Nga Ilda Lumani
Korça është një nga qytetet e mi të preferuar, në të cilin sa herë që shkoj përveç kënaqësisë, ka gjithmonë diçka për të zbuluar.
Të mjaftojnë qoftë edhe 24 orë për t’u shkëputur nga Tirana, nga jeta e përditshme, për t’u mbushur me ajër të freskët shtatori (vjeshta vjen më herët atje!), për të eksploruar të tjera hotel/boutique, restorante, ku muzika ‘live’ qytetare është një nga elementët e padiskutueshëm në këtë qytet, për të shijuar mëngjeset e veçantë dhe mandej për të zgjedhur një vend arti, të cilin ende nuk e ke zbuluar!
Pak kohë më parë kisha parë fotografitë e Vilës së famshme të Rakos, - tregtarit të suksesshëm korçar Irakli Qirjako (Rako) dhe isha mrekulluar. Ndërtuar në vitet ‘30- pranë ish-kishës së Shën Gjergjit, vila e dekoruar me afreske të mjeshtrit Sotir Zografi (pasardhës i piktorëve Kostandin dhe Athanas Zografi), sot mban emrin “Tresor Art Boutique”. Ngasja për ta vizituar, i kaloi pritshmëritë!
“Tresor Art Boutique” është një nga destinacionet më të veçanta të akomodimit dhe takimit me kulturën, artin e bukur të pikturës murale e arredimit klasik, që e bën të jetë një nga vendet jo vetëm luksozë, por plot shije e identitet, dëshmi e historisë së këtij qyteti, por dhe përkujdesjes, investimit njerëzor (nga pronarët aktualë), që i japin prestigj qytetit!
Çfarë kënaqësie, që të gjesh në Shqipëri ‘boutique hotels’ të ngjashme me ato në botë. Sot, Korça është një vend frymëzimi, një qytet, që në çdo cep do të gjesh diçka që e admiron, diçka që do ta doje në qytetin tënd. Shtëpizën me shkallët e vogla, saksitë me lule që mbushin dritaret dhe shkallët, dyert e punuara, portat unike...
Të tjera vila rreth e rrotull zonës turistike, tërheqin po aq. Secila me karakteristikat e saj, secila për të ofruar më të mirën që ky qytet ka; kulinari, akomodim, kulturë! Ajo nuk mungon në asnjë nga vendet, hotele & restorante, tashmë të identifikuar prej kohësh në qytetin juglindor. Sekush ka të preferuarin e tij dhe gjen e merr diçka me vete, kur ikën nga Korça!
Art
Pas mëngjesit që yjet i merr pa komision, një vizitë në një nga qendrat e artit, është një ‘must’. Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar ishte për mua zbulimi i radhës. Që në momentin që hyra në të u ndjeva si në një muze europian, një arkitekturë mbresëlënëse, që të ftonte të shijoje fondin e artë e veprave ikonografike, të cilat datonin që në shekullin e XIII, nga autorë anonimë, e deri te kryeveprat e piktorëve Onufri, Kostandin Shpataraku, vëllezërit Zografi, Onufër Qiprioti, mësues Kostandini, Jeromonaku, Selenicasi, të ndara sipas pavionëve, edhe vizualisht përmes bojës së mureve.
Përgjegjësi i muzeut na shoqëron në një guidë historike mbresëlënëse, ku kureshtje nuk zgjon vetëm vepra apo historia e autorëve, - mes të cilëve ajo e Onufrit, një nga piktorët më të famshëm të kohës në Ballkan, i vlerësuar dhe njohur nga gjithë Europa, djalit të tij që vijoi artin e të atit, apo David Selenicës, personazhit të njohur të filmit “Kohë e largët”, interpretuar nga Ndriçim Xhepa”, - por më intrigojnë gjetja e shumë ikonave. Të ruajtura në shtëpitë e njerëzve apo dhe kisha, ato iu rikthyen muzeut, por gjetja mes objekteve si derë hauri për kafshët, sigurisht që bën diferencë. Apo dhurimi i një prej veprave të vëllezërve Zografi, e cila vlerësohet rreth 200 mijë euro, janë detaje që rrisin aureolën e këtyre objekteve.
Restaurimi i këtyre veprave nga specialistët, apo më e veçanta e restauruar në Luvër, e cila cilësohet si një Mona Lisa e ikonografisë, duke i kthyer në jetë këto vepra, të mbledhura në këtë muze të mrekullueshëm, është një përvojë e rrallë. Pa më të voglin hezitim, ky Muze duhet të përfshihet në aktivitetet kulturore të shkollave publike e private. Por përmes këtij shkrimi, uroj të kthehet edhe në një ngacmim për të gjithë ata si puna ime, që e duan artin dhe që ndonjëherë i shohin me vonesë të tilla kryevepra!
Deri në takimin e ardhshëm, do të ruaj këto kujtime të një 24-orshi arti, kulture dhe tradite, ‘Made In Korça’!