Vetëm 50 kilometra larg kryeqytetit, shijoni ditët e fundit të verës mes turizmit kulturor në muret e kalasë së Bashtovës, natyrës ende të paprekur të kësaj zone, si dhe shumë atraksione krejt të panjohura për shumë vizitorë.
Krah autostradës, në fshatin Gosë, shumë pranë Kavajës, një kthesë në të djathtë të fut në një rrugë prej nga ndihet piskama e gjinkallës, ndërsa një fllad i freskët të përqafon përmes një peizazhi të mbushur me pemishte e gjelbërim. Vetëm pas pak minutash, 10 minuta më vonë nisin e shfaqen kullat e një kalaje, e cila nis e merr formë për syrin kur je para dyerve të saj. E përhirta e gurit në mes të gjelbërimit i japin akoma më shumë pompozitet kalasë së Bashtovës. E vendosur pranë fshatit Vilë Bashtovë, ajo gjendet në një pikë strategjike, vetëm 3 kilometra larg grykëderdhjes së lumit të Shkumbinit. Makinat varg zbresin poshtë ujdhesës detare të Adriatikut, e cila në fakt është e mbushur më shumë me pushues familjarë që preferojnë qetësinë. Me një varg pishash që shtrihet si kurorë përgjatë bregut, ky vend është kthyer në një pikë turistike mjaft joshëse, ndërsa infrastruktura ende nuk ka një formë të qartë, ajo që të has më së shumti syri janë kampert me targa të huaja. Vizitorët dhe vendasin përzihen mes tyre, ndërsa në këtë sezon mes mbylljes së verës dhe fillimit të vjeshtës, banorët e zonës, të cilët merren më së shumti me mjete bujqesore, vrapojnë të mbyllin punët e ditës.
Padyshim destinacioni më interesant në aspektin historik është kalaja e Bashtovës, e ndërtuar në shekullin XV ajo ka qenë një fortesë tipike veneciane, e cila u ka shërbyer venedikasve si një tranzit për shkëmbime tregtare. Kur e ndjek përqark, sheh sesi në Perëndim dallohen më shumë dy kullat vrojtuese, por nga lart, dallohet se forma katërkëndore e kalasë, vërteton se ajo ka qenë një mburojë ndaj sulmeve. Me mure jo shumë të lartë, por tipike për një kala tipike fushore, ky monument kulture reflekton qartazi gjurmët e një qytetërimi të zhvilluar. Ekspertët e kategorizojnë atë si e vetmja e këtij lloji në të gjithë Ballkanin, pasi shumica dërrmuese e tyre janë ndërtuar mbi kodrina ose male, ndërsa kjo është vetmja fushore. Nga muret mund të shohësh në pëllëmbë të dorës bregdetin, pishat që shtrihen përqark vijës bregdetare, duke krijuar një korridor të gjelbër. Kjo e bën edhe akoma më interesante faktin se shumica e pushuesve gjatë verës preferojnë të pushojnë nën freskun dhe ajrin e pishave, në vend që të ulen nëpër shezlone. Një numër i madh kamperash të huaj, kanë vendosur të ndalojnë aty duke krijuar një ambient tipik familjar: një tavolinë ngrënie, një skarë për të pjekur peshkun e sapo nxjerrë nga deti apo ndonjë shtroje për të pushuar.
Ushqimet tipike të zonës janë kryesisht ato me bazë bujqësore, sepse kjo pjesë e ultësirës Perëndimore është dalluar ndër shekuj për produkte vegjetale, por po ashtu edhe mishin e peshkun që janë pjesë e pandarë e ekosistemit. Mund të shijoni një drekë në një ndër lokalet e vendosur në zonat turistike, që ofrojnë restorante dhe shërbime hotelerie. Por një eksperiencë që duhet provuar janë pjatat me bazë kërmijtë. Shumë ferma kultivojnë kërmijtë duke i kthyer në një biznes fitimprurës, kjo sepse kjo zonë ka lagështirë të mjaftueshme për mbarështimin e tyre. Ferma e Stavri Lalës është një nga më të njohurat, një biznes i vendosur në një sipërfaqe prej disa hektarësh, ku ai mbarështon prej vitesh ekzemplarë të rrallë të kërmillit dhe më pas i tregton ato kryesisht jashtë vendit. Provoni gjithashtu një eksperiencë unike në Kodrën e Godenve, një vilë vendosur mbi kodër prej nga mund të shijosh gjelbërimin, vreshtat që shtrihen përqark, e një liqen të vogël që ndodhet pak metra në të poshtë. Edhe pse hoteleria nuk ka ndonjë zhvillim shumë të madh krahasuar me Jugun e vendit, pjesa më e madhe e banorëve vendas, i kanë transformuar banesat e tyre në mjedise pritëse gjatë sezonit të verës. Nëse doni më shumë mundësi akomodimi, mund të zhvendoseni në pjesë veriore, drejt Spillesë, ku hoteleria dhe shërbimi kanë një zhvillim më të madh.
Kjo zonë konsiderohet si vendi ku rritet dhe shumohet një nga shpendët më të rrallë dhe më të mëdhenj në Evropë, Pelikani kaçurrel. Me një gjatësi trupi 160 deri 180 centimetra dhe gjatësi të hapjes së krahëve 270 deri në 320 centimetra, kjo zonë konsiderohet si ekosistemi më i përshtatshëm për këtë specie të rrallë. Laguna e Karavastasë e cila gjendet aty pranë është vendi i vetëm ku Pelikani kaçurrel folezon në Shqipëri, ndaj edhe kjo zonë konsiderohet e mbrojtur për vlerat e rralla.
Këto ditë të fundit vere mund t’i kaloni edhe duke u argëtuar, pasi pikërisht këtu prej vitesh organizohet një event muzikor si “Bashtova Festival”, i cili mbledh të rinj të shumë të cilët festojnë në natyrë jetën bohemiane.
Kampingu
Hapësirat e pafundme, por edhe mungesa e shërbimeve akomoduese e kanë kthyer këtë zonë në një destinacion tipik për të gjithë ata që preferojnë kampingjet në natyrë. Pjesa më e madhe e vizitorëve janë të huaj të cilët parkojnë kamperat e tyre në zonën ranore, pak metra larg detit duke shijuar bukuritë natyrore, ende të paprekura nga dora e njeriut; plazhin, diellin si dhe të gjithë zonën e cila konsiderohet tejet tërheqëse për turistët që udhëtojnë nga e gjithë bota. Ka nga ata që preferojnë gjithashtu të lundrojnë mbi kajak në ujërat e grykëderdhjes së lumit Shkumbin, ndërsa të tjerë zgjedhin çiklizmin si një mënyrë për të eksploruar krejtësisht zonën.

Unik, si Brioni! Ç'duhet të dini për këtë markë?



E fundit nga BORDO; Kanal në YouTube!











Horoskopi ditor, e martë 26 shtator 2023




