KreuStil Jetese

Reflektim/ A është në krizë familja shqiptare?

Reflektim/ A është në krizë familja shqiptare?

Nga Jugerta Banushaj

Viti 2024 ka nisur me një “boom” titujsh aspak të zakontë apo edhe të dëgjuar më parë. Për ata që nuk janë koherent me ndodhitë e fundit, kryefjala e tyre është dhuna, vetëvrasja apo vrasjet me paramendim. Lajme të cilat kanë lëkundur konceptin dhe principet e familjes shqiptare. A janë raportet familjare fasada e ndërkohë brenda “katër mureve” asgjë nuk është ashtu siç duket?

Ndër dekada, familja shqiptare ka pasur në themel burrin dhe pozitën e tij stoike. Forca ekonomike dhe forca e vendimarrjes së cilës askush nuk mund t’i bëj “konkurrencë”. Me ndryshimet galopante pas demokracisë, balancat duket që nuk janë më njësoj. Një realitet si i ynë e ka dëshmuar mjaft herë që ndryshimet nuk kanë qenë të lehta për t’u përqafuar e madje modelet e huazuara nga kultura perëndimore kanë qenë thjesht kopje në tentativë dhe një dëm më shumë për një vend të vogël si ne. Ngjarjet e fundit në kronikën e zezë janë sa të paparashikueshme, aq edhe të shumëllojshme. Skenarë që nuk kanë të krahasuar me filmat ndërkombëtar horror, një produkt autentik i mendjeve të kurdisura së prapthi.

Ja pra, çfarë arrin të bëj frustrimi njerëzor! Të bën sy patrembur e zemërgur sa të vrasësh babin e ta varrosësh fare pranë banesës. Të humb logjikën e të prin drejt instiktit, si një qenie shtazore pa arsyetim, për të vrarë gruan në sy të fëmijëve. Të bën të izolosh gruan e fëmijët e t’i trajtosh si pronë lehtësisht të aksesueshëm vetëm nga dikush që i monitoron kudo nëpër shtëpi përmes kamerave. Etika dhe komunikimi duken të lëna në harresë kur sheh gjyshen që çedukon nipin në Tiktok. Dashuria është një vlerë e çmuar si diamanti në ditët e sotme. E vështirë për t’u gjendur, e brishtë për t’u ruajtur dhe aq e fortë sa mund “të thyej” çdo barrierë. Krahas dashurisë, respekti qëndron po aq fuqiplotë në themel të çdo raporti njerëzor. Ky binom dashuri-respekt është pjesërisht rudimentar në marrëdhëniet e sotme të prirura drejt interesit, tradhëtisë, statusit apo pozitës shoqërore.

Një vëmendje e shurdhët i atribuohet dhe shëndetit mendor. Sa pak flitet për të dhe sa shumë stigmatizohet. Mjafton të shohësh emisionet televizive e të kuptosh sesi nëse do ta bësh dikë të ndihet i ofenduar, mund t’i thuash që të shkoj tek psikiatri se është “i çmendur”. Në vendin tonë është ende tabu të kujdesesh për mirëqenien mendor. Disa nuk e konceptojnë që nuk është turp të kërkosh ndihmën e një specialist, sepse në jetesën në familje të gjithë varemi nga të gjithë. Secili është pjesë e së tërës dhe një mendje e shëndoshë krijon marrëdhenie të paqta. Kështu vetëvrasjet mund të pakësohen sepse me tërë këto raste të shtuara dhe jehonës në media, për pak vite do të jetë krejtësisht e normalizuar diçka anormale. Nuk është turp të kërkosh ndihmë! Nuk është turp që një marrëdhënie nuk funksionon! Nuk është egoizëm a dobësi të largohesh nga diçka që nuk të përfaqëson! S’është kurrë vonë për një fillim të ri e përpjekje për të ndryshuar atë që nuk shkon mirë! Mos harro që familjen nuk mund ta zgjedhësh, por mund ta përmirësosh! Në rradhë të parë për veten dhe për të tjerë me të cilën kalon jetën!

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF