Nga Ilda Lumani
Nëntori është kulmi i vjeshtës dhe ky është një numër, që flet tërësisht me ngjyrat e vjeshtës. Që nga kopertina, ku “Miss Universe Albania”, Endi Demneri, në prag të nisjes për eventin e madh botëror të bukurisë rrëfen emocionet dhe ndjesitë e saj, shoqëruar me një editorial fotografik tejet sensual.
Eranda Libohova vjen gjithashtu me një editorial mode, duke sjellë tendencat e reja të këtij sezoni, me markat europiane, që tashmë gjenden në Tiranë. Nën këtë petk modeleje, Eranda dëshmon shijen e saj, sesi përtej artit të saj, muzikës, ajo di të jetë në çdo kohë një fashion Icon dhe një frymëzim për të gjithë!
Sonila Çaushi, bukuroshja e “Miss Albania-s” së parë shqiptare, me një karrierë të suksesshme në televizion, si pjesë e departamentit të marketingut, nënë e dy djemve, 23 dhe 13 vjeç, ndan në një bisedë për veten edhe pasionin e saj për modën, ku gjithmonë ka qenë një nga vajzat më të spikatura dhe më me shije të Tiranës.
Një tjetër personazh televiziv për disa, por profesioniste ligjesh për të tjerë, juristja Mira Pogaçi ndan stilin dhe marrëdhënien e saj me të bukurën.
Në të njëjtën temë prezantohet edhe doktor Skerdi Faria, i cili i bashkohet rubrikës së BORDO Men, pikërisht për stilin e tij, si një nga burrat më elegant dhe chic.
Në faqet e Art do të takojmë piktorin e madh Gazmend Leka, me ekspozitën e tij ABEL. Ndërsa, këngëtarja Evi Reçi vjen për projektin e saj të fundit MDO. Apo edhe një intervistë e këngëtarit Argjend Lloga, i cili i rikthehet muzikës me këngë të reja, pas hiteve të tij, si, “Lot i Verbër”.
Do të udhëtojmë në faqet e Travel, në Edinburgh me Eda Banon, ndërsa në faqet dedikuar artit të restoranteve vjen chef Gëzim Musliaka me artin, shijen dhe pjatat e tij të mrekullueshme.
Gjithçka ka ndodhur në Tiranë, e gjeni në faqet e eventeve.
Lexim të mbarë dhe shijojeni këtë numër!