“Rikthimi i Dallëndysheve” sjell yjet e baletit shqiptar në ‘folenë’ e tyre 0 371

Mes emocioneve të shumta e duartrokitjeve të pafundme, “Rikthmi i Dallëndysheve” solli interpretimin e yjeve shqiptar  të baletit edhe një herë në vendin ku nisën historinë e tyre të kërcimit. Ata performuan në një mbrëmje Gala në Pallatin e Kongreseve, në një shfaqje mahnitëse, nën moderimin e Ilda Bejlerit, e cila bëri bashkë gjashtë balerinët shqiptar me famë ndërkombëtare. Nga baleti klasik në atë bashkëkohorë, ata i sollën publikut gjithçka dhe teksa i shihje, të bënin të besoje se forca e gravitetit është vetëm një gënjeshtër.

Performanca e tyre nën tingujt e mrekullueshëm të muzikës shqiptare, për eksodin e madh të shqiptarëve, krijoi emocione të forta,  duke ngritur në këmbë të gjithë publikun. Nuk është aspak e lehtë të triumfosh në një vend të huaj por, siç tregojnë edhe vetë ata, ka qenë vullneti dhe puna e palodhur që i solli suksesin në vendet ku “fluturuan”. Bledi Bejleri, Edi Blloshmi, Leart Duraku, Dorian Grori, Hektor Budlla dhe Rezart Stafa ishin protagonistët e mbrëmjes së kaluar, e ndërsa tregojnë rrugëtimin e tyre, të bën përshtypje fakti se baleti nuk ka qenë një ëndërr e hershme, e disa prej tyre i kanë hyrë krejt rastësisht kësaj rruge, e cila sot i ka çuar shumë larg.

Me të drejtë shpërthyen të qeshurat në sallë me rrëfimin e  Bledi Bejleri: “Kisha qejf futbollin. Ndiqja Partizanin. Edhe sot jam tifoz i Partizanit. Por ishte mami, donte që të bëhesha balerin”. Ai është sot një nga balerinët më të mirë në Gjermani, e teksa e sheh të zotërojë tërë skenën me kërcimin e tij, fillon të besosh se gjërat në një farë mënyre orientohen nga një fuqi e padukshme.

E kush mund të besonte se një djalë nga rruga e famshme “Bardhyl” mund të bëhej balerin? As vetë Rezart Stafa nuk do ta kishte besuar nëse nuk do të ishte sot balerin në skenat e Romës.  “Vij nga lagja e famshme e rrugës “Bardhyl”. Dhe meqë isha nga djemtë e rrugës “Bardhyl” askush nuk e mendoi që do të merresha me balet, por ja ku jam”, ka treguar ai.

Ndërsa Hektor Budlla tregon se i ka hyrë baletit sepse i pëlqente kërcimi nëpër dasma. “Unë vij nga një fshat afër Tiranës, Preza. Nuk e kisha idenë se çfarë ishte baleti në fillimet e mia. Shkova të merrja pjesë në konkurrim. Mendova se do kërceja kështu, punë dasmash, siç shkonim nëpër fshat nga një dasmë në tjetrën…”, ka treguar ai, duke bërë sallën të shpërthejë në të qeshura.

  

Fillimi i karrierës duket të ketë qenë disi më e lehtë për Edi Blloshmin. Ata kishin dashur që në fëmijërinë e tyre të bëheshin balerinë dhe jo vetëm që ja dolën, por janë sot ndër më të të suksesshmit.

Indicien më interesante për t’i hyrë kësaj rruge e ka pasur pa dyshim Leart Duraku. E çfarë mund ta kishte nxitur më shumë atë se sa gjinia tjetër? “Isha duke luajtur me një shok timin poshtë shkollës së baletit. Në një moment ngremë sytë lart në godinën në katin e dytë dhe shihnim shumë vajza aty. Dhe I thashë atij shokut tim: Po ne ça bëjmë këtu poshtë. Pse nuk shkojmë aty lart ku ka goca…Punë vajzash me një fjalë…E kështu filloi karriera ime”, tregon ai. Për Leartin kjo mbrëmje ishte akoma më e veçantë, ai la këpucët e baletit, duke i dhuruar Shqipërisë performimin e tij të fundit, për ta mbyllur aty ku filloi.

Kjo Gala shënoi edhe mbylljen e një reality show, që ka filluar që prej 1 marsit në Digitalb, ku u treguan historitë e suksesit të të gjitha dallëndysheve që fluturuan e mbollën suksesin e tyre, duke lartësuar edhe më shumë vendin tonë.

Previous ArticleNext Article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *