7 fakte që nuk i dini për Gianni Versace

Gjithë vëmendja e momentit është fokusuar rreth serialit “Vrasja e Gianni Versace: Historia e Krimit Amerikan”, por shumë pak e njohin profilin e vërtetë të stilistit, ndikimi i të cilit konsiderohet si më i rëndësishmi në fushën e modës. Ndaj Bordo sjell 7 fakte rreth stilistit dhe jetës së tij, para vrasjes tronditëse në vitin 1997. Po ju freskojmë kujtesën me disa momente që e bëjnë Versace një markë dhe person të papërsëritshëm.

 

Vinte nga një familje stilistësh

Para se të bëhej një nga dizajnerët më të mëdhenj në botë, Versace u rrit në Kalabri në Itali, ku mësoi se si dizajnohej nga nëna e tij. E ëma ishte një rrobaqepëse dhe ai do të merrte këshillat e para prej saj. U zhvendos në Milano ku themeloi markën Versace. E motra Donatella ishte konsulte dizajni dhe i vëllai Santo, mbikqyrte anën financiare, dy njerëzit më të afërt që e ndihmuan në ngritjen e perandorisë së tij. Pas vdekjes, Santo u bë drejtor i përgjithshëm dhe Donatella drejtore kreative.

 

Stilisti i parë që ftoi VIP-at në sfilata

Versace ishte i njohur për raportet e ngushta me personazhe të famshëm, ku ndër miqtë më të afërt ishin Madonna, Sting, Princesha Diana dhe Elton John. Gianni ishte i pari stilist që largoi nga rreshti i parë i pasarelës njerëzit e pasur, duke i zëvendësuar me yjet e kinemasë dhe muzikës. Edhe pse shumë njerëz nuk besonin në suksesin e markës së tij, pasi ishte dukshëm ndryshe nga stilistët e tjerë, Versace u bë i njohur për shfaqjet e tij dhe krijimin e supermodeleve.

 

Krijoi traditën e tapetit të kuq

Elizabeth Hurley ishte një aktore krejt e panjohur derisa u shfaq në tapetin e kuq të premierës së filmit “Katër Dasma dhe një Funeral” krah Hugh Grant. Versace i cili ishte një ndër miqtë e ngushtë të Grant, lejoi Hurley të vishte këtë fustan magjepsës. Nga ky moment veshjet në tapetin e kuq morën vëmendjen maksimale, ndaj të gjithë stilistët nisën të kërkonin nga artistët që të vishnin stilimet e tyre nëpër evente.

 

Dizenjoi edhe për produksione tetrale

Përveç dizajnimit të koleksioneve të tij, Versace u bë i njohur edhe për dizajnet për teatrin dhe kinemanë. Krijoi kostume për shfaqje baleti dhe operash, duke bashkëpunuar me koreografin Maurice Bejart. Ky i fundit e nderoi Versace 10 vjet pas vdekjes së tij me një balet të shkruar enkas për stilistin. Në Muzeun “Victoria dhe Albert”, gjenden krijime nga turnetë e artistëve të krijuara nga Versace, një prej tyre janë veshjet e Elton John për turneun “The One”.

 

Shfaqja e fundit ishte 1 javë para vdekjes

Vetëm një javë para vrasjes së tij, Versace prezantoi koleksionin e tij në hotel Ritz në Paris, ku Naomi Campbell dhe Erin O’Conner ishin dy supermodelet që prezantuan veshjet e stilistit. 15 vjet më pas, Donatella mbajti në të njëjtin vend një shfaqje në nder të vëllait. Në 2017 Naomi Campbell, Cindy Crawford, Claudia Schiffer, Carla Bruni dhe Helena Christensen u bashkuan në 20 vjetorin e vdekjes së Gianni Versace gjatë Javës së Modës në Milano.

Kush përfitoi gjysmën e pasurisë?

Gianni Versace besonte se nuk do t’i mbijetonte operacionit ndaj kancerit, i cili rezultoi me sukses, ndaj edhe ai firmosi një testament ku përcaktonte kush do të ishte në krye të perandorisë së tij të modës. Ai i la 50 përqind të kompanisë të mbesës Allegra, e cila asokohe ishte 11 vjeç. Allegra mori aksionet kur mbushi 18 vjeç në vitin 2004, moment kur ajo u bë edhe pjesë e bordit të drejtorëve të kompanisë.

 

Trashëgimia e tij jeton ende

Emri Versace vazhdon të dominojë kulturën pop dhe botën e modës edhe 20 vjet pas vdekjes së Gianni. Në vitin 2012 Giorgio Armani shkroi: “Çfarë kujtoj 15 vjet pas vdekjes së tij? Bollëku i tij i pabesueshëm, një ndjenjë lumturie që përzihet në ide, trende, kujtime, art. Ai ishte një krijues i madh”. Sot, artistë si Migos dhe Bruno Mars i referohen markës dhe mënyrës së jetesës së saj. Lady Gaga u bë imazh i Versace. Modele si Gigi Hadid, Bella Hadid, Kendall Jenner dhe Kaia Gerber kanë ecur në pasarelat e markës së njohur në çdo sezon, ç’ka konfirmon se Versace vijon të jetë ende i pëlqyer.

 

Previous ArticleNext Article