Maligradi, të jetosh në ishull
Eksploroni një ndër vendet më autentike të minoritetit maqedonas në Shqipëri, mes kulturës fetare, historisë dhe një peizazhi mahnitës
Pas hijes së rëndë të Malit të Thatë, duke dredhuar në një rrugë gjarpërushe që duket sikur zgjat pafund, ndalojmë mbi kurrizin e tij gëlqeror për të këqyrë një panoramë spektakolare. Në Perëndim shtrihet fusha e Korçës, e në krahun e Lindjes horizonti në një grykë të përqafur nga malet, që bashkohet nga ujërat e Liqenit të Prespës së Madhe. Sinjalistika rrugore duket sikur të fton të hysh në një zonë, ku nënkuptimi identifikues i emrave nuk është shqip. Ky vend ngjan si një ishull, ndaj vendosëm ta quajmë kështu, sepse ka një kulturë unike, atë të një minoriteti maqedonas, i cili jeton aty prej shekujsh, fill pas faqes së malit, sikur duan të tregojnë se janë ndryshe. E gjithë zona popullohet nga disa fshatra të minoritetit maqedonas. Fshatrat me shtëpi tipike prej guri dhe fasada të bardha nga Pusteci, që është më i madhi dhe kryeqendra e zonës, deri në atë më skajor Gollomboç, ku gjuha dhe kultura janë tregues etikë, edhe pse më së shumti vendasit komunikojnë në shqip me vizitorët, të cilët vitet e fundit e kanë rritur interesin për të eksploruar këtë zonë. Në të dyja kahet e rrugës mali nuk ka shumë bimësi, kryesisht shkurre e driza, që duket sikur kanë ngulur thonjtë thellë në gurët gëlqerorë.
Prej së largu nisin e shfaqen ujërat e liqenit, e krah tij të vendosur nëpër shpatin e malit janë vendosur fshatrat, njëri pas tjetrit. Prespa e Madhe është i vetmi liqen në Shqipëri, ujërat e të cilit ndahen mes tre shteteve: Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, në një sipërfaqe prej 319 kilometrash. I vendosur në një lartësi 853 metra mbi nivelin e detit, ky është liqeni më i lartë në Ballkan. I njohur më së shumti si Prespa e Madhe, ky liqen lidhet me simotrën e tij, Prespën e Vogël. I rrethuar me male të larta mbi 2000 metra lartësi, Prespa konsiderohet një nga zonat më tërheqëse turistike të Ballkanit, me 1500 lloje bimësh, 40 lloje gjitarësh dhe 261 lloje zogjsh, vend ky që konsiderohet edhe si ekosistemi i pelikanit Dalmat.
Gjatë verës, ky vend është një destinacion i qetë për pushuesit që duan ujërat e ëmbël, sidomos plazhi Nakoll, një zonë me ujë të pastër dhe të kristaltë, ku zakonisht shkojnë pushues nga zona për rreth, por edhe shumë vizitorë. Peshkimi është një tjetër aktivitet mjaft i përhapur nga banorët vendas, po ashtu edhe vreshtaria.
Nëse keni zgjedhur të kaloni një fundjavë apo 24 orë në Prespë, ju mund të akomodoheni në hotelet dhe bujtinat e vendasve që gjenden kudo, por edhe të shijoni ushqimet me bazë peshkun apo mishin, pjata që kanë një autenticitet në gatim, një ndërthurje e gastronomisë maqedonase me atë shqiptare, e shoqëruar nga vera e kuqe, e cila është një ndër produktet më të dashur të zonës. Gjatë ditës mund të eksploroni zonën e cila ka mundësi të shumta, qoftë pjesën e liqenit, por edhe duke bërë ngjitje në kodrat dhe malet aty pranë.
Një ndër destinacionet më të preferuara që ka edhe një kureshtje të veçantë është ishulli i Maligradit. Me formën e një trapezoidi dhe sipërfaqe prej 5 hektarësh, nga maja e tij mund të shihni një panoramë të mrekullueshme, që sheh 360 gradë Shqipërinë, Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut. I njohur ndryshe si ishulli i gjarpërinjve, pasi mendohet se aty ka shumë të tillë, aty mund të shkohet brenda pak minutash me varkë, e cila merret nga fshati Pustec, ku gjendet edhe një mol i vogël. Emri Maligrad në shqip do të thotë Qyteti i Vogël. Edhe pse në një sipërfaqe të vogël, aty ka shumë për të eksploruar. Në ishull gjendet Kisha e Shën Mërisë, e cila daton në shekullin XIV. Konsiderohet një monument fetar, i cili spikat për ikonografinë dhe afresket shumëngjyrëshe të shenjtorëve. Në pjesën e sipërme të ishullit, e cila është e arritshme nga ana verior-perëndimore, janë gjetur rrënojat e vilës verore të Car Samoilit që i përkiste shekullit të X-të, ku edhe janë gjetur varre masive, të cilat dëshmojnë historinë dhe kulturën e zonës së Prespës.
Nëse vijoni udhëtimin përqark ishullit, pasi jo të gjitha zonat janë të arritshme me këmbë, në pjesën lindore ndodhet kisha eremite e Shën Mëhillit. Nga vetë fjala eremite, ajo është një shpellë e cila ka dy hyrje: një në pjesën e poshtme ku qëndronin murgjit dhe tjetra në pjesën e sipërme, e cila ka piktura murale e afreske.
Pasi të keni vizituar ishullin, mund të eksploroni zonën duke shkuar në Pustec, një shëtitje përgjatë bregut deri në kufi, e të ktheheni pas. Gjatë kthimit mund të vizitoni Cerna Korpa (Guri i Zi), ku gjendet një tjetër kishe eremite në shpellë, e cila quhet Bllashtojna. Me anë të një shkalle prej hekuri e ndërtuar vitet e fundit, mund të ngjiteni në 25 metra lartësi dhe në brendësi mund të shijoni qetësinë e kishës dhe ikonostaset plot ngjyra, të cilat datojnë që nga shekulli i XIV. Nëse ecni përgjatë krahut perëndimor të liqenit, pranë kufirit me Maqedoninë e Veriut, ndodhet kisha eremite e Shën Mërisë, një monument kulture e shekullit të XIII, e vendosur në mes të një peizazhi mahnitës, e njohur për stilin ikonografik bizantin të afreskeve.


"Vetëm për dashurinë", libri që ju duhet!


Nis sot Panairi i 26-të i Librit!

Berlini u jep lamtumirën trenave të RDGJ!

Moda e fundit e tatuazheve që na la pa mend!






Një udhëtim në Edinburgh, Skoci!




5 shenjat shqetësuese të gërhitjes te fëmijët!



