KreuBordo Men

Ekskluzive/ Big Basta shuplakë kolegëve: Jam kundër këngëve për paranë e shpejtë dhe jetën luksoze!

Ekskluzive/ Big Basta shuplakë kolegëve: Jam kundër

Nga Nada Biraçi

Fotografia: Gent Onuzi

Vendndodhja: Bar Colonial

Edhe pse prej 6 vitesh gjatë jetesës në Zelandën e Re, Big Basta zgjodhi një jetë më diskrete artistikisht, në këtë intervistë për “Bordo” ai rrëfen se ka qenë një vëzhgues i heshtur, i asaj çfarë ka ndodhur në muzikë në vendin tonë. Geri është optimist, por nga ana tjetër nuk i kursen disa kritika rreth devijimit të herë pas hershëm të asaj çfarë serviret jo rrallë në klipe e këngë, që japin mesazhe të gabuara si paraja e shpejtë dhe jeta luksoze. Big Basta zgjodhi që rikthimin e tij artistik ta nisë me pjesëmarrjen në “Festivalin e Këngës”, e mandej planet do të pasojnë njëri-tjetrin sepse ‘Big is back’…

Ekskluzive/ Big Basta shuplakë kolegëve: Jam kundër

Pas 6 vitesh jetese në Zelandën e Re, ju vendosët të ktheheshit në Shqipëri. Ky rikthim është përfundimtar?

Po është e vërtetë. Kam jetuar në një vend të largët, ku mrekullia natyrore ndërthurej me qetësinë shpirtërore. Por në fakt, edhe pse larg syrit, zemrën e kisha gjithmonë këtej, madje edhe shpesh kam qenë prezent me punime të mijat, si, “100 Vjet Tirana” si projekt në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë dhe “Një Hap Përpara (Rikthimi)” me Renis Gjokën. Nuk di të them nëse nuk do të shkoj më larg Shqipërisë, sepse jeta është shumë e gjatë, por e di që bota është shumë e vogël dhe kudo është njësoj. Unë eci me moton “Home is Ëhere You Make it”.

Cila ishte arsyeja e largimit dhe cila është arsyeja e rikthimit në vendlindje?

Shumë e thjeshtë, doja një opsion të dytë për familjen time. Doja një vend ku e drejta e njeriut është shumë e theksuar, dhe madje larmia kulturore dhe etnike është thesar. Pra, në një farë forme, doja të rritesha dhe t’i dilja përgjegjësive vetëm, gjithmonë me përkrahjen e madhe të partneres sime Vesës, edhe të dashurisë që na jep djali ynë Lian. Arsyeja e rikthimit është shumë e thjeshtë. Na mungonte familja e madhe, na mungonte Shqipëria, e cila me të mirat dhe të metat që ka, është shtëpia jonë ku lindëm e u rritëm, dhe i detyrohemi sadopak të kontribuojmë për ta zhvilluar.

Ekskluzive/ Big Basta shuplakë kolegëve: Jam kundër

Juve personalisht për çfarë ju shërbeu më shumë kjo eksperiencë e të jetuarit jashtë për një farë kohe?

Nga ana personale, u rrita mjaft dhe u njoha me botën dhe me kulturat e ndryshme. Por edhe jam i lumtur, që kam krijuar shoqëri mjaft të ngushtë edhe me shqiptarët fantastikë që jetojnë atje, dhe që i falënderoj gjithmonë për suportin e dhënë ndaj meje dhe familjes sime. Nga ana artistike, frymëzimi u shtua, por gjithashtu edhe ndihmoi mjaft në rikonceptimin e Big Bastës.

Ndryshe nga Vesa, ju personalisht zgjodhët një jetë më diskrete artistikisht gjatë qëndrimit atje. Mund të ndani me ne aktivitetin apo impenjimin profesional që kishit gjatë qëndrimit në Zelandën e Re?

Unë mendoj se çdo artist ka nevojë shumë të bëjë një pauzë për t’i ikur përsëritëses, sepse edhe për tregun është vrastare, si koncept. Shqipërisë i duhen artistët, që krijojnë trende dhe rrisin brezat e rinj me pozitivitet dhe shpresë, por gjithashtu edhe të mos marrim shabllon kulturat e tjera dhe t’i sjellim pa i adaptuar me kulturën tonë, sepse janë mijëra vite kulturë mbi supet tona, që duhen mbrojtur me fanatizëm. Sa i përket impenjimit, gjithmonë kam qenë prezent në video dhe foto me kompani prestigjioze të Auckland.

Ekskluzive/ Big Basta shuplakë kolegëve: Jam kundër

Por me siguri keni qenë një vëzhgues i heshtur, i asaj çfarë ka ndodhur në muzikë në vendin tonë, gjatë viteve që ju nuk ishit këtu…

Po, patjetër! Kemi shumë nevojë të ruajmë vlerat tona, dhe jo t’i përbaltim ato me lakuriqësi apo iluzione për brezin e ri. Kjo ka ndodhur shpesh në artin ‘mainstream’, ose në këngët që prodhohen. Aspak nuk i gjeneralizoj, por kryefjala ka qenë shpesh paraja e shpejtë dhe jeta luksoze. Gjithashtu kam parë një ngritje të madhe cilësie dhe jam i lumtur që organizimi i këngëve, klipeve dhe publikimeve të tyre është më i rregullt. Unë jam shumë komod me pozicionimin tim tanimë si rapper social, por do të doja shumë që të ketë akoma më shumë si karakteri im. Duhet të shërojmë veshët dhe shpirtrat e djegur, dhe t’u themi fëmijëve të shkojnë në shkolla, ta duan jetën dhe mos iluzionojnë paratë e shpejta, sepse nuk është zgjidhje afatgjate. Duhet të ndikojmë në hapjen e shumë qendrave argëtuese për to, dhe gjithashtu t’i largojmë nga veset e këqija, por mbi të gjitha ta duan shtëpinë e tyre dhe vendin e tyre, e mos ta përbaltin.

Një trekëndësh jete; Zelandë, Shqipëri, Kosovë, çfarë i karakterizon secilin prej këtyre shteteve?

Jeta sociale, padyshim. Ndryshojnë mentalitetet, por jo edhe aq sa i promovojnë dukshëm nëpër biseda. Thjesht mendoj se po të gjejmë një balancë në përmirësimin e shëndetit mendor dhe në mirëmbajtjen e natyrës, do të jemi shumë të ngjashëm si trekëndësh.

Ekskluzive/ Big Basta shuplakë kolegëve: Jam kundër

Po djali juaj Lian, si e ka përjetuar këtë sagë ndryshimesh në jetën tuaj? Është përshtatur mirë ai?

Po, dhe i jemi shumë falënderues sesa i vogël është dhe sa i kuptueshëm tregohet. Jemi krenar si prindër.

U bënë ca muaj që jeni rikthyer në atdhe. Çfarë po ju bën më shumë përshtypje këto kohë, gjatë qëndrimit në Shqipëri?

Estetikisht jam mahnitur me ndryshimin, por kemi në dorë vetë si shoqëri t’i minimizojmë dramat dhe të kemi disa ditë pa lajme. Do të ndihmonte shumë. Çfarë më ka bërë përshtypje në Zelandë ishte se, jepen lajme vetëm 2 herë në ditë, ndërsa këtu kemi dhjetëra kanale që i dedikohen vetëm lajmeve 24/7. Aty nuk jepen lajme për vetëvrasje, ndërsa këtu ka mbulim ‘live’ për to. Nëse mediat e kanë të pamundur ta kuptojnë rolin që kanë në shoqërinë tonë, atëherë le t’i fikim televizorët dhe do të jemi më të lumtur. Por problemi qëndron se nëse mediat realisht e dinë rolin dhe ndikimin që kanë, dhe qëllimisht e mbjellin frikën dhe tensionin, atëherë është fatale.

Jemi në vigjilje të Festivalit 62, ku ju dhe Vesa do të jeni pjesë e garës. Çfarë pritshmërish keni për këtë eksperiencë? Bigu dhe Vesa në Eurovision?

Normale që të hysh në një garë vetëm me qëllim pjesëmarrjen, nuk e kemi në axhendën tonë artistike. Por si profesionistë, i kushtojmë vëmendje me radhë të gjitha elementëve që duhet të na japin suksesin që duam, nga nota e parë muzikore deri te performanca në festival. Përveç faktit se kam Vesën, pop star shumë të dashur nga publiku dhe që është gjithashtu gjysma ime në jetë, kjo këngë është shpirtërore edhe me faktin se, bashkëpunuam për muzikë me të njëjtët bashkëpunëtorë që kam realizuar këngët e para të karrierës sime, Alban Kondin dhe Fabian Bashën. Pra, një rikthim i konceptuar pozitiv që në gjenezë.

Ekskluzive/ Big Basta shuplakë kolegëve: Jam kundër

Cilit prej emrave në garë u frikësoheni më shumë? Nëse s’do të jeni ju fituesi cili/a e meriton fitoren?

Ka mjaft artistë të mirë, si, Elsa, Besa, Kastro, Shpat Deda, por edhe artistë të rinj të cilët kanë talent të jashtëzakonshëm. Nuk veçoj dot asnjë në këtë garë. Nëse ne nuk fitojmë, atëherë do ta marrë dikush që e meriton. Unë gjithmonë kam qenë besues dhe promotor i profesionalizmit që karakterizon Festivalin Kombëtar. Ai është festivali i gjithë shqiptarëve dhe vlerësimi i të gjithëve merret për bazë, por gjithashtu juria e profesionistëve, janë për t’u admiruar se sa shumë kujdesen të vlerësojnë mirë dhe meritueshëm.

Festivali i Këngës shpesh bëhet temë diskutimesh edhe aludimesh për zgjedhjen e fituesit. Edhe ky edicion nuk shpëtoi pa një tymnajë të tillë, ku sipas mediave online dy kolege hoqën dorë nga gara pasi u aludua se fituesi/ja është zgjedhur….

Ekskluzive/ Big Basta shuplakë kolegëve: Jam kundër

I kam ndjekur me interes të rejat e fundit dhe nuk e di nëse më takon të shprehem për aludime apo vendimet e artistëve që u tërhoqën. Është e drejta e çdokujt të konkurrojë apo edhe të tërhiqet.

Planet artistike pas Festivalit të Këngës?

Jam duke punuar për disa projekte personale, të cilat pres të më sjellin albumin e ri. Video të reja në horizont, por edhe një 2024 plot pozitivitet dhe këngë të bukura me frymëzim global.

Mund të ndani me ne ndonjë ekskluzive në jetën personale dhe në karrierë?

Vazhdoj të jem falënderues që kam një familje të mirë dhe të shëndetshme, të tjerat i kam në plan të dytë, por patjetër që do t’ju sjell lajme dhe ekskluzivitete sa herë që i bëj konkrete. Ju falënderoj shumë për intervistën e mrekullueshme dhe i uroj të gjithë shqiptarëve sa më shumë lumturi. Big is back!

Ekskluzive/ Big Basta shuplakë kolegëve: Jam kundër

 

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF