KreuCelebrity

Po procedohet penalisht; reagon Robert Aliaj!

Policia e Tiranës sipas një njoftimi të saj ka bërë me dije se po procedon penalisht Robert Aliaj-n si dhe 21 persona të tjerë që sipas policisë kanë prishur rendin dhe qetësinë publike gjatë protestës së studentëve.

“Ata akuzohen se dje në orën 09:00, tek sheshi “Nënë Tereza”, në rrugën “Muhamed Gjollesha”, e më pas në rrugën e “Durrësit”, përpara Ministrisë së Arsimit, kanë protestuar në mënyrë të paligjshme, pa lejen e organeve kompetente duke prishur rendin e qetësinë publike, duke penguar qarkullimin e mjeteve të transportit, duke hedhur sende të forta në oborrin e institucionit”, thuhet në njoftimin zyrtar të policisë.

I menjëhereshëm ka qenë reagimi i artistit Aliaj duke  e quajtur absurd këtë veprim të ndërmarrë nga policia e shtetit drejt tij.

“Ata që e kanë bërë këtë duan të më vënë kundër shtetit.  Është absurde sepse unë kam qenë në fitness deri në orën 10:00 dhe më pas në shtëpi. Kjo bëhet për të destabilizuar çështjen e studentëve dhe unë jam kundër politizimit të lëvizjes studentore. Unë jam për studentët dhe kam bërë thirrje që ata të tregojnë dialog dhe vendosmëri. Me dialog nënkuptoj paqe. Unë nuk kam qenë fare në qendër dje. Duan të njollosin emrin. Unë nuk mbështes asnjë forcë politike”, ka thënë Robert Aliaj.