Rita Ora ka dhënë së fundmi një intervistë për podcastin “Brave New World” dhe ka folur ndër të tjera për sulmet e panikut që i ndodhin dhe se çfarë bën për t’u përballur me to çdo herë.
Ylli i muzikës botërore u shpreh se tashmë ka ‘mësuar të njohë’ shenjat e një sulmi paniku, pasi ka përjetuar për shumë vite momente të rënda nga stresi, teksa ka zbuluar metodat e ndryshme që ajo përdor për të menaxhuar mirëqenien e saj.
Rita tha se merr pjesë rregullisht në sauna me rreze infra të kuqe 40-minutëshe, e ndjekur nga një zhytje ose dush i ftohtë. “Kam shumë ankth, por mendoj se të gjithë në vendin tim e kanë, të jem e sinqertë. Mendoj se tani është shumë bukur që këto lloj bisedash tani janë të lirshme, madje ka ditë që janë më të mira se të tjerat”, tha këngëtarja.
“Tani kam mësuar të kuptoj kur do më ndodh një sulm paniku. Më parë ende ndihesha sikur ishte diçka e huaj për mua. Unë bëj shumë akupunkturë dhe thjesht marr frymë dhe shtrihem diku për rreth 20 minuta. Unë e dua mjekësinë kineze dhe përpiqem të inkorporoj shumë metoda të ndryshme”, shtoi Rita.
Rita Ora ka ndarë vështirësitë e saj me shëndetin e saj mendor edhe përmes teksteve të albumit të saj të tretë “You and I”, i cili u publikua në vitin 2023, duke zbuluar se ajo iu nënshtrua trajtimit pasi humbi një pjesë të vetes gjatë viteve të vrullshme në karrierë.



















