KreuCelebrity

Erald Lila, kur fitnesi kthehet në profesion

Që kur u shfaq në ekran, portreti i Erald Lilës u kornizua si ajo e një djaloshi me trup sportiv, linja muskulare, ndaj edhe tërhoqi publikun që në kontaktin e parë. Ish-banori i Big Brother, tani e ka kthyer në stil jetese kujdesin për fizikun. Pothuajse 10 vite që nga dita e parë që “zbuloi” palestrën si një tempull për të patur një trup muskuloz, ai ka fituar jo vetëm linjat e dëshiruara, por edhe një regjim të cilin e respekton me fanatizëm. “Shumë do të thonin që është një periudhë e gjatë, por mua më duket sikur ka kaluar vetëm një vit, pasi pasioni për fitnesin rritet çdo ditë.

“Çdo ditë mësoj ushtrime dhe teori të reja rreth fitnesit të cilat i vë në zbatim duke u ushtruar vetë dhe duke ja transmetuar klientëve”-rrëfen Lila, i cili eksperiencën e tij e ka kthyer në shembull për të tjerët.
Fakti që është edhe trajner futbolli, e ka ndihmuar që të ketë një regjim, e si rrjedhojë të menaxhojë kohën.

“Stërvitem në orët e vona të darkës për 6 ditë të javës për 90 deri në 120 minuta, ku përfshihet edhe koha që kujdesem për klientët në palestër”. Ndaj pas 10 vitesh beson se të ushtruarit në një orar të caktuar është shumë e rëndësishme, pasi në një farë mënyre, edhe trupi respekton këtë regjim.
Përtej kohës në palestër, Eraldi pohon se mirëushqyerja është pjesa kryesore për ata që ushtrohen në palestër. “Nëse nuk ushqeheni mirë nuk merrni proteinat, karbohidratet dhe vitaminat e nevojshme, ndaj stërvitja nuk ju jep rezultat”. Kjo sipas tij është edhe një nga arsyet që shumica tërhiqen shpejt nga fitnesi, sepse duan masë muskulare në një kohë të shpejtë.

Kur e pyet nëse duhet të zgjedhë mes orëve në palestër dhe atyre në natyrë, Erald Lila thekson se të stërvitesh në natyrë është e nevojshme për muskujt të cilët furnizohen më shpejt me oksigjen dhe djegia e yndyrës ndodh më shpejt. “Por kur i vendos vetes një objektiv, duhet patjetër të stërvitesh në palestër pasi aty janë të gjitha veglat që godasin muskujt pikërisht aty ku kanë nevojë. Natyra është perfekte për të kryer kardio (vrap, aerobi, ngjitje), por të arritur rezultate duhet patjetër palestra me programe stërvitore të mirëfillta”-thekson trajneri personal Erald Lila.
Ndihet entuziast, pasi krahasuar me vitet e shkuara kur numri i të rinjve që kalonin kohë në palestër ishte shumë i reduktuar, sot ata e kanë kthyer vëmendjen tyre, ndaj nuk ngurron të japë këshillat e duhura. “Këshilla ime për ata që ushtrohen dhe për ata që duan të ushtrohen është që të lënë kafenetë, të stërviten dhe të ushqehen mirë duke hequr mënjanë ushqimet e fast food-eve”.

Nuk ngurron të këshillojë se stërvitjet sipas videove apo tutorialeve në internet nuk janë një shembull për tu ndjekur, pasi gjithçka që duket në shembujt e bodybuilderave, është e përkthyer në vite stërvitje, ndaj ata që duan një fizik të bukur, duhet ta nisin gjithçka nga palestra. E mbi të gjitha këshillat, më e vyra që Eraldi jep është të shkuarit në palestër me dëshirë dhe me një qëllim, vetëm kështu mund të arrihet një trup i bukur dhe i shëndetshëm.

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF