Timo Flloko çliron EQUUS

Nga Ilda Lumani

Artikulli është botuar në revistën BORDO
Nëse je mashkull, mund të dashurosh një femër. Por edhe një mashkull… Por ç’mund të ndodhë kur dashuron një kalë?!
Thënë si e tillë, mendime perversiteti do të kalonin në mendje, por nëse do të kërkosh arsyet, ç’ka e shtyn një të ri të dashurojë këtë kafshë të rrallë, deri sa marrëzia e çon në verbimin e tyre, atëherë të duhet të shohësh me vëmendje “Equus”!
Equus është një dramë krejt ndryshe, me një fabul që ka në thelb marrëdhënien e psikiatrit Martin Dysart me pacientin e tij Alan Strang! 17-vjeçarin, që gjykatësja e shpëtoi nga burgimi (apo dënimi me vdekje) për ta dorëzuar në “shtëpinë e anormalëve”. Po çfarë çmendurie mund ta çonte këtë të ri drejt vdekjes?! Çfarë kurajo e mistershme e kishte bërë atë t’u nxirrte sytë 6 kuajve pa ju dridhur dora?! Martin Dysart e gjen! Në 2 orë shfaqje të “Equus”, psikiatri Dysart e gjen. Por për të arritur tek kjo përgjigje ai zbulon të vërteta të dhimbshme: një martesë të palumtur, një bashkëshort ateist, komunist, të zhvlerësuar nga gruaja e tij, (Arben Derhemi), që pasi i janë mohuar edhe të drejtat si mashkull, falet në kinema, tek një shfaqje borgjeze, duke parë filma porno për të zbrazur epshin e tij… një grua besimtare (Ema Andrea), fanatizmi i së cilës të ngjall edhe frikë, një nënë që teksa e ka mbrojtur të voglin me rrugën e drejtë tek Zoti, i ka mësuar edhe atë djallëzore… Por mbi të gjitha, ky pacient 17-vjeçar i pangjashëm me askënd, e vë psikiatrin Martin Dysart përpara bankës së të vërtetës. Të dy pacient dhe psikiatër duhet të tregojnë vetëm të vërtetën. E vërteta e Alan zbulohet nga Martin, i cili do ta rikthejë këtë njomëzak në jetën “normale”, ndërsa e vërteta e Martin, psikiatrit me famë, nuk ka shpëtim!
Lajmi i rikthimit në skenën e Teatrit Kombëtar, i aktorit Timo Flloko të impenjon, të përgatit për të parë një rol klasik të tij, por të surprizon kur sheh se në këtë sipërmarrje të rradhës Mjeshtri i Madh vjen me të tjera risi. Në fakt rikthimi i Fllokos ka qenë i shumëpritur jo vetëm prej fansave të tij. Kënaqësinë e një suksesi mjaft të pritshëm e ka dëshiruar edhe Hervin Çuli, i cili që kurse u vu në drejtim të Teatrit Kombëtar, e ftonte Timon “Eja në Teatër me çfarëdo projekti dhe e ke kurdoherë derën hapur, profesor”! Interpretimi i Timo Fllokos në rolin e Martin Dysart ishte rrënqethës! Timo Flloko, që ngriti peshë publikun me rolin e Edi Karbone, në ‘Pamje nga Ura’, apo Xhon Proktorit tek ‘Shtrigat e Salemit’ e ka peshuar gjatë se çfarë roli do ta çonte në një tjetër nivel. Ishte i qartë paraparakisht se Martin Dysart ishte roli i duhur për ta kthyer në skenën e TK. Sepse Timo nuk mund të vinte me një shfaqje apo rol të zakonshëm. Madje as me një shfaqje apo rol të madh. Ai duhet të vinte më një shfaqje historike dhe një rol ikonik. Pasi e ke parë Equus është e vështirë të ndahesh, me këtë dramë, që prek tema të forta, të pangacmuar më herët në skenën shqiptare.


Nuk kisha lexuar ende asnjë gjë për shfaqjen, (e cila në Broadëay është shfaqur 1209 herë) pasi nuk me pëlqen të jem e ndikuar nga opinionet teksa shoh diçka. Më pas lexoj me kërshëri gjithçka është thënë për të, për të përballur mendimet e mia me të tjerët. Është një praktikë që e ndjek ngahera. Në rastin konkret nuk e njihja as shfaqjen, për të cilën Timo Flloko më pati thënë diku nga vjeshta se do të ishte pikërisht vepra e Peter Sheffer që do ta kthente në teatër. Në Shqipëri “Equus” ka qenë gati e panjohur, derisa Timo Flloko vendosi ta sillte. Ka qenë ai iniciatori i saj, me të cilën u njoh në Shetet e Bashkuara të Amerikës. Ndoshta teksa lexonte tekstin skaliti në mendjen e tij edhe kryerolin e Martin Dysart. Mënyrën sesi ai do ta sillte, fjalët sesi do t’i thoshte, lëvizjet sesi do t’i bënte, syzet sesi do t’i mbante, apo sesi do t’i ndryshonte mes dy skenave, të cilat duket se bëjnë ndarjen e një Martin nga një Martin.


Sot, kthimi i Timo Fllokos si Martin Dysart në Teatrin Kombëtar është jo vetëm ngjarja e momentit!
Përballë tij qëndron i riu, i talentuar Igli Zarka, që bën një interpretim të freskët e impulsiv.
Edhe pse Timo nuk ishte për Iglin në këtë rol por mendonte dikë tjetër, sot pohon se “ishte zgjedhja më ideale e regjisorit dhe se gabimet përjashtuese dhe krijimi me talent, përjashtojnë rregulla e tabu, të kujtdoqoftë…! Jam krenar për Iglin, për rolin e suksesshëm që realizoi në skenë!”, thotë Timo Flloko.
Regjisori Dino Mustafic, (pavarësisht ndonjë episodi krejt të panevojshëm në këndvështrimin tim, ku përfshin realitetin shqiptar) ka meritën e veçantë për origjinalitetin që i jep kësaj shfaqjeje të krijuar mbi 60 vjet më parë, duke e freskuar me elementë alternative (ato te levizjeve robotike, danci, etj) që e çojnë në një trajtim modern të veprës e të shfaqjes…!

Equus ndër të tjera do të mbahet mend për krijimet interesante të Arben Derhemit, Ema Andreas, Krist Lleshit, Luli Bitrit, Eriona Kakeli, Lulzim Zeqjas të riut Ermir Jonka si dhe tre kercimtarëve. Komplimente meritojnë padyshim pedagogët e Akademisë së Arteve, Endri Sina për muzikën origjinale,  Gjergj Prevazi për koreografinë dhe Berina Kokona për kostumet e mrekullueshme!

“Equus” premierën e ka pasur në “Royal National Theatre”, (Londër) në vitin 1973, nga Peter Shaffer. Vetë autori u inspirua për këtë dramë nga një ngjarje e vërtetë, kur një i ri 17-vjeçar kishte kryer këtë krim, duke u nxjerrë sytë 6 kuajve, në një qytezë të quajtur Suffolk.
Pas dy vitesh shfaqjesh në Londër (’73-’75) kjo vepër u vu në Broadëay dhe u interpretua nga Anthony Hopkins e mandej nga Richard Burton, Leonard Nimoy, e Anthony Perkins.
Unë në skenën madhështore e njëherazi modeste (madhështore se aty janë ngjitur e ngjiten kolosët e aktrimit shqiptar/ e modeste se e tillë është fizikisht) të Teatrit Kombëtar pashë një Timo Flloko, të pangjashëm me asnjë rol të mëparshëm të tij.
Diku shihja një Jack Nicholson, diku një Al Pacino, e vizualisht diku (ndoshta prej flokëve e syzeve të diellit) një Mickey Rourke, por ama vetëm fizikisht gjeja të ngjashëm, pasi në fund të fundit në klithmat e Martin nuk dallonte më asnjë prej tyre, ai ishte Timo Flloko.
Monologu në fund është kulmi, ‘climax’-i i doktorit dhe rënia morale e tij…, ky moment të rrëmben e të trondit nga ana emocionale e shpërthyese… Çaste ku aktorët e mëdhenj, bëjnë diferencë me potencialin e madh ndjesor e profesional!
“Equus” do të vijojë edhe për dy javë të tjera, ndërsa do të rikthehet sërish në qershor! Me siguri do të më gjejë edhe mua në sallë, për ta jetuar edhe njëherë këtë përvojë!

 

 

 

Previous ArticleNext Article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *