KreuCelebrity

Intervistë/ Andia Xhunga, vajza e detit…

Kur flet për Durrësin, fjala e saj ka po aq pasion sa edhe kur është në skenë. Sepse qyteti ku u rrit dhe formua, ka pikëzuar gjithçka në jetën e aktores së talentuar Andia Xhunga, por ama deti është gjithmonë kryefjala. Orët e gjata në bregdet, rrugicat e shtëpive përdhese që nuk ekzistojnë më, familja, e sidomos i ati, i cili ende e bën krenar, e shumë të pathëna, që askush më mirë se Andia, nuk do ta pikturonin Durrësin.

Si do ta përkufizoje raportin me Durrësin?

Kam lindur në Tiranë, ku kam jetuar deri në moshën 6 vjeç, por Durrësi është vendi ku unë jam rritur, shkolluar, ku kam familjarët e mi, miqësitë e mia më të ngushta, i kam ende sot, i kam krijuar aty… Në fakt është e vështirë të përkufizosh raportin me një qytet, ku sa herë jam aty mbledh copëza të jetes sime në bregun e detit, në një rrugicë, në mure të vjetëruara shkollash, në ajrin me jod, ku dashuritë, dhimbjet, gëzimet dhe shumë emocione të para, mi ka dhuruar pikërisht ky qytet… Pra le të themi do ta quaja një dashuri të përjetshme… Një raport magjik…

Cilat janë kujtimet e tua më të bukura që lidhen me qytetin, vendet, njerëzit, ato që e gdhendin profilin e tij në memorien tëndë?

Mbaj mend një ndjesi shumë të fortë, që kur nisa Akademinë e Arteve në Tiranë në moshën 19 vjeçare: gjatë ditëve të javës rrija tek gjyshja në Tiranë dhe kur vinte dita e premte, mezi prisja të nisesha për në Durrës. Dhe pasi bëja ‘TA’ në shtëpi, gjëja e parë ishte të dilja shëtitje buzë detit. Dhe të njëjtën ndjesi kam edhe sot, që kam 18 vite që jetoj në Tiranë, mezi pres të vijë fundjava dhe të shkojmë bashkë me familjen time në Durrës. Pra, Durrësi më tërheq si me magnet… Sot kuptoj që ky qytet ka marrë vlera dhe më shumë tek une – pikërisht për kujtimet e mrekullueshme që kam me familjen time. Por i kanë dhënë akoma më shumë peshë këtyre kujtimeve, dy njerëz që sot nuk jetojnë më, babai im Agron Xhunga dhe halla ime Violeta Xhunga. Kujtime kam aq shumë me këtë qytet sa do duhej një numër i tërë i revistës Bordo vetëm për mua. Nuk di kë të veçoj, por 8 vjeçarja për piano në shkollën e muzikës ‘Mujo Ulqinaku’ ka qenë mendoj një ndikim i madh në karakterin tim artistik. Dhe 4 vitet e gjimnazit ‘Gjergj Kastrioti’ – që është 5 minuta larg nga deti – dhe nga çdo dritare e tij, të paktën në kohën time, dukej deti cep më cep. Do të mbeten të paharrueshme në kujtesë sidomos mikeshat e mia: Eriona, Moza, Antonia, Vilma, Rezi dhe Alba.

Ka një vend ku gjithmonë shkon dhe pse, ka ndonjë lidhje unike?

Pa diskutim me Durrësin më lidhin shumë vende ku shkoj shpesh, po tani që po e mendoj – e përbashkëta e këtyre vendeve mbetet po deti (qesh). Por shëtitjet tek Vollga nuk do ti ndaja me asgjë – sidomos atëherë që kishte më shumë leshterikë sesa beton. Por edhe sepse Vollga ka qenë vendi ku kam dalë për herë të parë me atë që sot është bashkëshorti im, madje aty kemi shkëmbyer puthjen e parë në 13 Janar 2001.

Teatri është për ty vendi ku ke startuar gjithçka, sa ka ndikuar tek ju?

Këtë vit në Gusht festoj 10 vjetorin e punësimit tim në Teatrin Aleksandër Moisiu në Durres. Një teatër ku jam rritur profesionalisht dhe si njeri. Ku shumë eksperienca dhe miqësi, të fituara ose të humbura, më kanë bërë sot një njeri më të mirë. Pa diskutim ky teater 65 vjeçar është një fat i madh për këdo që shkel aty. Kam pasur fatin e madh, të jem rritur aty – me kuptimin e parë të fjalës. Që fëmijë mbaj mend që prindërit më çonin në çdo aktivitet që zhvillohej aty.

Një vajzë nga Durrësi, duhet patjetër të jetë e lidhur me detin, notin, plazhin, pse?

Deti ndikon padashje tek ty. Është një prezencë që ti e ke aty që fëmijë. Dhe mendoj se ‘Deti’ bëhet një pjesë e rëndësishme e jotja ashtu padashje. Që në momentin që të dhemb koka dhe ti vendos të mos pish një paracetamol, por të dalësh një shëtitje buzë detit. Që në momentin që je i mërzitur, i nevrikosur dhe vendos të të qetësojnë dallgët. Je i lumtur dhe vendos të festosh buzë detit. Pra deti është gjithmone aty (pa kuptuar) për ty… Madje duke rrëmuar në kujtimet e fëmijërisë gjeta dhe testamentin tim… Që dhe ‘shtëpinë e prehjes së përjetshme’ të ma bënin buzë detit… Kur e lexova më erdhi të qesh, por thellë – thellë kjo tregon lidhjen time me detin…

Çfarë të bën krenare kur thua jam nga Durrësi?

Thonë që Durrësi ka goca shumë të bukura… Ha, ha, ha, shaka kjo…! Për herë të parë krenare për qytetin tim më kanë bërë këngët që babai im i kushtoi Durrësit. Sot jam krenare disafish që trashëgoj një mbiemër që ka shënjuar muzikën e lehtë dhe atë për fëmijë. Mbaj mend që ndihesha mirë kur dëgjoja që ndonjëherë babain tim Agron Xhunga e prezantonin ‘kompozitori durrsak’, të them të drejtën edhe sot ndihem shumë mirë kur më thonë regjisoria durrësake.

A ka një pjatë tipike që do të thoje është e qytetit tim?

Kur thua Durrës – thua peshk! Kaq do të thoja dhe kam thënë shumë. S’ka nevojë të jetë një pjatë tipike – majfton të jetë peshk i freskët fare (qesh).

Po ndonjë njeri i cili të ka frymëzuar në jetë?

Familjarët e mi. Forca e tyre për të përballuar dallgët e jetës. Dashuria që më kanë dhënë pa kushte. Liria krijuese e babait tim dhe përkushtimi i një gruaje të forte si mamaja ime.

Cilat janë gjërat që të mungojnë më shumë kur je larg?

Fatmirësisht dhe aq larg nuk jemi unë dhe Durrësi. Aty punoj, kam mamanë, motrën, mbesat, miq e të afërm. Le të themi një shtëpi e dytë. Po sa herë më kap qoftë dhe një mall ashtu kot, i hipi makinës dhe shkoj. Në të përditshmen time më mungon ajo pjesë e imja, që jeton gjithmonë buzë detit.

Ka diçka që kur shkon aty thua: qenka zhdukur dhe për të cilën të vjen keq?

Qyteti ka ndryshuar shumë. Shumë hapësira janë tjetërsuar. Rrugica shtëpish përdhese, janë bërë rrugë me pallate. Hapësira e parqe ku luanim të vegjël, sot nuk janë më. Më dhemb  shkatërrimi i plazhit, ajo hapësirë ëndrrash me rërë, që sot është mbuluar nga pallate gjatoshe e të shëmtuar. Edhe stacioni i trenit është një tjetër aset memorieje për gjenerata të tëra studentësh durrsakë. Edhe Vila e Zogut e ka humbur magjinë e dikurshme. Por “e djeshmja” kështu është, ikën bëhet pluhur, por copëza të saj jetojnë ende nëpërmjet teje….

 

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF