KreuFashion

Timothée Chalamet, fytyra e re e Bleu De Chanel!

Timothée Chalamet, fytyra e re e Bleu De Chanel!

Frika i pushton të gjithë, madje edhe Timothée Chalamet, fytyra e re e Maison Coco për parfumin Bleu De Chanel. Aktori, simbol i gjeneratës Z, zbulon anën e tij më njerëzore teksa nis aventurën e tij në botën e parfumeve. Me shikimin e ndrojtjes së adoleshencës dhe sharmit joshës, ai ngjall simpati ngado. Ardhja e tij në shtëpinë e modës u zyrtarizua pasi aktori francezo-amerikan 27-vjeçar, u shfaq në filmin “Call Me by Your Name”, duke marrë gjithë vëmendjen. Fushata publicitare u xhirua nga Mario Sorrenti, ndërsa filmi i reklamës me regji të Martin Scorsese do të shfaqet këtë vjeshtë. Chalamet merr trashëgiminë e Gaspard Ulliel, aktorit 37-vjeçar që vdiq tragjikisht në janar 2022 në një aksident skish. Ylli i ri sjell disa kontraste në profilin e tij, me një fytyrë adoleshenti me kaçurrela kapriçioze, por ama me një karrierë të konsoliduar, duke u kthyer në një emblemë të brezit të tij.

Kjo fushatë është bashkëpunimi juaj zyrtar me një shtëpi mode, pse zgjodhët të jeni një ambasador bukurie?

Kur më pyetën fillimisht, nuk ishte e nevojshme të më bindnin. Sepse nuk ishte ndryshe nga pranimi i një ftese për një film. Jam në një moment të karrierës sime, ku kam mundësi të zgjedh vetëm projektet që kam pasion dhe kur ato janë interesante për mua, kjo më mbush me entuziazëm.

Timothée Chalamet, fytyra e re e Bleu De Chanel!

Gabrielle Chanel thoshte: "Moda kalon, stili mbetet…”

Ky është një slogan i shkëlqyer dhe mendoj se do ta përdor edhe unë. Chanel është një markë, për të cilën mund të flitet në një kurs në universitet. Mbaj mend që në një kurs antropologjie pamë sesi në disa marka produkti, imazhi dhe narrativa janë të integruara dhe të ndërlidhura në mënyrë të përkryer. Së fundmi kur shkova në butikun Chanel në Beverly Hills, dallova një ndjenjë respekti klasike e cila ishte kaq e prekshme.

Çfarë kishte ndryshe kjo eksperiencë krahasuar me filmin?

Isha shumë entuziast, sepse kjo shtëpi mode ka një lidhje kaq të fortë botën e kinemasë. Kjo reklamë e Chanel më dha mundësinë për të punuar një film të frymëzuar nga Bleu De Chanel, me regji të Martin Scorsese, regjisorit më të madh amerikan të kohës sonë.

Si ndiheni kur përdorni Bleu De Chanel?

Bleu De Chanel, për mua ka një qëllim specifik pas atij bazik si parfum: nuk e mbaj gjatë gjithë kohës, por kur e mbaj, ai bëhet emblematik, më sjell momente me njëfarë nostalgjie.

Timothée Chalamet, fytyra e re e Bleu De Chanel!

A keni ndonjë kujtim nga fëmijëria juaj i lidhur me një aromë që ju ka mbetur në mendje?

Motra ime ndiqte shkollën e vallëzimit në Mougins, e cila gjendet në jug të Francës, dhe mbaj mend që nëna jonë na çoi një herë në një parfumeri në Grasse. Më pëlqeu vërtet ajo përvojë dhe ajo që mbaj mend ishte ndjesia prej druri kedri që shpërhapej në dhomën time të gjumit, e cila më pas përfundoi aksidentalisht në rrobat e mia…, ishte një aromë e jashtëzakonshme. Është një ndjenjë shumë franceze dhe nostalgjike.

Cili është kujtimi juaj i parë nga një parfum Chanel?

Kur gjyshja ime i dha motrës sime për Krishtlindje Chanel N°5.

Kur bëhet fjalë për karrierën tuaj, a i dorëzoheni frikës?

Unë besoj se nëse diçka nuk të ngjall frikë, do të thotë se nuk të prek sa duhet.

Timothée Chalamet, fytyra e re e Bleu De Chanel!

Cili është personazhi që keni luajtur me të cilin ngjani më shumë?

Në fakt sekreti i kinemasë është që në një farë mënyre, shikuesi të jetë në gjendje të identifikohet me shumë me veten, sesa me ne si individë. Për shembull, edhe pse ndoshta nuk është e lehtë të identifikohesh me kanibalin në Bones and All ose me çokollatën ekstravagante në Wonka, besoj se secili prej nesh e gjen veten diku. Edhe unë po ashtu, dua të jem shumë konkret në të gjithë personazhet që luaj.

Ju jeni i pasionuar pas librit, mendimtarëve si: Fjodor Dostoevsky dhe George Orwell, çfarë ju tërheq nga letërsia?

Filozofia më ka intriguar gjithmonë. E shoh si një mjet për të kuptuar, se si jemi në një moment të caktuar. Shumë prej librave më kanë rikthyer kuptimin e jetës, në momente të caktuara. Ato na ndihmojnë të përballemi me çdo gjë, i japin kuptim jetës sonë dhe kuptojmë drejtimin që duhet marrë. Në universitet më ka pëlqyer Arthur Schopenhauer, vepra e tij është një shembull i shkëlqyer i nihilizmit ekzistencial, po ashtu poeti francez Arthur Rimbaud, i cili shkroi veprat e tij më të mira kur ishte 19 ose 20 vjeç.

Për çfarë jeni kurioz për momentin?

Jam shumë i interesuar se si jetonin njerëzit në Nju-Jork në vitet 1960! Unë jam duke u përgatitur të luaj Bob Dylan në "A Complete Unknown", imagjinoj se si duhet të ketë qenë qendra e qytetit në atë kohë, edhe sepse të jetosh aty sot është kaq e shtrenjtë. Më kuriozon fakti sesi duhet të ketë qenë të jetoje atje, si ishin qendrat e artit dhe kulturës? Kjo ndoshta vjen edhe nga fakti sepse unë jam rritur në një Nju-Jork ndryshe.

Për çfarë ndiheni mirënjohje për atë që keni arritur deri tani?

Jam mirënjohës për gjithçka që kam tani, sidomos edhe për faktin se e di se ku do të fle natën dhe që mund të vazhdoj të bëj atë që dua. Jam mirënjohës që filloj këtë bashkëpunim me Chanel dhe që do të jem një pjesë e vogël e trashëgimisë historike dhe prestigjioze të shtëpisë së njohur të modës, duke ndihmuar në krijimin e një kapitulli tjetër të Bleu De Chanel.

 

 

Bordo No.64
Nëntor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF