovuar këngën e saj të fundit “Zogjtë po ikin”, ku trajton temën e emigracionit dhe të prindërve që mbeten vetëm e pa fëmijët pranë.
Nga përvoja e saj, këngëtarja kujton se edhe i ati nuk pranonte të largohej nga shtëpia e tij deri në ditët e fundit. “Unë jo që isha afër, isha shumë afër dhe prapë e ndiej veten që ndoshta do bëja më shumë, ndoshta duhet të kisha bërë më shumë. Nuk e di. Fati im që isha afër. Edhe shumë afër jo në fakt se Tirana me Korçën është 3 orë dhe unë në të njëjtën kohë… tani qëkur babai ndërroi jetë, që ditët e para që u ktheva në Tiranë më mungonte zilja e telefonit.
Kishte një gjë që nuk shkonte në përditshmërinë time. Arsyeja përse i binte telefonit ishte menjëherë kur ishte mirë thoshte ‘mos u tremb se mirë jam, por mora të të pyes si je ti?’. Ose tjetra që nuk jam mirë. Më mungon”. Unë mendoj që babai im është akoma atje. Sigurisht që ndiej mall por nuk e pranoj që ka ikur dhe besoj që nuk do ta pranoj deri në fund”, theksoi ajo.
Përjetimi i largimit të tij nga jeta ka qenë tepër i vështirë për Elin, e cila gjatë periudhës së Covid-it humbi edhe nënën. “Me eksperiencën time, mendoj që të ndryshon jeta komplet. Mbetesh vërtet jetim. Gjëja më e shtrenjtë dhe dashuria më e vërtetë janë vetëm prindërit. Kur i kemi mendojnë që janë të përjetshëm, por nuk janë. Mendoj që lum ai që e përjeton dhe shërben, sakrifikon për prindërit”.