Blogeret shqiptare, pse nuk ngjajnë me simotrat në botë…!

Nga Ilda Lumani

Të impresionuar nga blogeret në botë mjaft të reja, i janë futur botës së modës me shpresën se në realitet ndodh ashtu! Ti nisesh të bësh diçka ndryshe me jetën tënde, t’i japësh një zë përtej personales kreativitetit tënd dhe përfundon si muzë frymëzuese e dëshmitare e koleksioneve të fundit të stilistëve më në zë. Kjo është një ëndërr e bukur që të motivon!

Sot e disa vite është Chiara Ferragni dhe shoqet e saj dëshmi e gjithë kësaj. Ajo e nisi thjesht me një blog “The Blonde Salad”, i cili u kthye në një nga më të famshmit dhe Chiara nga blogere u bë e preferuara e markave më të njohura të veshjeve, të cilat e zgjidhnin për të prezantuar tendencat e reja, ndërsa Guess e punësoi si modele. Sot emri i saj është një brand, ajo është ‘fashion designer’ dhe ka krijuar linjën e saj Chiara Ferragni!

Ky e mjaft shembuj suksesi të ngjashëm në botë, ku vajza dhe djem të talentuar me stil origjinal, interesant, janë kthyer në inspirim në industrinë e modës, duke tërhequr kështu natyrshëm vëmendjen e çdo kujt! Sot, emra si: Olivia Palermo, Aimee Song, Lena Perminova… kanë realizuar linjat e tyre të veshjeve, kanë ndikim në botë dhe tek ndjekësit e tyre. Ato përzgjidhen si dëshmitare firmash dhe markash në zë, duke jetuar si një ‘Star’ i vërtetë. Kjo mundësi e mrekullueshme e të jetuarit përmes stilit është joshëse ndaj edhe disa syresh shqiptarë u tunduan për të krijuar një jetë të tillë! Por, po nuk e ke në gen këtë dhunti është e kotë. Paratë nuk të ndihmojnë në këtë drejtim! Gjithçka është shije!

Të gjithë kemi njohur njerëz me të ardhura tepër të larta, që nuk kanë shije në të veshur! Ashtu siç të gjithë njohim njerëz me të ardhura mesatare që çdo gjë që veshin jo vetëm u ndrin, por dine t’i japin identitet veshjes dhe për këtë dallojnë. Në botën aspak të vogël të spektaklit shqiptar ka plot emra që ndër vite kanë dalluar, lënë shenjë me stilin e tyre, dhe jo vetëm, por kanë frymëzuar dhe orientuar fansat.

Në botën e muzikës padiskutim Jonida Maliqi dhe Eranda Libohova janë dy personazhe që prej dy dekadash dallojnë dhe frymëzojnë ndjekësit. Në ekran apo evente ato dinë të veçojnë.

Ilva Tare është një nga më të spikaturat e gazetarisë, që ka thyer tabu dhe dhënë modelin e moderatores serioze, por gjithmonë stil!

Lori Hoxha është një nga personazhet, që bën dallim me ‘look’ dhe stilin e saj. Kjo u vu re që në daljet e saj të para publike. Pavarësisht se së fundmi shpesh na sjell materiale nga ‘Familja Kardashian’, sërish ajo ngacmon me çdo postim që bën e aq më tepër pjesëmarrje të saj në evente.

Enada At’Nikolla, përtej subjektivitetit dhe miqësisë që kam me të, ka qenë një ndër personat që ka dalluar që në daljen e saj të parë, kur me flokët plot gërsheta, apo një rrip të hollë vendosur në ballë u memorizua si një nga Miss-et më të veçantë në vend. Mandej, arti i saj i stilimit ka tjetër histori suksesi. Por, personalisht sa herë e shihja në evente apo ekran, isha kurioze për veshjen e saj.

Në vitet e fundit Arbana Osmani e ka nxjerrë më në pah këtë pikë, duke forcuar emrin edhe me stilin e saj! A nuk komentohet çdo javë veshja e Arbanës? Në çdo emision që ajo bën!

Uroj të mos kem harruar ndokënd!

Në eventet e shumta që bëhen në qytet janë këta emra që përherë më ngacmojne për të ditur çfarë do kenë krijuar këtë herë! Me këtë nuk dua të them se të tjerët nuk vishen bukur. Përkundrazi! Ndërkohë edhe në vendin tonë prej dytre viteshe janë krijuar edhe blogeret tona! Një vajzash të reja dhe jo vetëm, që ju është dukur kjo punë një tortë që pret të shijohet prej tyre! Sa mirë do të ishte, sikur të ndodhte kështu!

I kam përkrahur dhe mbështetur jo pak në fillimet e tyre. Jo vetëm unë, edhe kolegë të mi, duke i trajtuar si një risi, por edhe me shpresën se do të sjellin një frymë të re në fushën e modës. Por, zor se më kanë verifikuar diçka të tillë në këto vite të popullarizimit të tyre.

Ato shpesh e më shpesh më duken si kopjet modeste të blogereve botërore. Vesh Kendell Jener diçka dhe vrik i adoptojnë edhe vajzat tona, pavarësisht u rrinë apo jo mirë! Ndonjëherë duke lëne edhe shumë për të dëshiruar! Rastet janë me shumicë. Ajo që kam pritur e do të doja të shihja, do të ishte nëse gjërat e veshura prej tyre të ktheheshin në trend nga të tjerët? Këte ende nuk e vë re!

Për të mos folur në hamulli siç ndodh kur bëhet një kritikë ku nuk thuhen emra apo flitet në përgjithësi dhe kur bëhen elozhe jepen emra me dëshirë, atëherë po flas konkretisht:

Kështu, Armina Mevlani është një nga blogeret me më shumë ndjekës në vend, të cilën e komentojnë jo pak nëpër studio televizive. Më duket interesante, me sharm në disa raste, por nuk di të them gjë për stilin e saj. Madje, guxoj të them se vetëm stil nuk ka! Ka sete shumë të bukura fotografish dhe kombinime të mrekullueshme, por ka dhe dalje qe nuk lëne asnje shije! Duke u sjellë herë si çupëlinë e herë si zonjë duket se ende nuk e ka gjetur ekuilibrin!

Estela Ujka është një blogere që preokupohet, përfshihet jo pak në këtë punë, guxon, herë qëllon në shenjë, herë në mesatare, por ndonjëherë edhe poshtë mesatares! Gjithsesi, mendoj se e ka bërë grupin e vet të ndjekësve jo si numër, por them si njerëz që realisht gjejnë diçka frymëzuese tek ajo, qoftë edhe për faktin se është mama e dy vajzave. Kilogramët e saj i ka kthyer në një armë që i përdor për populizëm dhe jo si defekt!

Irena Kita! Më ka spikatur që në fillim për elegancën dhe teksa e shoh nga dalja në dalje gjej vende mjaft interesante, ku e përqafoj risinë e saj. Por edhe raste modeste plot.

Anxhelina Kotorri e Angelina’s Look Books është një vajzë komplet origjinale. Ama nuk jam aspak dakord kur ajo vesh marka jo origjinale, por e përgëzoj kur krijon veshje tek rrobaqepësja e saj, qoftë vetëm për një event, qoftë vetëm për një set fotografik. Fotot e saj më pëlqejnë dhe gjej gjëra të guximshme.

Sara Kolami, më duket kaq interesante, por nuk e di çfarë do të ishte pa mbështetjen e Niko Komanit.

Jona Hadëri eshtë një nga më të spikaturat në këtë grup, por ajo ka zgjedhur që gjithë këtë kënaqësi të të veshurit interesant dhe tendencë ta shijojë për veten dhe ndjekësit e saj në Instagram!

Marigona Nila e Ninna’s Blogs, më ka dhënë në fillim idenë e një stili bohem, ndërsa prej një viti e shoh në çdo event me reçipeta tyl. Është fat ndonjëherë të mos kesh gjoks! Tentativa e saj më pëlqen, por përveç rasteve kur është veshur nga ndonjë stilist, nuk kam parë në kombinimet e saj, ndonjë gjetje që të mbajë emrin e Ninës.

Ndoshta nuk do ta kisha shkruar fare këtë artikull, pikënisjen e të cilit ma dha pretendimi i disave se janë Fashion Influencers! Ky është një titull që njeriu nuk ja vë vetë vetes!

Do ta kishit merituar edhe ju, ndoshta edhe më herët, nëse do të na e kishit dëshmuar sot, se të paktën 10 ndjekëse tuajat vishen si ju! Deri atëherë vajzat e reja dhe jo vetëm, do të kopjojne Chiara-n dhe shoqet e saj, por jo ju! Ndaj gëzojeni vëmendjen, vendin, famën që keni dhe ju është dhënë, e nisni të pretendoni më shumë nga vetja, jo nga të tjerët!

Previous ArticleNext Article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *