KreuFashion

8 tipat e njerëzve që hasim çdo ditë në urbanët e Tiranës!

Nëse do të njohësh njerëzit e një vendi hip në autobuzat e linjave të qytetit. (S’është se e ka thënë ndonjë kokë e madhe këtë shprehje thjesht nga vëzhgimet tona kështu na ka rezultuar) Pra nëse do të dish se cilët janë tipet e njerëzve që jetojnë në Tiranë, bëni një xhiro me autobuzët e një prej linjave dhe kur të zbrisni me siguri, ose në të shumtën e rasteve do të gjeni këto tipe njerëzish!

1. Zonja që ofendohet nëse i liron vendin: Zakonisht këto zonja janë të mbajtura, të grimuara dhe kanë një qëndrim serioz. Nëse ndonjë 20-vjeçare çohet dhe i liron vendin përveçse do të marrë si shpërblim një shikim vëngër mund të dëgjojë teksa nëpër dhëmbë i thotë se nuk kanë shumë diferencë moshe bashkë. E pra kujdes kur t’i lironi vendin zonjave të tilla pasi ato do ta marrin sikur po ju thoni se ‘janë plakur’.

2. Zonja që s’lë fjalë pa të sharë nëse nuk ja liron vendin: Me siguri ju ka ndodhur të gjithëve, që pasi mezi keni gjetur një vend për t’u ulur, pas 12 orëve punë e rraskapitje, jeni gati t’ju zërë gjumi në sedilje. Sigurisht ju kontrolluat nëse ka ndonjë të moshuar, e pasi u siguruat që jo, zutë sediljen. Dhe ja tek vjen ajo, zonja që absolutisht nuk quhet e moshuar, e që ju rri mbi kokë. Sigurisht nuk të sheh në sy, por edhe ti bën sikur s’e ke vënë re por ama dëgjon të gjitha ‘të zezat’ që ajo thotë gjoja për brezin e ri (e ka me ty). “Nuk ka më respekt sot”, “Eh ç’brez po rritet”, “Ulet pa pikën e turpit e rrinë pleqtë në këmbë” e deri tek “Tregojn edukatën e familjes”…. Ndërkohë ti kishe kufjet në vesh dhe me siguri bëre sikur s’dëgjove asgjë!

3. Tipi/ja që debaton gjithë kohës me fatorinon: Po, gjithmonë është një tip në autobuz që vetëm debaton me fatorinon dhe ka vetëm ankesa, e padashur bëhet lideri i urbanit duke thënë me zë të lartë të gjitha shqetësimet e pasagjerëve. “Pse s’është ndezur kondicioneri”, “Pse ecën kaq avash ky autobuz, jemi vonë për në punë”, “Mos ka pirë gjë ai shoferi që ecën kaq shpejt”, e deri tek shfryrjet pë qeverinë, rrogat e ulta, uji e drita. Ky lloj tipi është i denjë për në studiot e emisionit Opinion, pasi gjatë gjithë rrugës shpalos talentin e tij me analiza politike. Fatorinos i bie të bëjë rolin e Blendit.

4. Tipi-ja që flet në telefon me zë të lartë. Ky lloj tipi duket se të gjitha problemet e familjes ka vendosur t’i zgjidhi në autobuz. Flet me zë aq të lartë, sa i gjithë autobuzi i mëson emrin e gruas/burrit, komshiut, fëmijëve. Madje edhe vendin ku i ka lënë çelësin poshtë vazos së mullagës. Sigurisht e gjithë biseda shoqërohet me gjestikulacione, duke lëvizur këmbë e duar. Sepse tipa të tillë pasionant nuk komunikojnë dot ndryshe, por mjer ata që u qëllon të udhëtojnë me një tip të tillë, në ditë kur autobuzi është plot.

5. Pjeshka (vajza seksi): Pasi ka dëgjuar në stacion shprehjen e famshme “ kush të le të hipësh në autobuz, kësaj vajze do t’i duhet të durojë edhe shikimet zhbiriluese të djemve të urbanit (ndonjëherë dhe të vajzave). Megjithatë ajo është gjithmonë indiferente ndaj çdo shikimi, apo ngacmimi.

6. Tipi që ja ka kthyer disa gota që me mëngjes. Mund të jetë ora 8 e mëngjesit, por ai i ka rrëkëllyer disa gota. Dhe nëse të rastis një person i tillë afër zgjidhja më e mirë do të ishte të zbresësh e t’u japësh këmbëve. Bashkëjetesa në të njëjtin autobuz me të është e pamundur.

7. Hajduti: Është i përqendruar totalisht në qëllimin e tij dhe strategjia është e njëjtë; nuk sheh asnjë në sy, bën rolin e indiferentit dhe shpesh duket i pafajshëm, aq sa nuk të shkon mendja fare që ai të ka pikasur ku e fute kuletën dhe po pret rastin kur të ta grabisë. Ndaj çantat gjithmonë para vetes tuaj!

8.  Manjaku: Ky pastaj është tipi më i tmerrshëm dhe më i neveritshëm i njeriut. Por për fat të keq ndodhet pothuajse në çdo autobuz. Për këtë specje nuk mund të themi asgjë përveçse denoncojeni duke telefonuar 112 ose 129, sapo t’ju jepet rasti.

P.s nëse kemi harruar ndonjë tip shtojeni në koment!

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF