Intervistë/ Jonida Beqo: Teatri është i gjithë qytetit

Nga Brunilda Kazani

Bisedë me drejtoreshën e Teatrit Metropol, si e transformoi skenën pa qenë aspak një shefe e autoritare, dhe e hapur ndaj projekteve të reja

Është autore e disa veprave me poezi, veprave muzikore, dramave dhe monodramave dhe në karrierën e saj ndërkombëtare numëron shumë çmime. Rikthimi në Shqipëri, pas më shumë se 20 viteve në Amerikë,  u bëri përshtypje të gjithëve, aq më tepër kur ky rikthim erdhi në një kohë, pa iu ofruar ende posti i drejtoreshës së Teatrit Metropol.

Takimin me Jonida Beqon, e lamë pikërisht në godinën e Metropol. Dinim shumë për arritjet e saj, përtej Shqipërisë, por pak për Jonidën drejtoreshë. Njihnim artisten me flokët e hirta, që bien në kontrast me moshën e saj të re, ndaj të tjerat prisnim t’i mësonim aty.

Takimi nisi me një paragjykim, për hir të së vërtetës: po takonim drejtoreshën e Teatrit Metropol dhe nisur nga fjala “drejtoreshë” kishim përshtypjen që do përballeshim me një grua të veshur shik siç njohim në këtë pozicion, me takat e larta, që kërcasin në të gjithë korridorin, si një lajmërim: po vjen “shefja”, ajo e krehura dhe e grimuara deri në detaje… Ama, pësuam një zhgënjim… për mirë. Përballë u takuam me Jonidën- artiste; një shembull perfekt i të qenurit, e bukur  dhe e  thjeshtë.

Photographer: Fani Aliko

Jonida, e dinte që ne po e prisnim tek zyra ngjitur. E kuptuam, që kjo do ishte një bisedë e ngrohtë mes nesh, që nga mënyra sesi futi kokën në derë dhe na lajmëroi se ishte gati për intervistën. Përpikëmëria është një nga pikat e saj të forta. Të gjithëve, iu ka bërë përshtypje rikthimi i saj nga Amerika, vendi që shumëkush prej nesh, e sheh si një “parajsë”. Arsyet e rikthimit të saj, nuk kishin qenë aspak profesionale, por personale: për familjen, dy fëmijët të cilët duke qenë se ishin të vegjël, për Jonidën dhe bashkëshortin e saj ishte e nevojshme që të rriteshin në vendin mëmë, me dashurinë e gjyshërve, me traditat dhe kulturën e Shqipërisë. Sigurisht edhe angazhimin në teatër, e kishte menduar, por jo në këtë nivel. Ftesa i erdhi nga kryebashkiaku Erion Veliaj dhe e pranoi pa shumë hezitim, pasi siç na tregon, përtej modestisë, nëse kishte diçka që dinte të bënte mirë ishte pikërisht drejtimi i një Teatri. Vendi ku do të vinte në punë të gjitha njohuritë që kishte marrë në shkollën e lartë dhe në master në Amerikë, për këtë arsye kapërcimi nga një artiste në drejtoreshë, nuk i erdhi aq i papritur.

Photographer: Fani Aliko

Jonida ka një filozofi pune: maksimizimi i hapësirës për të përfshirë rreth vetes sa më shumë artistët dhe publikun në diversitetin e veprave që ngjiten në skenë që shoqëron atë çdo ditë. Dashurinë për teatrin, për njerëzit me të cilët punon, entuziazmin për çdo vepër, për çdo kostum që prodhohet aty, e tregon në çdo fjalë që ajo thotë, lehtësisht e kuptueshme kjo edhe në fytyrë, ku herë pas here vesh një buzëqeshje dhe mban një qëndrim krenar për atë çfarë stafi i Teatrit Metropol prodhon si një skuadër shumë e fortë.

“Puna këtu është e ndryshme nga dita në ditë. Nis me orët e para në zyrë, me punët administrative, më pas diskutim me stafin e punonjësve të marrëdhënieve me publikun për trailet që do nxjerrim, për eventet, më pas zhvendosemi tek skena për të mbikëqyrur provat, ndërkohë që janë duke u përgatitur disa shfaqje paralel. Janë 12+ orë punë, por që nuk ndihen pasi gjithçka bëhet me pasion me shumë dashuri dhe nuk është aspak monotone. Përpiqem që t’a balancojë me orët që i dedikojmë familjeve. Shumë shpesh fëmijët si të mitë, po aq edhe të stafit janë prezent me ne, i marrim në prova, madje janë kritikët tanë më të mirë. Duam edhe të shërbejmë për ato si një model se çfarë do të thotë ajo të jesh “shërbyes”, u shpreh Jonida.

Pyetjes se si e përshkruan veten si drejtoreshë, ajo u përgjigj me shumë sinqeritet: “Më ka dalë ‘nami’  se janë e butë. Përpiqem që të bëjë një balancë. Për mua për të qenë e saktë, nuk ka nevojë që të bërtasësh apo të jesh e rreptë. Autoriteti lidhet me respektin, nëse t’i respekton njerëzit me të cilët punon, je e aftë, atëherë ata do të të ndjekin. Nuk i kërkoj kurrë askujt diçka, nëse nuk jam e përgatitur ta bëjë vetë e para”.

Photographer: Fani Aliko


Nuk mund të mos ndaleshim kurrsesi pak tek flokët e saj ngjyrë gri, të cilat nuk e rrisin aspak në moshë, por përkundrazi e bëjnë më të veçantë: është artiste dhe këtë e reflekton edhe në pamje, jo vetëm në mendime.

Është thinjur që në moshën 17 vjeç, një veçori gjenetike në familjen e saj, të cilën për pak kohë u përpoq t’a mbulonte, por më pas me kalimin e kohës gjeti një zgjidhje që ishte më praktike për të; të mos i lyente. Gjithashtu të arrinte të përcillte dhe një mesazh të rëndësishëm tek vajza e saj Ema, si fillim, e më tej tek ato njerëz që bënin reagime të çuditshme teksa e shihnin në rrugë: se sa e rëndësishme është të ndjerit rehat me veten.

Teksa “Gypsse Yo”, siç Jonida njihet me emrin e artit, flet për veten, kuptohet që ndihet pak e parehatshme, sepse nuk bën pjesë në grupin e atyre personave që bërtasin me të madhe, se sa suksese ka arritur. Pavarësisht karrierës së saj në Amerikë që përfshin 48 roleve në aktrim, 15 shfaqjeve në regji, mbi 100 performancave poetike live dhe 70 shfaqjeve në kostumografi, apo çmimeve ndërkombetare në zhanre të ndryshme të teatrit, Jonida i qëndron mendimit se arti nuk mbështetet mbi statistika, por mbi përvojën e veçantë të çdo publiku në natën e shfaqjes. Tani në ‘Metropol’ Jonida përpiqet të sjellë po atë frymë artistike të eksperiencës së saj në teatrin amerikan.

Photographer: Fani Aliko

Në Teatrin Metropol sapo ka përfunduar suksesshëm “Nata e 12”, vepra aq e njohur e Shekspirit, një bashkëpunim i Metropolit me teatrin amerikan ‘Aurora’, e cila u mirëprit nga publiku i kryeqytetit për dy muaj rresht. Dhe nëse është për të folur për punën në këtë teatër, Jonida e bën me shumë dëshirë, entuziazëm e krenari. Sezoni i ri i Teatri Metropol është shumë i ngjeshur e ambicioz, ku do të ngjiten në skenë vepra të huaja dhe shqiptare si “Ditari i Ana Frank”, “Sherlock Holmes dhe qeni i Baskervillit”, “ Një Mijë e Një Net”  dhe do të rikthehet në edicionin e dytë festivali i veprave shqiptare “METROFEST” . Ky festival vë në skenë katër vepra te dramaturgjisë shqiptare të panjohura më parë nga publiku shqiptar. Kjo ndarje e veprave shqiptare dhe botërore në mënyrë të barabartë e bën Metropolin të vetmin teatër në Shqipëri që i jep po aq peshë veprës shqiptare sa dhe veprës botërore, duke e konsoliduar qëllimin e Metropolit për ta përdorur teatrin dhe veccanërisht dramën shqipe si; një formë e të qenit së bashku.

Photographer: Fani Aliko
Previous ArticleNext Article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *