INTERVISTË/Dojna Mema: “…Në jetën reale, më mistrece se sa në ekran!”

Nga Sara Gurabardhi

Edhe pse e njohim si personazh prej kohësh, tashmë e shohim pothuajse çdo ditë të javës si moderatore në ‘Pop Culture’. E shkathët dhe plot energji, Dojna Mema zbulon në këtë intervistë ekskluzive për bordo.al shumëçka nga karakteri i saj, por edhe pasionet jashtë ekranit. Ekstroverte, por me më shumë pëlqyeshmëri ndaj introvertëve. Nxitëse debatesh, por njëkohësisht plot emocion, aq sa nuk i kursen as lotët. Ndoshta nuk e keni ditur, por Dojna është rritur me dhomën e mbushur me posterat e një këngëtari shqiptar në veçanti. Dhe kur nuk mundet ta gjejë qetësinë në diçka tjetër, moderatorja i drejtohet…Këto dhe shumë të tjera do t’i gjeni në intervistën e mëposhtme. Dhe na besoni, nuk keni ditur shumë për Dojnën deri më tani!

Sa ndryshime ka sjellë në karrierën tënde eksperienca në Pop Culture?

Është hera e parë që unë shoqëroj shqiptarët çdo ditë në “Top Channel” dhe kjo përveçse e ka bërë “Pop Culture” të jetë prioriteti im për momentin, ka ndryshuar tërësisht edhe rutinën time të përditshme.

Si e kanë pritur fansat pjesëmarrjen në një format të tillë?

Formati është i ri dhe kjo është arsyeja pse nuk quhet më “Select” , ndaj përpara se të fillonte emisioni, njerëzit nuk e kishin shumë të qartë se çfarë do të ndodhte tamam.Që prej emisionit të parë, “Pop Culture” është pritur nga publiku me të njëjtën energji sa punohet nga ana ime dhe e Kelvit. Interaktiviteti është një ndër pikat kyçe në program , ndaj ne presim gjithmonë sugjerime nga publiku. Deri tani kemi marrë vetëm komplimente.

Do ta shohim Dojnën në të njejtin program edhe sezonin e ardhshëm?

Në çdo hap që kam marrë , kam ecur me instikt, kështu që asnjëherë nuk mund të planifikoj për aq larg. Për momentin “Pop Culture” është vendi ku dua të jem dhe nga ku mësoj çdo ditë diçka të re.

Të kemi parë më shumë në rolin e moderatores, por është koha të zbulojmë të tjera pasione të tuat. A ka ndonjë hobi në veçanti, që e ushtron gjatë kohës së lirë?

Po të kisha kohë të lirë do të lexoja. Pavarësisht se libri ka filluar të duket démodé, mua më ka shoqëruar gjithmonë kur kisha boshllëqe kohe, kur zhgënjehesha, kur kisha kokën lëmsh.  S’dua të dukem antipatike , por mua libri më ka dhënë mundësinë që mbi të , të krijoj edhe pasione të tjera. Kështu që më shumë libra, më pak Instagram.

E sheh veten në një të ardhme si regjisore filmash?

Nëse në Shqipëri do të jepeshin më shumë fonde për kineastët e rinj, mund të isha duke menduar për skenarin që sot. Fakt është që në vendin tonë prodhohen shumë pak filma dhe ata që publikohen janë të regjisorëve të njohur ose të rinj që kanë bërë film me buxhet të ulët, sigurisht prej kursimeve të tyre.  Filmi kushton dhe në Shqipëri fatkeqësisht të rinjtë s’kanë as mbështetje e as para ta prodhojnë.

Nëse do të të ofronin një rol në një projekt filmik, cili do të ishte personazhi ideal që do të luaje?

Nuk e kam menduar asnjëherë. Më pëlqen të jem protagoniste në ekranin e vogël, e ndërsa në ekranin e madh preferoj prapaskenën. Me intrigon më shumë regjia në një film , se sa të jem në të me figurë dhe zë.

Do ta braktisje ndonjëherë televizionin?

Përgjithësisht jam e qendrueshme në pasionet që kam në jetë, ndaj nuk besoj se do të braktis ndonjëherë televizionin. Besoj se do të ndryshoj formën e të bërit televizion, por gjithsesi mjedisi mbetet po ai.

A është Dojna po aq çapkëne në jetë reale, sa e shohim dhe në ekran?

Të gjithë më thonë që në jetën reale jam më mistrece se sa në ekran. Vetë unë e kam pak të vështirë ta kuptoj dhe të bëj dallimin sepse nuk jam sforcuar asnjëherë në ekran të jem dikush që nuk jam, ndaj mua më duket vetja gjithmonë njësoj. E sigurt është që e vlerësoj aq veten sa të mos e ndrydh apo tjetërsoj për askënd në këtë botë. Nëse më pëlqejnë për këtë që jam më lumturon, e nëse jo , pajtohem me faktin.

Ekstroverte apo introverte?

Ekstroverte, edhe pse gjithmonë njerëzit introvert më janë dukur më interesant. Unë e kam shumë të vështirë të mos ndaj me të tjerët atë që ndjej apo mendoj. Kështu kam qenë që fëmijë. Më pëlqente të nisja debate në shtëpi , vetëm që të flisja e të thoja me zë të lartë ç’mendoja. Kur ndiej emocion (qoftë negativ apo pozitiv) nuk i kursej lotët , ndonjëherë duke harruar ku ndodhem. Edhe kur dua të fsheh diçka, më tradhëton mimika.

Je më e përkushtuar ndaj familjes apo pjesën më të madhe të kohës ia dedikon shoqërisë?

Kam një rreth shumë të ngushtë shoqëror , pavarësisht se herë pas here bëhem pjesë e tavolinave të mëdha. Gjithsesi , mes “Pop Culture”, emisionit në “Digitalb” dhe atij në “Top Albania Radio” ,koha që më mbetet e lirë është shumë e pakët dhe atë mezi pres ta kaloj me familjen time që gjithmonë kanë qenë miqtë e mi më të mirë. Nuk marr asnjë hap pa patur familjen time krah meje, nuk jam mësuar. Në këtë sens jam “gocë për shpi”.

Deri më tani, kush nga personazhet që ke intervistuar të ka bërë më shumë përshtypje?

Bojken Lako! Kam patur poster Bokun kur isha në gjimnaz dhe mezi prisja të kisha një format për t’i dedikuar atij kohën që meritonte. I kushtova një ditë, duke e ndjekur nga mëngjesi e deri në darkë në një intervistë 60 minutëshe. Më bëri shumë përshtypje sepse prisja të gjeja një personazh egocentrik, trasgresiv, mëndjemadh siç dinë të jenë rockerët, ndërkohë që Bojkeni ishte një ndër njerëzit më modest, të edukuar dhe fjalëpak që kam njohur ndonjëherë në jetë. Ishte emocion për mua të intervistoja atë çunin që kisha poster në dhomë dhe që i dija këngët përmëndësh.

A ka patur nga ata të cilët janë treguar negativë pa praninë e kamerave?

Ka patur edhe nga ata të cilët nuk janë aq të dashur sa duken në ekran. Negativ nuk është treguar askush sepse nuk ka patur arsye. Sigurisht, që sikundër kam personazhet e mi të preferuar, ka edhe nga ata që më pëlqejnë më pak, por gjithmonë kam patur kuriozitet për të pyetur dhe për të zbuluar gjëra të reja nga çdo personazh që vjen në “Pop Culture”, pavarësisht shijeve të mia personale.

Komenti më i veçantë që të kanë bërë fansat?

Kur vajza të reja më shkruajnë që duan të jenë si unë. Aty e ndiej realisht fuqinë e medias dhe fuqinë që kam unë për të ndikuar një brez. Pastaj më skuqen faqet edhe mendoj se si mund të përmirësohem (qesh).

Nëse do të mundje, në cilin format ndërkombëtar do doje të prezantoje imazhin si moderatore?

Më pëlqejnë formatet “talent show” , sepse gjithmonë kam patur një lloj adhurimi ndaj njerëzve të talentuar. Mendoj se do të ndihesha si në shtëpinë time dhe do ta përjetoja edhe unë atë adrenalinën e garës mes njerëzve që vlejnë vërtetë.

Previous ArticleNext Article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *