INTERVISTË/Kristi Karkanaqe, artisti i rrugës:”‘Ces’t La Vie’ më ka hapur dyert !” 0 482

Sara Gurabardhi

Të gjithë ishin mësuar ta shihnin rrugëve të kryeqytetit, jo si një kalimtar të thjeshtë, por si performuesin që dhuronte emocion për ata që kishin kënaqësinë të dëgjonin muzikë edhe jashtë kontureve të interiereve të ndryshme. “Ces’t La Vie” nisi rrugëtimin së bashku me Kristi Karkanaqe në skenë, mes shumë konkurrentëve të tjerë. Nata finale erdhi, ndoshta, më shpejtë nga ç’e prisnin edhe vetë garuesit, ndërsa çmimi i madh gëzoi fitoren e dyshes Kristi dhe Lindi. A ishte ky synimi i artistit që kur i erdhi ftesa për pjesëmarrjen në këtë format? Si ishte marrëdhënia e Kristit me partnerin e tij në skenë? Ku do ta shohim të angazhuar së shpejti? Këto dhe shumë të tjera, Karkanaqe i zbulon në këtë intervistë ekskluzive për bordo.al!

 

Si e prite ofertën për në “Ces’t La Vie”?

Ishte kënaqësi e veçantë të pranoja pjesëmarrjen për një format të tillë. Kjo ofertë ishte një vlerësim i madh për mua si një artist i thjeshtë, prandaj u përpoqa ta shoh si një përgjegjësi serioze gjithë këtë eksperiencë muzikore, nga fillimi deri në fund.

Cili ishte qëllimi yt kur pranove të ishe pjesë e këtij formati?

Realisht, qellimi im ishte të kënaqesha dhe çdo gjë ta bëja për të argëtuar veten dhe njerëzit që na shikonin. S’e di sa ia kemi arritur, por ne e kemi shijuar shumë këtë program dhe jemi përpjekur të transmetojmë vetëm pozitivitet.

E njihje Lindin para pjesëmarrjes në “Ces’t La Vie”?

Po, unë dhe Lindi jemi shokë shumë të mirë. Jemi njohur pak kohë para se të fillonte “Ces’t La Vie”, nëpërmjet përfshirjes që kemi pasur në evente ‘live’ të ndryshme. Ai më ka ndihmuar edhe në realizimin e këngës time të parë.

Çfarë mendove fillimisht kur mësove se do të ishe përkrahë Lindit në spektakël?

Personalisht u ndjeva shumë mirë, sepse e njihja tashmë kolegun tim dhe e dija që do të përshtateshim shumë shpejtë si në skenë, ashtu dhe në përditshmërinë tonë. Dhe kjo ndodhi vërtetë, pasi gjatë gjithë këtyre javëve të spektaklit jemi përpjekur ta mbështesim njëri-tjetrin gjithmonë.

Me cilin nga çiftet konkurrentë u miqësuat që në fillim?

Gjatë këtij rrugëtimi kemi kaluar momente të bukura me të gjithë, e kemi krijuar miqësi të reja. Me Orin dhe Anxhelën pata një kofidencë më të afërt, që besoj ishte e dukshme edhe për publikun.

Cili është momenti që e kujton me më pak kënaqësi nga gjithë rrugëtimi në “Ces’t La Vie”?

Mund të them padyshim momenti final, para se të shpallej fituesi. Ishte shumë e vështirë për mua të përmbahesha emocionalisht. Pastaj, dhe çmimi fitues kishte ngarkesën e vetë, por përgjithësisht shkoi mirë.

Përpos fitorës, cilin moment e veçon si më të bukurin përgjatë gjithë netëve?

Do mbetet një kujtim i bukur nata në të cilën dola me karrocë me guzhineta. Ishte çdo gjë shumë spontane. Fundja, ky është Kristi pa komplekse, që pëlqen gjërat e vjetra, e që në fund të ditës përpiqet të lë një gjë të mirë.

Si i kishit marrëdhëniet me anëtarët e jurisë, brenda dhe jashtë skene?

Marrëdhënie respekti dhe dashamirësi. Ata janë të gjithë figura publike, që na kanë vlerësuar dhe kritikuar pas çdo puntate, e ne i kemi pranuar me kënaqësi çdo këshillë që na kanë dhënë, me synimin për t’u përmirësuar.

A e kishe menduar se do të ishit ju fituesit e çmimit të madh?

Sinqerisht jo, nuk më kishte shkuar mendja fare tek fitroja, sepse siç e përmenda më lart çdo gjë e bëra për qejf dhe jo për të fituar. Nuke prisja aspak, ishte shumë surprizë për mua dhe kam qenë i mpirë në momentin kur u dha çmimi i parë, pa kuptuar se çfarë kishte ndodhur.

Si mendon se do të ndikojë çmimi në rrugëtimin tënd artistik?

Mund të them se që tani më ka hapur shumë dyer dhe besoj se do të jetë një trampolinë për punën dhe angazhimin tim si artist.

Nëse ti dhe Lindi nuk do të ishit çifti fitues, cili nga çiftet mendon se e meritonte trofeun?

Ori dhe Anxhela ishin dyshe e fuqishme dhe shumë të talentuara. Puna e tyre tregoi se mund të ishin fituese mëse të merituara.

Do të bashkëpunosh me Lindin në ndonjë projekt të ri në të ardhmen?

Çdo këngë që kam kënduar me Lindin e kam parë si bashkëpunimin tonë, duke e personalizuar gjithmonë. Prandaj, pse jo! Nëse do të krijohet mundësia në kohën e duhur, mbase bëjmë diçka të mirë.

Cilat janë disa nga planet e tjera që ke në vijim (videoklip, këngë e re…)?

Asnjëherë nuk i dihet. Por, planet e së ardhmes ia lëmë të ardhmes. Edhe publiku kënaqet më shumë kur vijmë me surpriza të reja.

Çfarë premton për publikun në të ardhmen?

Ujë, drita dhe punësim (qesh). Nuk do të ndryshoj, do të jem i njejtë gjithmonë, por do të përpiqem të sjell çdo herë diçka ndryshe.

 

Previous ArticleNext Article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *