Nga Ilda Lumani
Fotografia: Alban Domi
Një afgan ministër i Mbrojtjes së Shqipërisë, me një pretendim për të çliruar Kosovën nga Serbia, atë që nuk e bënë dot kurrë shqiptarët… Një Shqipëri, ku të ikurit ja kanë lënë vendin të ardhurve…, një vend, ku shamia (ferexheja) mund të kthehet në modë dhe nxënësit të protestojnë, pasi mësuesit nuk i lënë të hyjnë në shkollë…, një vend prej të cilit mund të varet fuqia për ndikim në Europë, mes Rusisë dhe Amerikës… një vend ku bashkimi i tre personazheve aspak rastësisht hebrenj, lëviz ngjarje dhe ndryshon dhe rrjedhën e historisë…! Ngjan si ekuacion?! Në fakt i tillë më tingëlloi gjatë gjithë leximit romani “Komploti”, i shkrimtarit Ben Blushi. Teksa ecja nëpër faqe, imagjinoja strukturën si një pemë, të cilën shkrimtari e mbush me situata, ngjarje, pushtime, incidente, prova, ngërçe e konflikte deri në gati prag luftë. E atëherë kur ti pret që të derdhet gjaku lumë, vjen një zgjidhje e befasishme. Ajo që dukej se do të përfundonte në kasaphanë, zgjidhet në mënyrë qytetare me një referendum, dhe më në fund, për herë të parë në histori shqiptarët i thonë ‘Jo’ varësisë amerikane apo ruse. Mes dy ndikimeve, ata për herë të parë vendosin drejt dhe braktisin referendumin! Për revistën BORDO, shkrimtari Blushi ndan pikërisht disa nga këto këndvështrime, që prodhuan një roman të cilin jua rekomandoj ta lexoni.
Zoti Blushi, ideja e romanit “Komploti” erdhi bashkë me afganët në Shqipëri?
Ideja e “Komplotit” më ka lindur duke shkuar në Shëngjin për të bërë fotografi para gati 1 viti. Aty pashë shumë afganë që ishin vendosur, pasi erdhën nga Afganistani. Unë shkoja zakonisht në një shkollë që quhet “At Zef Pllumi” dhe imagjino tani, në një shkollë katolike mësonin fëmijë afganë. Kryesisht vajza, të gjitha të mbuluara dhe duke i parë ato, më lindi ideja se si mund të ishte Shëngjini, në qoftë se po themi pas 15 vitesh… 3 mijë afganë ktheheshin në 30 mijë apo 40 mijë, sepse ata janë një popullsi që shtohen shumë. Kështu më lindi ideja dhe libri fillon në Shëngjin me një komunitet afgan dhe pastaj shtrihet në të gjithë Shqipërinë...
Në 30 vjet, Shqipëria nga një vend laik është një vend, ku secili ka zgjedhur rrugën e vet të besimit. Dallon te “Komploti” që shqetësimi është dhe islamizimi. Ndikimin e tij e shihni si një të keqe për Shqipërinë?
Jo! Është njësoj si njerëzit që i dedikohen islamit apo krishterimit, apo çdo feje tjetër. Vjen momenti kur ata heqin dorë nga shumë të drejta të tyre, për t’ju dedikuar fesë. Kjo mbase më shqetëson. Pra, përkushtimi vetëm ndaj fesë dhe ndaj asgjëje tjetër. Edhe kjo i bën njerëzit më radikalë në disa raste apo i vë kundër shoqërisë, i izolon. Kthehen në grupe dhe sekte fetare, qoftë të krishterë apo myslimanë, është e njëjta gjë. Kam raport normal me të gjitha fetë, i shoh si një aspekt kulturor, nuk i shoh si një e keqe e shoqërisë. Ato kanë patur ciklin e tyre, ka patur faza të historisë ku e kanë zbutur njeriun. Siç ka faza, kur e kanë egërsuar. Në përgjithësi, unë mendoj që fetë më shumë e kanë dëmtuar, sesa e kanë ndihmuar shoqërinë njerëzore, e kanë penguar. Sidomos në raport me të drejtat civile. Fetë të dyja bashkë këto kryesoret, si islami, si krishterimi, kanë persekutuar gratë dhe kjo është ajo që unë nuk e pranoj te ato. E kanë konsideruar gruan si një qenie të dorës së dytë. Pra më të pazhvilluar se burri. Të gjitha fetë zhvillohen për rreth burrit. Burrit i japin të drejtë, gruas asnjë të drejtë. Edhe kjo ka lënë shoqërinë njerëzore mbrapa. Prandaj edhe në Shqipëri, para 100 vitesh gratë ishin më të pazhvilluara se burrat.
Largimin e shqiptarëve, pra në kohën le të themi të librit, e sheh edhe në një masë më të madhe. Mendon që do të ndodhë, është një parashikim, një ndjesi, e sheh një rrezik të madh?
Kjo po ndodh. Ne kemi humbur 1 milion banorë në 20-30 vitet e fundit. Pra, 30% të popullsisë. Në raport me numrin e popullsisë është përqindja më e lartë në Europë. Ne kemi qenë 3 milionë banorë, jemi afërsisht 2 milionë e pak. Edhe sigurisht ky trend do të vazhdojë. Momentin që do të futemi në Bashkimin Europian, njerëzit kanë mundësi lirie dhe punësimi jashtë, do të ikin në masë. Për t’u bërë elektricistë, banakierë, kamarierë, specialistë, teknikë, gjithçka. Sigurisht ky është një cikël që do të kalojë. Më vonë kur Shqipëria të afrohet para Bashkimit Europian, shumë njerëz do të kthehen. Në qoftë se shqiptarët ikin në këtë masë, njerëz të tjerë do të vijnë në Shqipëri. Që mund të jenë afganë, sirianë, iranianë. Ky është një cikël historik që do ta kalojmë patjetër, dhe shpresoj ta zgjidhim.
Sa i përket Kosovës, duke qenë ende një çështje e nxehtë, Veriun e saj e parashikon të humbur në 2043-shin. Është një parashikim i frikshëm, fatalist, besoni se kjo do të ndodhë?
Ne jemi të ndikuar si popuj të vegjël, si ne edhe Serbia, edhe të gjithë popujt e rajonit, nga një lojë më e madhe planetesh në politikë, që janë Amerika me Rusinë. Këto janë dy planetet që vendosin për horoskopin tonë. Në varësi kush forcohet, njëra apo tjetra, ashtu shkon dhe historia jonë. Kur Rusia ka qenë e fortë qëlluam në kampin sovjetik, edhe u bëmë një vend komunist. Kur Amerika u forcua, Rusia u dobësua, ne sot jemi vend demokratik, jemi më afër Amerikës. Por, historia nuk është gjithmonë e përjetshme, janë gjëra që ndryshojnë. Dhe në qoftë se raporti mes këtyre dy forcave të mëdha globale ndryshon, edhe fati u Kosovës mund të ndryshojë. Sepse në qoftë se Rusia forcohet edhe gjen një pakt për Ukrainën, ose qoftë edhe për Kosovën dhe Serbinë, nuk e dimë çfarë ndodh me Veriun e Kosovës. Unë shpresoj që kjo nuk do të ndodhi, por praktikisht para 2 muajsh ndodhi.
Ju shqetëson më shumë ndikimi rus apo amerikan në Shqipëri?
Nuk më shqetëson asnjëra, do të preferoja që të ishim një vend me më shumë pavarësi politike sot. Sigurisht në këtë moment, Amerika është një aleat i domosdoshëm sepse na ndihmon të vrasim demonët tanë. Shqipëria është një vend që prodhon shumë demonë. Për shkak të historisë së vet, ka shumë delire për pushtet. Edhe për fat të mirë, Amerika na ndihmon herë pas here. Këto 30 vjet të paktën, që t’i vrasim demonët. Në kuptimin politik të fjalës. Kështu që për sa kohë na ndihmon, edhe demokracia funksionon, edhe me ndihmën e Amerikës. Po mos të ishte Amerika, ndoshta demokracia jonë nuk do të ishte ajo që është. Amerika është një aleat i domosdoshëm, sot që flasim.
Zgjidhja ishte një surprizë, teksa pret një luftë, ju i jepni një zgjidhje demokratike, e cila përfundon në abandonim të dy superfuqive. Kjo zgjidhje është sepse këtë version të historisë do të pëlqenit të ndodhte, apo sepse ngjan alla shqiptarçe?
Po mund të vijë një ditë në historinë tonë, që ne lodhemi nga të qenurit satelitë. Se ne jemi satelitë që vërtitemi rreth diellit po them. Edhe ajo lëvizja pafund, vjen një ditë që të lodh. Për hir të së vërtetës shumë popuj në Europë, kanë një lodhje nga kjo tërheqja e madhe e interesave amerikane apo ruse. Kërkojmë pak më shumë pavarësi. Kështu ndodh me francezët, me gjermanët, me popuj më të vegjël, me holandezët, me suedezët. Këta kanë më pak varësi nga Amerika apo nga Rusia. Sigurisht që respektojnë interesat e tyre, por përpiqen të kenë më pak varësi. Kjo mund të ndodhi dhe te ne, dhe në libër e kam si element, pra një konflikt mes Amerikës dhe Rusisë në Shqipëri. Ose në Shqipëri dhe në Kosovë. I cili ka një fund artistik patjetër, ku bëhet një referendum. Shqiptarët vendosen me referendum të zgjedhin, kë duan aleatë. Amerikën apo Rusinë. Fatkeqësisht referendumi dështon, shqiptarët tregohen një popull shumë inteligjent. Kështu është mbyllja e librit.
Në libër keni vizatuar disa personazhe që janë realë, ju shqetëson përballja me ta?
Nuk e kam këtë merak fare. Shkrimtari shpreh një mendim pak si piktori. Pra vizaton atë që sheh. Edhe një piktor kur vizaton një pemë, e imiton pak pemën. Pavarësisht se mund ta ndryshojë pak, nga kafe ta bëj të kuqe ose të verdhë, nuk ka rëndësi. Pra, ne e marrim lëndën nga bota përreth që shohim. Edhe në këtë kuptim, disa nga personazhet e mia i ngjajnë njerëzve realë, por nuk kanë lidhje. Unë mund të kem marrë lëndë nga disa njerëz dhe kam krijuar personazh të ri. Që herë pas herë ngjan me një personazh, që mbase dikush e njeh.
Në romanet e shkuara, lëndën e merrni nga e kaluara. Me “Komplotin” hidhni një tezë për atë që do të vijë. Ka lëndë ende Shqipëria, për romane e histori të reja...
Po, gjej. Shqipëria ka shumë histori me delire me njerëz të marrë. Ka plot sa të duash, që kanë bërë gjëra që nuk bëhen. Akoma ka njerëz të tillë vërdallë, edhe këto janë gjithmonë lëndë e mirë për letërsinë. Letërsia e sotme i ka qejf të çmendurit. Sepse janë personazhe atipikë. Edhe unë i preferoj, gjithmonë gjej ose sajoj karaktere, të cilat bëjnë gjëra që nuk ta pret mendja. Pra, lëndë ka Shqipëria sa të duash, po të shohësh dhe të kullotësh sytë gjen sa të duash.
Lexon libra shqiptarë? Gjen libra të mirë për të lexuar nga autorë shqiptarë?
Kur më qëllon po lexoj, nuk mund të them dot çfarë, kur më bie në dorë diçka me interes patjetër. Ka njerëz që shkruajnë mirë dhe besoj do të vazhdojnë të shkruajnë, edhe më mirë.
Do të vijoni të shkruani? Do të presim të tjerë romane në të ardhmen?
Shpresoj. Nuk mund të japësh asnjëherë premtim, kur vjen puna te një roman ose te një letërsi e gjatë. Romani është pak i ndërlikuar. I ngjan një pallati, duhet ta bësh themelin mirë, që ai të mbajë katet që do të shohësh sipër. Ka raste kur kjo nuk ndodh dhe ti dështon rrugës. Ka raste kur ndodh, dhe shkon që nga tulla e parë deri tek e tulla e fundit shumë kollaj.
Kur shkruani? Si e disiplinoni veten, duke patur parasysh jetën dhe aktivitetin tuaj në media?
E disiplinoj veten, sepse mund të bëj dhe punë të tjera. I bëj me disiplinë oraret e mia ditore, por në përgjithësi kam një zakon që kur filloj shkruaj një libër, nuk e ndërpres. Pra punoj pothuajse çdo ditë për 2-3 muaj, sa zgjat ky proces. Kam një lloj fiksimi në një kuptim që në qoftë se e ndërpres të shkruarin e një libri për një kohë të gjatë, pastaj e kam shumë të vështirë ta rimarr. Kështu që përpiqem që të disiplinohem edhe të punoj çdo ditë, nga 3-4 orë ose 5 orë, varet në varësi të fuqive të mia fizike.
Në Panairin e fundit pashë shumë njerëz, që blinin libra, që bënin foto, por dyshoj se ka po aq lexues…
Edhe e kam thënë që libri është ‘non stop’ në konkurrencë të ashpër me Instagram-in, Facebook-un, me televizorin, me sportin. Me shumë dritare të tjera, ku njeriu argëtohet. Prandaj edhe letërsia po ndryshon pak, po bëhet pak më e shpejtë, edhe pak më filmike.
Për t’iu përshtatur kohës keni filluar të shkruani më shkurt, kam parasysh romanet tuaj të parë voluminozë?
Po kam filluar të shkruaj më shkurt, që njerëzit mos të lodhen. Sepse po mos të përshtatesh nuk mbijeton dot në treg. Pra, njerëzit mund të lodhen që në kapitullin e parë dhe e lënë. Ky libër, në variantin origjinal, ka qenë rreth 40% më i madh se ç’është. Edhe unë e kam shkurtuar po aq. Besoj i kam bërë mirë. Libri është pak më sintetik, edhe lexohet pak më shpejt. Libri ka qenë pothuajse dyfish më i madh. Po ashtu kam shkurtuar shumë kapitujt, kam patur rreth 60 kapituj, kam shkuar 44. Ka shkuar në masën e duhur, sepse edhe masa është e rëndësishme. Një gjë e bukur duhet të ketë masën e duhur.