Michael Bublé është një superstar dhe këngëtar i dashur në mbarë botën. Plot dy dekada që nga lançimi i albumit të tij të parë në vitin 2003, ai ka shitur më shumë se 75 milionë disqe dhe ka fituar katër çmime Grammy. Tashmë ai i është kthyer koncerteve në turneun e tij botëror, duke celebruar suksesin 20-vjeçar.
I njohur për zërin e tij që shkrin zemrat, e sidomos për këngët e dashurisë, Bublé është një artist që ka luftuar fort, për të fituar vendin që ka sot në tregun muzikor botëror, por kjo nuk ka qenë aspak e lehtë.
Që kur ishte ende një adoleshent, ai ishte i dashuruar me Dean Martin, Bobby Darin, Frank Sinatra, Harry Connick Jr, Ella dhe Louis Armstrong, por mbi të gjithë ai e donte Elvis Presley-in. “Gjyshi im, i cili ishte hidraulik, më fuste fshehurazi nëpër klube nate dhe bare, bënte punë falas, në mënyrë që pronarët e klubeve dhe muzikantët, të linin një fëmijë 16-vjeçar të hynte në skenë dhe të këndonte me ta”, rrëfen Bublé. Edhe pse ishte ende një adoleshent, e kishte kuptuar se muzika ishte pasioni më i madh i jetës, sidomos për faktin që kishte një zë unik.
Por jeta e tij do të ndryshonte 360 gradë, kur Michael McSweeney, ndihmësi i ish-kryeministrit kanadez Brian Mulroney, pa performancën e Bublé në një festë. Ai ja tregoi gruas së tij dhe një vit më pas u ftua për të kënduar në dasmën e vajzës së tyre, ku edhe u prezantua me David Foster, një producent fitues i çmimeve Grammy, i cili kishte punuar më parë me artistë, si: Madonna, Whitney Houston, Michael Jackson, Céline Dion, Barbara Streisand dhe Andrea Bocelli. Producenti hezitoi të nënshkruante me Bublé, sepse nuk e dinte nëse do të pëlqehej kjo lloj muzike, por një vit më pas, kur Bublé u transferua në Los Angeles, ai ra dakord të prodhonte një album, i cili vulosi karrierën e ardhshme të artistit të ri.
Tani një artist, por edhe baba shumë ambicioz, Michael Bublé është 89 për qind të ditës një prind. “Unë jam shumë i dhënë pas familjes, dua të kaloj kohë me ta. Më pëlqen të relaksoheni në shtëpi, të pi një gotë uiski me miqtë e mi apo të luajtur golf ose hokej”. Prej vitesh, Blunt është martuar me aktoren argjentinase Luisana Lopilato, me të cilën ata kanë katër fëmijë, dy djem dhe dy vajza. Kur e pyet cila këngë e tij lidhet me një kujtim të lumtur të jetës së tij, ai e ka shumë të qartë. “Kënga titullohet ‘Nuk të kam takuar akoma’ i vitit 2009 dhe më kujton gruan time, sepse e kam shkruar për të. Më kujtohet, ishte hera e parë që fluturova për në Argjentinë, për t’u takuar me të. Gjatë udhëtimit, tekstin e përktheva në spanjisht përmes kompjuterit dhe kur e takova i thashë: E kam shkruar këtë këngë për ty”.
Asgjë nuk ka qenë kaq e lehtë për të sa sot, pasi alteregoja e superheroit Bublé u vu në kritikë, kur djali i tij i madh Noah u sëmur. Ai vendosi të tregonte publikisht për sëmundjen e të birit, pasi la në mes turneun e tij, duke deklaruar se ishte koha të kujdesej për të birin, i cili asokohe ishte në gjendje të keqe shëndetësore. “Kur djali im u sëmur, unë u ndjeva hiç. E di që njerëzit duan të dinë shumë për jetën tonë përtej skenës dhe dritave, zakonet brenda familjes, sesi sillemi me miqtë, ndaj nuk ngurova të ndaja me të gjithë dhimbjen time”, kujton artisti. I biri kaloi një moment të vështirë, por sot kur e kujton, beson se nëse do të kishte ndodhur diçka e keqe, për të jeta artistike do të kishte mbaruar. Por, sot ndihet i çliruar nga ai mallkim. “Kur u ktheva për herë të parë në skenë pas sëmundjes së djalit, eca në skenë dhe aty e ndjeva veten, se edhe unë si të gjithë isha i pambrojtur nga fatkeqësitë, ndaj e dhashë atë mesazh publikisht, jo për të treguar që unë isha një superhero. Fundja, të gjithë prindërit janë superheronj për fëmijët e tyre, kjo është një ndjenjë kaq e bukur; kaq e mrekullueshme dhe çliruese”.
Së fundmi, ai ka një parfum me emrin e tij, por derisa ka arritur te kjo aromë, e cila përmban gjithë shijet e artistit, padyshim që ai ka një kujtim në lidhje me fragrancat e tij të preferuara. “Kur isha 13 vjeç mbaja parfumin ‘Obsession’ të Calvin Klein. Është e çuditshme sepse kur e nuhat tani, më ngjan kaq romantike. Nuk ka asgjë si pafajësia dhe ai potencial i dashurisë së re, ku çdo vajzë do të doja të bëhej gruaja ime”. Ai kujton gjithashtu esencën e myshkut të bardhë, një aromë nga “The Body Shop” që e mbante shpesh gjyshja e tij. Ishte aq e parezistueshme për të, sa kur ishte i vogël, kursente lekët për të blerë një shishe për Krishtlindje. “Pasi gjyshja vdiq, çdo Krishtlindje blej një shishe myshku të bardhë dhe shkoj në varreza. Më mungon çdo ditë”, tregon artisti.



















