KreuStil Jetese

Çfarë të bëheni për këtë Halloween? Filtër Snapchat-i!

Të themi të drejtën: Të sajosh një kostum të tërë nga koka te këmbët për Halloween, aq më tepër për Halloween në Shqipëri, është harxhim mundi, kohe dhe parash. E dimë shumë mirë që përpjekja më e madhe e bërë nga vajzat për festën e Halloween-it, është një palë veshë blerë te “Jumbo” dhe 3 mustaqe të zeza në secilën anë të buzëve.

S’kemi pse të mos jemi më krijues se kaq! Qëndroni te make up-i, por ngrijeni një nivel më lart aftësinë tuaj për t’u maskuar: Sajohuni si filtra Snapchat-i! Interneti është plot e përplot me ide këto ditët e fundit të tetorit, dhe ne ju sjellim 3 idetë më të mirë e më të thjeshta që na zunë sytë. Pikturim të mbarë!

 

Filtri  i ylberit

Bëhuni njëbrirësh këtë Halloween, duke pikturuar poshtë gojës tuaj një ylber dhe xixa, njëlloj si në një ndër filtrat origjinalë të Snapchat-it! Maska është tejet e thjeshtë për t’u bërë; mjaftojnë 6 ngjyra (e kuqe, portokalli, e verdhë, jeshile, bojëqielli, blu) dhe një laps i bardhë për xixëllimat. Besojmë se dini të vizatoni ylber, që kur keni në kopsht, jo?

 

 

Filtri drenushë

Dukemi të gjithë shumë të adhurueshëm, tamam si një Bambi human, sa herë vendosim atë filtër në fotot e videot tona. Fatmirësisht, filtri është shumë i lehtë për t’u pikturuar: Bëni një eyeliner pak më ekstravagant se zakonisht, vizatoni mbi hundën tuaj turirin e lezetshëm të drerëve, sfumoni ballin me pluhur kafe në portokalli, dhe përfundojeni veprën duke vizatuar pullat e bardha, karakteristike të drerëve.

Pro tip: Sa herë të flisni, hollojeni zërin tamam si filtri.

 

 

Filtri Masquerade

Nëse doni të qëndroni te sektori “sexy” këtë Halloween, ju sugjerojmë filtrin Masquerade. Mund të jetë pak më i komplikuar se dy të tjerët, por me një tutorial të thjeshtë në Youtube dhe 1-2 përpjekje, shndërroheni në femme fatale.

Nisni duke vizatuar formën e jashtme të një maske rreth syve, më pas krijoni dizenjo e viza sipas imagjinatës tuaj, për të dhënë idenë e tylit. Përfundojeni look-un me një buzëkuq flakë të kuq.

 

 

 

 

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF